Live Stories from Prishtina

LIVE

December 27, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team

Ndër vite ajo çfarë na ka rrethuar ka qenë një arkitekturë e cila ka ndërruar dhe ka ruajtur strukturën e saj dhe e cila ka reflektuar në formën e saj, varësisht nga ngjarjet që kanë ndodhur historikisht në botë.

Madje në shumë vende, arkitektura ka qenë edhe si mjet identifikues dhe përshkrues i historisë së atij vendi.

E ardhmja e arkitekturës është kultura, njësoj si arkitektura e punuar shekuj më parë në Romë, Greqi e Francë, për të cilën flitet me admirim në ditët e sotme. Shtëpia, rruga, qyteti janë pikat në të cilat drejtohet energjia njerëzore, përmasat dhe format e bukura të tyre. Është ligj universal që qeniet njerëzore janë më të kënaqur kur shikojnë objekte që kanë proporcion dhe shkallë të drejtë, e cila ndikon në arritjen e harmonisë vizuale, një tjetër parim thelbësor për dizajnin estetik.

Si pjesë e estetikës në arkitekturë janë edhe harqet, të cilat gjejnë përdorim të ndryshëm dhe të rrallë në objekte, për shkak se janë mjaft të kushtueshme. Historia e harqeve daton që moti, të cilat fillimisht u ndërtuan me qëllimin e vetëm për të mbajtur pesha dhe masa të rënda, pastaj dikur morën epitetin si objekte të triumfit, e sot në shumicën e rasteve për estetikë.

“Harku i Triumfit l’Étoile” në Francë, i cili filloi ndërtimin për të shënuar çdo triumf të Napoleon Bonapartes nga luftërat, njihet si monumenti më i gjatë i këtij lloji në botë, me gjatësi 630 metra. Edhe pse epitetin për një objekt të tillë kaq madhështor e mban Franca, harqet janë shpikje romake. Grekët dinin të ndërtonin hapje të harkuara brenda ndërtesave në katror, por romakët e krijuan stilin harkor unik për monumente gjigante kushtuar luftëtarëve të suksesshëm, të tilla si “Harku i Titit” në Romë.

I njohur si harku më i lashtë, “Harku i Titit” u ndërtua për të festuar shkatërrimin e Jerusalemit nga ushtria romake në vitin e 70-të pas Krishtit. Harku nga mermeri siguroi një hyrje madhështore për luftëtarët e kthyer. Prandaj, natyra e harkut të triumfit ishte të krijonte një hyrje mbresëlënëse dhe të përkujtonte një fitore të rëndësishme.

Me një histori pothuajse të ngjashme, por me një dallim në strukturë, është edhe “Harku i Konstandinit” afër Koloseumit në Romë. Harku i lashtë romak ruan dizajnin klasik të harqeve duke shtuar pamje me tre harqe, struktura e së cilës është kopjuar më pas gjerësisht në të gjithë botën.

Pas romakëve e grekëve, toka e civilizimit u bë model për bartjen e kulturës arkitekturore edhe në Angli, Rusi, e deri në Azi tek Korea e Veriut e në Indi. Duke ndërruar shtrirjen nëpër vende, harqet ndërruan edhe formën. Në Indi filloi të gjente përdorim harku “tre-pikësh”, si ai i portës së “Patuxai Victory”, i cili paraqitej si monument triumfal i Luftës në Vientiane. Pas gjithë këtyre viteve, harqet ende dhurojnë “ndjenjën” e bashkimit.

Sot harqet moderne përdoren edhe në hapësirat e brendshme, në shtëpi, lokale apo klube nate. Përdorimi i tyre bëhet duke gërshetuar klasiken me modernen, ku në të shumtën e rasteve materiali i përdorur është mermer ose gur i fortë.

Sa i përket harqeve të sotme triumfale, ato rrallëherë përkujtojnë fitoret e luftërave në botën perëndimore.

Megjithëse, La Grande Arche iu kushtua dyqind vjetorit të Revolucionit Francez, qëllimi i vërtetë i këtij dizajni modernist ishte vëllazëria – me emrin “Harku i Madh i Vëllazërisë”, në Paris.

Sido që të jetë, tridhjetë format e harqeve të zbuluara deri më sot, në hapësirat e jashtme apo të brendshme, ato gjithmonë do të mbeten të pakrahasueshme dhe do të vazhdojnë të na dhurojnë ndjenjën madhështore.