Live Stories from Prishtina

LIVE

10 Nëntor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën dhe Shqipërinë tonë. Paper ndanë me ty!

I dashur lexues, a di sa shumë pakënaqësi kanë ardhur në botë për shkak të hutimit dhe gjërave të pathëna që njerëzit i kanë mbajtur brenda. Sepse fjalët që nuk i themi, shpesh bëhen të rënda në zemër dhe largojnë njerëzit që donim t’i kuptonim. Andaj sot, mu në këtë moment, thuaje atë që po të pengon, atë që s’po të lejon ta shohësh ndryshe personin, botën, çkado.

Qe unë çka mendoj për situatën pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe disa bashkive në Shqipëri.

Në Kosovë, si çdoherë, nuk ka nevojë me dal rezultatet prej KQZ-së, mjafton exit-pollet me dalë, me pa që përqindja është përmbi palën kundërshtare dhe me i thirr tupanat, me i bo gati flamujt në vetura, me thirr njerëz edhe me dalë nëpër qytete me bo namin.

Po në këtë gëzim çka përfshihet o vëlla? (përjashtim bëjnë ato komunat që kanë pas qeverisje prej një partie e nuk kanë shënu progres hiç, e tash i gëzohen një shprese të re që ka fitu një parti tjetër). Po bre në pushtet nacional nuk lamë parti pa provu, me qeverisjen e secilës u testuam, e për secilen kemi përshtypjet personale, po në ato lokale po votohet për individin përfaqësues kishe…

Po gëzimi? Ta kanë premtu naj punë të re? Të kanë premtu diçka për naj familjar? Se për të mirën e përgjithshme, kemi vetëm premtimet n’fund-mandat: pensione në rritje, rrogë të 13-të, shtesa festive për student, shtesa t’rrituna për fëmijët… krejt premtime që ndikojnë tek secila shtresë. Po naj investim afatëgjatë, naj vendim që respektohet a bohet për sistemim të sistemit? Pas këtyre zgjedhjeve, fitorja e secilit çka ka me ndiku tek unë?

Tek unë që punoj në sektorin privat, si shumica e popullsisë. Tek unë ku kompania për të cilën punoj, ka zero lehtësim prej vendit, që i kontribuon me punësim të qytetarëve të saj?

Dje ngjyra të reja ka marrë harta politike e udhëheqjes së komunave në Kosovë, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtur më 9 nëntor. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas numërimit të votave në vendvotime, kanë siguruar udhëheqjen e nga shtatë komunave.

Lëvizja Vetëvendosje pati fituar në raundin e parë në Podujevë, Shtime e Kamenicë. Ndërsa nga 12 komuna në të cilat garoi në balotazh, ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë.

Lidhja Demokratike e Kosovës në raundin e parë pati fituar në Istog e Lipjan, ndërsa në balotazh triumfoi në Prishtinë, Pejë, Dragash, Junik e Viti.

Partia Demokratike e Kosovës pos Skenderajt, Ferizajt e Hanit të Elezit në raundin e parë, më 9 nëntor fitoi edhe në Prizren, Kaçanik dhe Vushtrri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheqë në 5 komuna. Pas fitores në Deçan, në raund të dytë doli e para edhe në Gjakovë, Suharekë, Rahovec e Klinë.

Lista Serbe pati fituar 9 komuna në raundin e parë, ndërsa në të dytin pa kundërshtar fitoi në Kllokot dhe është subjekti me më së shumti komuna nën udhëheqje.

Ramiz Lladrovci veçse pati fituar në Drenas, sikurse edhe Nisma në Malishevë.

Në Mamushë në balotazh ka fituar KDTP-ja.

Tash? Sot kur jeni zgju a e pyetet veten se çka shpresoni që ka me ndërru? Unë kam nevojë me ditë… përveç shkollave me sistemin smart, çka ka tjetër të re?

****

Në anën tjetër n’Shqipëri, ku pati zgjedhje në disa bashki, në atë t’Vlorës, Beratit, Cërrik, Tepelenë dhe Mat.

Këto qytete hynë në zgjedhje të pjesshme sepse në Vlorë, kryetari i mëparshëm, Dritan Leli, kishte përfunduar mandatin dhe kishte pasur përplasje të hapura me Edi Ramën. (pas zgjedhjeve 2023, posti mbeti bosh pas përplasjeve të brendshme)

Në Berat, kryetari Ervin Demo dha dorëheqjen për t’u emëruar në detyrë tjetër, ndaj u desh zëvendësim.

N’Cërrik, kryetari Andis Salla dha dorëheqje për arsye personale.

Në Tepelenë, kryetari Tërmet Peçi u zgjodh deputet në Kuvend, duke lënë bashkinë bosh.

Dhe në Mat, kryetari Agron Malaj dha dorëheqje, gjithashtu për arsye politike dhe angazhim tjetër publik.

Në krejt këto fitoi dje Partia Socialiste.

Edi Rama, në stilin e tij të zakonshëm mes entuziazmit dhe auto-komentit, ka reaguar për fitoren “5 me 0” të Partisë Socialiste në zgjedhjet e pjesshme lokale. Në postimin e tij, ai falënderoi qytetarët për “besimin e tyre”, një besim që sipas të gjitha gjasave, ka dalë për shëtitje në shi, duke qenë se pjesëmarrja ishte minimale.

Me emoji trëndafilash dhe flamujsh, Rama numëron fitoret si në Eurovision politik: Bruna e para në Vlorë, Ervini “i dytë” në Berat me 83% të votave, dhe treshja Florenc-Gramoz-Altin që plotëson podiumin socialist.

Me të njëjtën e kisha mbyllur edhe për Shqipëri: a ndërron vërtetë diçka për qytetarin e zakonshëm, apo veç ngjyra e pankartave që varen nëpër institucione?