Live Stories from Prishtina

LIVE

9 Prill, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mirëmëngjesi i dashur lexues, t’ju tregoj një histori të dëgjuar, për këtë mëngjes: -Po plakesh. Nuk je më ai që ke qenë, po bëhesh më i hidhur dhe më i vetmuar – i thanë. – Jo. Nuk po plakem, po bëhem më i mençur. Kam pushuar së qeni ai që u pëlqen të tjerëve dhe po bëhem personi që më pëlqen të jem; nuk dua më që të më pranojnë të tjerët, por dua të pranoj veten time. I kam shmangur pasqyrat gënjeshtare që mashtrojnë pa mëshirë. (V.H)

Koha është “asgjë”, nëse nuk merr mësimin e duhur nga ajo.

Çfarë ndodhi dje në Kosovë?

Para se të kalojmë te ato që e karakterizuan ditën e djeshme, t’ju uroj festën. Si shtet i pavarur që nga viti 2008, sot Kosova feston Ditën e Kushtetutës, e cila hyri në fuqi po atë vit, kur u shpall pavarësia. Si akti më i lartë juridik, ky dokument garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të shtetit.

Pjesa më e madhe e Kushtetutës rrjedh nga Plani i Ahtisaarit dhe u ofron të drejta specifike grupeve minoritare.

***

Shteti ka vendosur që me gati një milion euro të pajisë institucionet qendrore dhe lokale të kulturës e të arsimit me instrumente muzikore të reja. Fiks 943 mijë e 627 euro është vlera e përgjithshme e kontratës midis Ministrisë së Kulturës dhe një kompanie private – e vetmja që ka aplikuar – për furnizimin me instrumente. Filharmonia e Kosovës, për herë të parë, do të pajiset me instrumente të blera nga shteti. Që nga themelimi, tash e çerekshekull, ajo ka funksionuar me instrumente të marra si donacione. (raporton koha)

Furnizimi, që ka nisur për nevojat e Filharmonisë, u ka sjellë përfitime edhe institucioneve të tjera lokale e qendrore të kulturës dhe arsimit.

Sipas kontratës së titulluar “Blerja e instrumenteve muzikore”, shteti do të blejë piano për institucionet qendrore të kulturës, teatrot e qyteteve, shtëpitë e kulturës, universitetet dhe institucionet shkollore.

***

Drama politike vazhdon

Në mesin e dramës se “me kë do të qeverisë VV-ja”, ku tashmë zyrtarisht është bërë e ditur se nuk i kanë numrat (gjegjësisht Glauk Konjufca dhe Mimoza Kusari-Lila e pohuan, ndërsa Albulena Haxhiu stoikisht qëndron me mendimin se “ose qeveri me ne, ose në zgjedhje”), dhe refuzimit të LDK-së  i cilësuar si dinjitoz ka kaluar edhe dita e martë me diskutime se “sa kanë bërë mirë” që kanë thënë “jo”.

***

Ndërkohë, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën, ka ftuar anëtarët e këtij Këshilli që ta vizitojnë Kosovën, të shohin situatën në terren dhe të bisedojnë me serbët në katër komunat veriore.

“Ju tregojnë se si tash, më në fund, po ndihen të lirë nga presioni i bandave dhe krimit të kërcënuar. Nga kërcënimet e z. Gjuriq dhe të tjerëve. Asgjë s’mund të zëvendësojë përshtypjen personale. Flisni haptazi. Unë ju them se do të ndryshonit menjëherë mendim,” – tha Gërvalla-Schwarz.

Ajo natyrisht foli edhe për ngjarjet në Banjskë:

“Ta quash këtë ‘incident sigurie’, siç bën UNMIK-u në raportin e vet, është shtrembërim i fakteve. Ky ishte akt lufte, akt terrorizmi. Organizatori i sulmit të Banjskës, Radoiçiq, njihet për lidhjet me ministrin e Jashtëm të Serbisë që sot është këtu, Gjuriq, dhe presidentin Vuçiq.”

***

Njerëzit nuk tjetërsohen kur plaken. Në shpirtin e tyre ka ende freski, në duart e tyre  butësi, dhe në zemrat e tyre – pafajësia e njeriut që çdo ditë zbulon veten. Në fytyrë kanë ende buzëqeshjen që ta jep vëzhgimi i thjeshtësisë së natyrës, gjelbërimi i pyllit dhe dëgjimi i cicërimave të zogjve.