Live Stories from Prishtina

LIVE

28 Tetor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

T’u “scroll” nëpër reels të rrjeteve sociale, u ndesha me këtë thënje: “I njëjti ujë që zien dhe e bën vezën të forcohet, e bën pataten të zbutet prandaj ti duhet ta kontrollosh mjedisin tënd dhe jo ta lejosh mjedisin të kontrollojë ty”. Ama unë po e them kështu: nuk jam e sigurt nëse patatja dhe veza u pyetën ndonjëherë nëse duan të jenë aty, po çka me bo kjo është jeta, të detyron të mbijetosh në çdo ambient.

Çka ndodhi dje n’Kosovë?

 

Një ditë pasi Kuvendi nuk ja dha “shansin e dytë”, Albin Kurti doli para gazetarëve për të sqaruar se faji nuk është i tij. Sipas tij, opozita i ndërpreu rrugën e punëve të mira që kishte bërë në katër vjetët e fundit, ndonëse shumëkush do debatonte për listën e atyre punëve.

Kurti paralajmëroi se Kosova po shkon drejt një “maratone zgjedhore”  jo njëherë, por dyherë në zgjedhje të parakohshme, në dhjetor dhe pastaj sërish në pranverë, sepse “kur s’arrijmë 61 vota për qeveri, vështirë të bëjmë 80 për president”.

Ironikisht, ai shtoi se kjo është “për të ardhur keq”, sikur të mos kishte situatën në dorë.

Në përpjekjen e tij “maksimale” për të formuar qeverinë, Kurti kishte ftuar në vallëzim LDK-në dhe Nismën, por të parët, sipas tij, “nuk duan qeveri me LVV-në e as me askënd tjetër, vetëm zgjedhje ku prap s’dalin të parët”.

Për partitë e tjera, ai tha se nuk u kishte bërë as ofertë, sepse “tjetër çka nuk është mirë për shtetin” një mënyrë e butë për të thënë se s’i pëlqejnë, çudi s’është që kursehet.

Refuzimin e LDK-së, Kurti nuk e sheh si pasojë të “gjuhës së tij të ashpër”, por të pazareve që ua ka prishur:

“Duke bërë gjëra të mira për Kosovën, kam prishur disa pazare e kumari.”

Në përkthim politik i bjen “të tjerët janë fajtorë që humbën privilegjet, jo ai që nuk arriti t’i bindë.”

Sa për të ardhmen, Kurti nuk është shumë optimist për koalicione pas zgjedhjeve, duke pranuar me realizëm ironik:

“Është më vështirë tash të bëhen koalicionet sesa një vit më parë.”

E për ta mbyllur me një detaj simbolik: ndonëse dikur kritikonte partitë për numrin e madh të ministrive, në kabinetin e tij të ri kishte planifikuar 19 ministri, 4 ma shumë se herën e kalume se po më duket, “punët e mira” kërkojnë më shumë karrige.

***

Edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK do të mbahet më 6, 7 dhe 8 nëntor, pasi u shty për shkak të zgjedhjeve lokale dhe kushteve teknike në sallën e djegur të Pallatit të Rinisë, e cila po shndërrohet në skenë të re muzikore. Drejtor i përgjithshëm është Rilind Gërvalla, ndërsa drejtimin artistik e ka Florent Boshnjaku. Konceptin skenik e ka krijuar Vesa Kraja, me një qasje që lidhë traditën e “Akordeve të Kosovës” me elemente moderne.

Në garë do të jenë 20 këngë për çmimin “Diamanti blu”, ndërsa festivali synon të krijojë vazhdimësi dhe identitet kombëtar, duke bashkuar breza të ndryshëm artistësh dhe duke ruajtur ambicien për pjesëmarrje në Evrovizion. Financimi prej 300 mijë eurosh është siguruar përmes një marrëveshjeje të re me MKRS-në.

Sipas Gërvallës, ky edicion simbolizon rilindjen e artit në një hapësirë të djegur, ku “e kaluara dhe e tashmja takohen në një përvojë të re emocionale”.