Live Stories from Prishtina

LIVE

16 Korrik, 2026

Filmi më i ri i Christopher Nolan, “The Odyssey”, përveç që e sjell interpretimin e ri të eposit të Homerit do ta shfaqë në copa edhe lidhjen e veçantë me Shqipërinë.

Në kolonën zanore të produksionit janë përfshirë tinguj autentikë të iso-polifonisë shqiptare dhe të fyellit tradicional të barinjve, të regjistruar posaçërisht në jug të vendit.

Ky detaj u zbulua nga kompozitori suedez Ludwig Göransson, fitues i disa çmimeve Oscar dhe bashkëpunëtor i hershëm i Nolanit në filmat “Tenet” dhe “Oppenheimer”.

Në një intervistë të botuar nga New York Magazine dhe Vulture, Göransson tregoi se gjatë kërkimeve për tingullin e filmit udhëtoi në Shqipëri për të regjistruar elemente muzikore që do t’i jepnin autenticitet botës së lashtë të “Odiseas”.

Sipas tij, iso-polifonia shqiptare ishte një zbulim unik.

“Është një traditë që nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë të përdorej në një film”, shprehet kompozitori, duke shtuar se regjistroi edhe tingujt e fyellit, instrument që barinjtë shqiptarë e kanë përdorur ndër shekuj.

Göransson zbuloi gjithashtu një moment interesant nga procesi i regjistrimit.

“Duhej t’i përfundonim incizimet deri në orën gjashtë të mbrëmjes, sepse barinjtë zgjoheshin në katër të mëngjesit për t’u kujdesur për kopenë”, citohet të ketë thënë Göransson.

Për Christopher Nolan, muzika e filmit nuk duhej të tingëllonte si një kolonë zanore klasike hollywoodiane. Regjisori kërkonte një identitet krejt tjetër një tingull që të dukej sikur vinte nga vetë Epoka e Bronzit.

Për këtë arsye, në vend të një orkestre tradicionale, Göransson ndërtoi kolonën zanore duke përdorur instrumente të lashta, tinguj natyrorë dhe regjistrime autentike nga vende të ndryshme.

Sipas këtij shkrimi, para se të përmendet Shqipëria shkruhet se Göransson gjeti gjithashtu një muzikant që interpretonte aulos, “një instrument frymor me dy kallama, i ngjashëm me oboan, shumë i përhapur në botën antike për shekuj me radhë, por që më vonë u zhduk”.

“Në fund të fundit, pjesa më e madhe e muzikës për filmin ‘The Odyssey’ lind natyrshëm nga tingujt e vetë botës ku zhvillohet historia. Era, uji, metali, instrumentet e lashta dhe zërat njerëzorë bashkohen gradualisht, derisa shndërrohen në muzikë”, shkruhet në artikull.

Rezultati, sipas krijuesve, është një kolonë zanore që nuk funksionon vetëm si sfond muzikor, por si pjesë organike e botës së filmit, ku muzika dhe tingujt e ambientit shkrihen në një përvojë të vetme.

“The Odyssey” konsiderohet një nga produksionet më ambicioze të Christopher Nolanit. Me një buxhet prej rreth 250 milionë dollarësh dhe një kast të udhëhequr nga Matt Damon në rolin e Odiseut, filmi pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike të vitit.

Për publikun shqiptar, përfshirja e iso-polifonisë dhe tingujve të fyellit në një produksion të këtij niveli është një dëshmi se trashëgimia muzikore e vendit vazhdon të tërheqë vëmendjen e artistëve më të njohur në botë, duke u bërë pjesë e një prej filmave më të shumëpritur të Hollywood-it.