Arkiva
31 Korrik, 2024
Të shikosh TV, do të thotë të shikosh produktin përfundimtar pas shumë provave, xhirimeve dhe lodhjeve fizike. Madje nëse thellohemi edhe pak më shumë brenda prodhimeve vizuale qofshin ato programe televizive, lojëra sporti apo gara botërore, keni për të analizuar personalitetin e atyre që ndërtojnë atë.
Ju mund ta keni parë në TV garën më të famshme botërore të shtegut, UTMB, mirëpo ndoshta njohuritë që keni rreth saj janë të kufizuara. Mund të mos keni dëgjuar fare apo ta keni parë vetëm kalimthi momentet kur transmetohet live në TV dhe ta keni shijuar aty për aty. Por cila është puna dhe angazhimi deri tek ato sekuenca që ju i shihni e sidomos kur keni një preferencë specifike?
Ajo çka dua të them është se “çka ne shohim si finale nuk është e tëra”. E nisa me këtë hyrje për ta ndërlidhur me prapavijat e angazhimit që duhen, për të marrë pjesë në një garë të tillë, duke marrë si shembull real vetë garuesin e këtij viti nga Kosova, Ilir Zhegrovën (për të ju njoftuar me diçka të re dhe për të demostruar fjalitë e lartëshkruar).
Por fillimisht çka është UTMB?
Ultra -Trail du Mont-Blanc ( UTMB ) është një garë malore, e cila për herë të parë është mbajtur në vitin 2003, ajo ndjek rrugën e Tour du Mont Blanc dhe është cilësuar si ultramaratona më konkurruese e shtegut në botë.
Gara zhvillohet një herë në vit, në fundjavën e fundit të muajit gusht ose në fundjavën e parë të shtatorit në Alpe. Duke ndjekur rrugën e Tour du Mont Blanc që kalon përmes Francës, Italisë dhe Zvicrës. Konsiderohet gjerësisht si një nga garat më të vështira në botë për tu kaluar në këmbë, me një gjatësi prej 174 kilometrave (108 milje), me lartësi 10,040 metra dhe një nga më të mëdhatë me pjesëmarrës, me më shumë se 2500 startues nga 100.000 prej sa aplikojnë.
Si bëhet kualifikimi i pjesëmarrësve në garën më të famshme botërore dhe sa zgjatë deri në përfundim?
Garat kanë kërkesa strikte të kualifikimit të arritura duke grumbulluar pikë të mjaftueshme garimi përmes garave kualifikuese të shtigjeve gjatë periudhës së mëparshme dyvjeçare (psh: nëse keni pasur synim pjesëmarrjen e këtij viti pra 2024, ju jeni dashur të grumbulloni pikë të garimit në periudhën 2022/2023).
Sipas rezultateve të deritanishme nga faqja zyrtare e UTMB-së, vrapuesit më të mirë e përfundojnë ciklin në pak më shumë se 20 orë, ndërsa shumicës tjetër të vrapuesve u duhen 32 deri në 46 orë për të arritur në vijën e finishit. Shumica e vrapuesve do të duhen të vrapojnë dy netë për të përfunduar garën.
Por çfarë për garën e këtij viti?
Këtë vit gara e UTMB, fillon më 26 gusht deri më 1 shtator 2024 dhe në listën e shumë pjesëmarrësve të kualifikuar nga Kosova janë: Ilir Zhegrova, Burim Leci, Astrit Desku, Gentian Likaj dhe Taulant Tanushaj.
E sot përmes këtij artikulli do të njoftohemi me njërin prej kualifikuesve, Ilir Zhegrovën.
Më poshtë gjeni listën e garave që ka kaluar Zhegrova për të qenë pjesë e UTMB-së këtë vit.
Le të njoftohemi me Zhegrovën!
Si filloi gjithçka për të?
Zhegrova fëmijërinë e herëshme e kaloi në Ljubljanë, ku pozita gjeografike e qytetit midis Alpeve dhe Karstit i mundësoi të eksplorojë natyrën dhe të provojë jetën në male, ndërsa figura më me ndikim në hobin e tij ishte babai.
“Hiking ka lind si dëshirë prej babit, ai na ka rrit me frymën që duhet mi dashtë malet, që malet jonë shëndeti jonë”, thotë Zhegrova.
Teksa thellimin në ecje dhe vrap, e shndërroi në pasion pasi gërshetoi të mirat që vijnë nga ky sport dhe dëshirën për të testuar limitet njerëzore.
“Ecjen e parë në malet e Kosovës e kam realizu në vitin 2004, pastaj jam bo pjesë edhe e klubeve të ndryshme si ajo “Alpin Prishtina”, pastaj prej ecjeve në male ka fillu dëshira për me bo diçka më ekstreme, kam fillu me ngjitje sportive dhe vrapim malor. Kur them ngjitje sportive, nënkuptoj ngjitjen në gurë, pastaj fillon mendon për ngjitjen në maje më sfiduese të cilat të shtijnë me ushtru, mendon qysh me zhvillu aftësi të reja teknike, për litarët që duhesh me i pas me vete, qysh krijohet një rrugë, pastaj si bëhet siguria për këto ngjitje. Kam fillu me qëndru me njerëz që bëjnë ngjitje”, shtoi ai.
