Live Stories from Prishtina

LIVE

25 Janar, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Në këtë botë ku shpeshherë ndjekim suksesin dhe arritjet personale, ndonjëherë harrojmë që vlera më e madhe e jetës qëndron në marrëdhëniet e thella dhe kuptimplota me të tjerët. Aktet e vogla të mirësisë, momentet e ndara dhe përvojat e përbashkëta krijojnë një jetë me kuptim të vërtetë. Nuk është pasuria apo suksesi ai që na pasuron shpirtin, por lidhjet që ndërtojmë me njerëzit dhe ndjesitë që ato sjellin.

Gjysma e fushatës ka kaluar. Këto dy javë kanë pasur një energji të jashtëzakonshme për të arritur në çdo cep të Kosovës, për të folur, për të gazmuar, për të premtuar dhe për të harruar deri në zgjedhjet e ardhshme.

Tani na presin dy javët e fundit, të cilat janë si finalja e madhe. Pritet një rritje e intensitetit, me më shumë lëvizje në terren dhe edhe më shumë reklama për parat që nuk duhet tq shkojnë huq.

E tash asnjë partie nuk i shkon në mendje të mendojë se sa po harxhojnë; shifra këto që do t’u përmenden në fushatat e ardhshme si mostra.

E nime, ku janë spotet vetëdijësuese për 150 mijë të rinjtë e rinj që do të votojnë për herë të parë këtë vit? A hala nuk kanë dalë? Nuk e di sa kanë bërë hulumtime për brezin e 2005/6-ës për të kuptuar si funksionojnë? A e di KQZ-ja që kjo gjeneratë rrallë dhe përmallë shikon TV? Ku e kanë menduar t’i publikojnë këto spote që të jenë sa më të arritshme?

***
Po kur gjithçka është kthyer kah politika, jeta jonë e përditshme vazhdon… për shembull problemet, ose zgjedhja e një emisari të ri për dialog si danezi Peter Sorensen. Kush është Sorensen? Çfarë di për historinë e Kosovës? A është kjo zgjedhja më e mirë deri tani?

Lajçakut me 31 janar i skadon mandati, dhe sa e ka lehtësuar ai dialogun, e kemi parë. Jo do letra që janë shkruar e s’janë shkruar, janë miratuar e s’janë miratuar!!! Sa lehtësues do të jetë Sorensen, mbetet të shihet…

Sa për problemet brenda Prishtinës, Termokosi është goxha problematik, por asamblistët e Prishtinës kanë qëlluar të zënë duke grumbulluar vota për zgjedhjet parlamentare, kështu që nuk po merren me këtë temë.

Tash Termokosi ka filluar faturimin edhe të ngrohjes së korridoreve të objekteve kolektive, duke përfshirë hapësirat nga kalojnë gypat. Sa të zgjuar, a? Fitimin e kujt po e nxjerrin me këtë lëvizje?

***

Moti s’kishim pas muzikë amerikane bluegrass në Kosovë. Eh, më 22 janar, në një mbrëmje të veçantë, publiku pati mundësinë të dëgjojë grupin amerikan ‘Never Come Down’, të cilët performuan në qendrën alternative Defy Them. Koncerti u mbajt të mërkurën, në ora 20:00, dhe ishte pjesë e bashkëpunimit me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, që vazhdimisht sjell projekte të diplomacisë kulturore. Bendi ‘Never Come Down’ solli një përzierje të veçantë të muzikës bluegrass, folk dhe americana, duke ofruar një performancë që, siç thamë, rrallë mund të përjetohet në Kosovë.

***

Pasioni është një forcë e fuqishme që mund të na frymëzojë dhe t’i japë kuptim jetës sonë, por nuk duhet të bëhet e vetmja gjë që na përcakton. Ndonjëherë, duke u përqendruar vetëm te një gjë, rrezikojmë të harrojmë rëndësinë e ekuilibrit dhe eksplorimit. Identiteti ynë është shumë më i gjerë sesa ajo që bëjmë. Identiteti ynë, përfshin marrëdhëniet tona, përvojat e ndryshme dhe mënyrën si jetojmë çdo ditë.