Live Stories from Prishtina

LIVE

July 13, 2023

Gjërat që i ndjejmë brenda nesh nuk rriten vetvetiu. Dëshirat e fshehta, mënyra si e përjetojmë gëzimin për situata të ndryshme, mënyra si i dallojmë detajet cilësohen si veprime të mësuara nga gjërat që i shohim në përditshmëri.

Nganjëherë jemi të sigurt për qëndrimet që mbajmë në jetë, por janë disa faktorë që e ndryshojnë perspektivën tonë.

Por, a janë filmat indikatorë që na imponojnë t’i mësojmë këto sjellje? Për çfarë përdoren filmat? Si ndikojnë ata në kulturën e një vendi dhe si e kanë ndryshuar botën?

Përgjigjet për të gjitha këto pyetje do t’i përmendim sot.

A keni dëgjuar thënien që “filmi të dhuron kënaqësinë e njëjtë sikurse zgjimi nga një ëndërr e mirë”. A do të thotë kjo se filmi arrin të influencojë njerëzit dhe të kontrollojë veprimet e tyre, duke krijuar një iluzion mbi gjërat që i dimë?!

Superheronjtë të cilët i kemi përcjellur si fëmijë, aktorët e bukur për të cilët krijuam simpati, historitë që i kemi hasur në jetën reale, situata të ndërlidhura me aktualitetin që po jetojmë, gjendjet e njëjta emocionale të cilat i përjetojmë, të gjitha janë një arsye që i shikojmë ose i duam filmat.

Me gjenerata të tëra thuhet se filmi është përdorur për të arritur audiencë sa më të gjerë, për të krijuar sa më shumë impakt, duke filluar nga mënyra si i ka informuar apo frymëzuar njerëzit për ndryshime përmes reflektimit të shoqërisë.

Ndërsa kur ndalemi tek pjesa teknike, filmat kanë një ndikim ndryshe. Kombinimi i imazheve, pastaj muzikës, dialogu mes protagonistëve, ndriçimi, zëri dhe efektet speciale shkaktojnë emocione të thella të cilat na japin një pasqyrë për jetën tonë. Ato mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë jetën tonë, jetën e njerëzve përreth nesh dhe madje edhe mënyrën se si funksionon shoqëria dhe kultura jonë.

Ashtu siç e pasqyrojnë realitetin, ata gjithashtu ndihmojnë në formësimin dhe forcimin e besimeve të një kulture. Studimet e ndryshme kanë zbuluar ndikimin e filmave në bindjet, opinionet, stereotipet dhe qëndrimet e njerëzve, e cila ka ndryshuar qëndrimet ndaj grupeve të caktuara të njerëzve dhe ka krijuar opinione të sapoformuara për çështje të ndryshme.

Teksa është i pamohueshëm fakti që pasqyrimi i vlerave shoqërore përmes filmit duke u bazuar në histori ka shfaqur mënyrat e veshjes, modelet e flokëve, traditat, ushqimet tradicionale, në një paraqitje të shkurtër se si kanë qenë ato në epoka të ndryshme. Kjo na ka bërë të njihemi edhe me vende të ndryshme pa i vizituar fare.

Ajo çka mund të përmbledhim me pak fjalë është se më e lehtë është të shikosh shqetësimet, qëndrimet, të metat dhe pikat tona të forta në filma sesa t’i deshifrosh ato nga ndërveprimet tona të përditshme.

Jetojmë në një kuti, ku mes hapësirës dhe kohës, filmi është dritarja e cila na mundëson shikimin përtej mureve.

Gjatë ditëve në vazhdim, ne do t’iu njoftojmë me disa nga filmat tonë të preferuar që promovojnë vlera dhe të cilët shfaqin gjendje të ndryshme emocionale dhe personalitete njerëzish.