A ju kujtohet kur e përmenda që pjesëmarrësit në garën e UTMB, duhet të kalojnë nëpër disa gara tjera që ju ndihmojnë në grumbullimin e pikëve adekuate për kualifikim!!! Këto kanë qenë mendimet e Zhegrovës pasi ka provuar njërën nga garat më sfiduese për fillimet e tij.
“Gara e parë ka qenë “Vodno-Matka”-42 km në Maqedoni. Ka qenë aq eskperiencë sfiduese, sa që kam thanë kjo është e fundit, por një jave pas rikuperimit, kam mendu se si me përmirësu veten në pikat që kam bo gabime, në mënyrë që në garën tjetër të tillë me kalu më mirë”, shprehet Zhegrova.
Mos mendoni që pjesëmarrje të tilla arrihen vetëm pse ju keni një ëndërr. Jo. Ju duhet të punoni për atë ëndërr dhe të krijoni disiplinë karshi qëllimit tuaj, këtë na e dëshmon edhe Zhegrova.
“Tash vrapi i përditshëm është rutinë, sigurisht që në fillim është dasht vrapin dhe ecjen ta praktikoj për njëherë, për me kriju kondicion të mirë. Vrapi ma ka ndryshu stilin e jetesës, ma ka ndryshu të menduarit që njeriu s’ka limite dhe ckado që don me arrit mundet me arrit, sidomos ne gara duhesh me qenë i fortë psiqikisht aq sa të nevojitet forca fizike. Deri në 50km çdo gjë varet nga forca fizikie, pastja fillon sfida psikologjike. Qysh e bon vetën më të fortë psiqiskisht, e bon kur del në vrap natën, ditën, në kushte ekstreme, kur ec pa ushqim, pa ujë, kur ja vërteton vetes deri ku mundesh. Ka momente kur mbrrin edhe në vaj edhe kur arrin tek një “check point” thu ka me heq dorë, kjo është e fundit, pastaj e pin pak supë, han ushqim e merr veten edhe vazhdon. E kur kryhet gara qorapet i hek bashkë me lëkurë, bashkë me thonjë”, përfundon ai.
Cka merr në fund Iliri prej këtyre sfidave? Çka e përmbush atë?
“Të hapet një botë e re, shtohet një botë e jotja brenda vetes që nuk e ke pas, nuk je më i njëjti që ke qenë para garës, ke ndryshu në aspektet fizike dhe mentale, sepse t’ka ardh diçka tjetër”.
Cili ka qenë reagimi i Ilirit pasi ka pa kualifikimin e tij në UTMB?
“Vec kom thanë… qitash fillon puna e vërtetë”.
Çfarë ushqimi duhet të konsumoj Iliri para kësaj gare edhe çka duhet të ketë me vete?
“Për momentin para garës, konsumoj proteina, që me pas deponi të suplementeve dhe proteinave te tjera, si kolagjen, artilana, magneziumi dhe zink. Në ultra maratona, duhesh me ditë qysh funksionon trupi i njeriut. Duhesh me ditë çfarë minerale largohen prej trupit me anë të djersëve, cfarë ndodh kur na bjen sheqeri, cka kemi humb kur jemi djersitë ne kohë super të nxehta poashtu gjatë garave të gjata, duhesh me urinu sa ma shpesh që me i fut në funksion veshkët. Pastaj nëse përdorim sheqerna të tepërta nuk lojmë hapësirë për minerale. Unë nëpër check point konsumoj, djathë, patate, krypra, tranguj turshi, kapsulla si sodium etj”.
Kurse në veshje…
“Veshja e përshtatshme për gara fillon prej patikave, duhesh me analizu këmbën tënde, se çka është e përshtatshme për gishtat, themrat e tua. Patikat mbahen me kilometra, nëse p.sh. përdor brendin Asic, ato e kanë të shënune që më së shumti janë të përdorueshme deri në 500-600 kilometra, pas këtyre kilometrave ato duhet mu hedh. Shorcet duhet me qenë sa më të lehta, çanta është e destinune për vrapim , trupin duhesh me mësu se me çfarë çante mundesh me vrapu. Shtagat, kanë me të ndihmu me pas performancë më të mirë. Ora, të tregon për rrahjet e zemrës, sa ki ngjitje edhe sa ki me bo ngjitje. Kapela, jakne, head lamps (drita e kokës), çdo detaj luan rol, përgjatë kohës kur ti vetëm se je tu vrapu”, tregon Zhegrova.
Përndryshe Zhegrova është edhe pjesëtar i Shërbimit Kërkim-Shpëtimit malor të Kosovës dhe puna e tij është vullnetare, por për këtë çështje do të ju njoftoj një ditë tjetër. Deri në artikullin e radhës <3!!!