Live Stories from Prishtina

LIVE

8 Shkurt, 2025

Ndonjëherë, kur është ora 2 e mëngjesit dhe nuk mund të fle, përkëdhel veten me një fantazi të vogël.

Imagjinoj sikur kam fituar 1 milion euro. Përqendrohem te ndjenja që do të më kaplonte kur të zgjohesha në mëngjes dhe ta shihja atë shumë në llogarinë time bankare, dhe them “një jete pa kredi!” Sigurisht, një ëndërr e çuditshme, por më qetëson dhe më ndihmon të bie në gjumë brenda pak minutash.

Së fundmi, ia tregova këtë fantazi një mikeje, dhe ajo më tha se nuk është aq ngushëlluese sa mund të duket. Diskutuam se, edhe po t’i kishim pasur këto miliona, nuk do të largoheshim nga puna dhe përditshmëria; thjesht do të lehtësoheshim nga disa shpenzime. Por nuk e harronim faktin që gjithmonë del diçka që të nxjerr para nga dora.

Nga ajo që folëm, ramë në përfundimin se edhe shumat e mëdha nuk e zhdukin krejtësisht shqetësimin financiar. Kështu që, thjesht u ankuam të dyja për faktin se ndiheshim të varfra.

Pa dyshim që ka edhe më keq sesa ajo për të cilën ne ankoheshim: sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, rreth 18 për qind e popullsisë në Kosovë jeton në varfëri, ndërsa pesë për qind në varfëri të skajshme. Sidomos sot, duket sikur të gjithë, pavarësisht nga bilanci i llogarisë bankare, janë ngushtuar financiarisht, dhe kjo stuhi ekonomike ka filluar të marrë tatëpjetën për më shumë se një gjeneratë.

Inflacioni arriti një rekord në vitin 2022, kur faturat e energjisë u dyfishuan bashkë me çmimet e ushqimeve.

Por, edhe pse po përpiqemi të kursejmë, na bëhet e qartë se gjithmonë ka diçka tjetër që duhet të blejmë. Nuk dua të tingëlloj si një marksiste tipike, por po jetojmë në një epokë të konsumit të pakufizuar, ku gjithçka nga mënyra se si e kalojmë kohën e lirë kalon përmes aplikacioneve që nxjerrin përfitime nga të dhënat ose vëmendja jonë.

Çdo moment është shndërruar në një transaksion; po na inkurajojnë ta shohim veten së pari si konsumatorë e pastaj si njerëz.

Me kaq shumë gjëra që konsumojmë në çdo moment, nuk është çudi që shumë prej nesh bien në kurthin e shpenzimeve, dhe që paratë janë tema më e përfolur. Andaj, le t’i hedhim një sy dhe të shohim se çfarë lloji shpenzuesi kemi dhe ku e gjeni veten ju.

 

Harxhon para, por ke një familje të qëndrueshme financiarisht

Ke një punë të këndshme në një industri kreative (marketing, media, etj.), por nuk dukesh kurrë i shqetësuar për çmimet. Ke një frigorifer Smeg dhe sapo ke blerë një çantë Prada me print leopard. Flet shumë për “investime”, por si ia del të përballosh të gjitha këto? Epo, prindërit e tu paguajnë qiranë, faturën e telefonit dhe anëtarësinë në klubet e fitnesit.

Harxhon para dhe ke borxhe të mëdha

Ke 12 karta krediti dhe nuk je kurrë i sigurt nëse ajo që po dorëzon ka ende limit të hapur. Kërkon me dëshpërim ofertën e radhës pa interes. Nga borxhet ke grumbulluar një sasi parash, por pa ndonjë kursim të vërtetë për ta justifikuar.

Harxhon në “gjëra të vogla”

Mund të kalosh muaj pa parë miqtë, por je i/e pari/a në listë te postierët për gjërat që ke porositur. Nuk e di saktësisht ku shkojnë paratë e tua, por e di që ke shumë gjëra. Këtë javë ke porositur një set nga shoppingjet online, katër libra të shtrenjtë dhe disa vitamina online që as nuk mban mend t’i kesh porositur.

Harxhon “sikur çdo ditë të ishte dita e fundit e jetës”

Ti je versioni argëtues i shpenzuesit në “gjërat e vogla”. Thua “po” për çdo plan dhe shqetësohesh për buxhetin tënd më vonë. Një raund tjetër margarita? Pse jo! Darkë në atë restorantin e famshëm të qytetit, reklama e të cilit të shfaqet kudo në rrjete sociale? Sigurisht! Ato çizmet që ke dashur që nga java e kaluar? Po. Pastaj: “Pse nuk kam unë kursime?…”

Harxhon “në gjumë”

Nuk ke hyrë asnjëherë në palestrën ku je anëtarësuar që nga korriku dhe ke paguar një ofertë prej 80 euro për gjithë vitin. Ende paguan borxhin për veturën që të kanë vjedhur vite më parë. Të duket shumë e lodhshme të anulosh një shërbim, sepse duhet të kalosh disa hapa (të gjesh faqen tjetër, të presësh përgjigjen). Por a mendohesh për të gjitha paratë që mund të kursesh po t’i ndjekje hapat e duhur…?

Nëse e gjen veten në njërën prej këtyre kategorive, ndoshta është koha për të reflektuar mbi raportin tënd me paratë dhe për të bërë disa ndryshime të vogla që mund të të ndihmojnë në të ardhmen.