Arkiva
22 Mars, 2024
Antico Caffé Della Pace, Romë
Gjetja e kafenesë më të mirë në Romë është një biznes serioz. Gjënë e parë që italianët e bëjnë në mëngjes është të shkojnë në kafene dhe rrjedhimisht t’i vizitojnë dy ose tri prej tyre përgjatë ditës. Në Romë, si në pjesën më të madhe të Italisë, pija e zgjedhur zakonisht është un caffè (një espresso), ose nëse është koha e drekës, një cappuccino. Në mes të vizitave në Koloseum ose Panteon, sigurohuni që çdo udhëtim në kryeqytetin italian të jetë i planifikuar siç duhet për kafene. Mes thjeshtësisë dhe elegancës, njësoj i bukur qëndron edhe kafe Antico Caffé Della Pace. Mes rrugëve me kalldrëm dhe tavolinave të vendosura pikërisht aty, është “muri i gjallë i blertë” i varur kudo në muret e lokalit që i jep hijeshinë e duhur këtij vendi, teksa nga brenda Antico Caffé e ka ruajtur antikitetin me disa karrige druri dhe shankun gjigand, me lloje të ndryshme të alkoolit. Kjo kafene ia vlen të vizitohet vetëm për të ndjerë kaosin e rrugicave italiane.
Soma Book Station, Prishtinë
Soma Book Station konsiderohet si një nga hapësirat më të bukura në Prishtinë, si nga ana estetike ashtu edhe nga mënyra se si shijojnë këto ushqime, teksa ofron edhe shumë funksione të tjera si librarinë, ekspozitat, vinyls dhe diskutime të ndryshme kohë pas kohe. Nëse nuk hyn brenda Somas, atë nuk mund ta identifikosh se si duket vetëm nga hyrja, pasi hapësira e gjelbër përreth pemëve, e lë vendin të duket më misterioz. Brenda saj ju pret një hapësirë e gjerë në tarracë me tavolina të thjeshta por veçantinë ja shton qetësia që ruan brenda vetes ky ambient dhe muzika e saj. Me të hyrë brenda lokalit, objekti ngjason me kafenetë franceze teksa ndahet në disa kënde, një pjesë ku janë të vendosura raftet me libra dhe vinyls, pjesa e karrigeve të vendosura tek ishulli në mes të objektit, pjesa e ulëseve në formë të divanit, e cila është e përdorshme kur ka më shumë persona dhe kur drekohet apo darkohet, pjesa e tavolinave të gjata dhe pjesa e tavolinave pranë dritareve. E ndërtuar nga tullat, ajo ruan temperaturat e freskëta gjatë verës kurse është më e ngrohtë gjatë dimrit. Ndriçimi brenda përdorë dritën klasike për t’u përshtatur me ambientin e lokalit. Teksa struktura e saj nga jashtë si një shtëpi gjigande multifunksionale karakterizohet me disa kulme, të cilat nga brenda mbajnë ventilimin nga tubat e ajrimit të cilat i japin një pamje më interesante vendit. Në Soma është e vështirë për të marrë një tavolinë të premteve dhe të shtunave, prandaj sigurohuni që të rezervoni tavolinën tuaj paraprakisht.
New York Café, Budapest
Thuhet se është kafeneja më e bukur në botë dhe është e vështirë të mos pajtohesh pasi të hysh në këtë pallat përrallor. Brendësia e saj me tavan të lartë e rrethuar me detaje nga ari, të zbukuruara me afreske dhe llaç, krijojnë atmosferën ëndërrimtare të një epoke të shkuar, duke na kujtuar se kjo kafene dikur ka qenë e preferuara mes elitave letrare dhe artistëve të Budapestit.
New York Cafe Budapest të dhuron ndjesinë si të udhëtosh pas në kohë, kur gratë mbanin çdo ditë fustane të qëndisura me dantella dhe kapela kur mblidheshin për çaj dhe ëmbëlsira në dhomat e shkëlqyera të çajit si kjo. E titulluar me emrin e një prej qyteteve më glamuroze në botë, ajo është një pjesë e mahnitshme e historisë, që daton që nga viti 1894, me stilin eklektik të Rilindjes italiane me afreske të jashtëzakonshme që zbukurojnë tavanet, shtylla të veshura me ari në kolona, llamba veneciane dhe ngjyra të mrekullueshme që të lënë pa fjalë.
Municipal House Café, Pragë
E vendosur në objektin shtetëror të komunës, Municipal House Café është po aq e bukur si nga jashtë edhe brenda. Brendësia e Art Nouveau identifikohet me tavane të larta, dritare të mëdha, pasqyra, llambadarë të mrekullueshëm kristali dhe më shumë. Kafeneja përmban një përzgjedhje të madhe të kafeve, çajrave, pijeve, sallatave, ushqimeve të lehta, sanduiçëve dhe ëmbëlsirave, duke përfshirë ëmbëlsira të bëra vetë që do t’ju lënë për të dëshiruar edhe një vizitë tjetër. Ky vend rikthen magjepsjen e së kaluarës dhe u shërben atyre që kërkojnë një eksperiencë më tradicionale. Kafeneja Municipal House është një vend ideal për një mëngjes të lehtë (kafe dhe një kroasant), apo edhe një mëngjes të mbushur (si ai anglez), përpara se të filloni të vizitoni bukuritë në qytetin e përsosur me kartolina të Pragës. Kjo hapësirë është ideale për ushqim të shijshëm dhe arkitekturë mahnitëse.
Café Central, Vjenë
Kjo hapësirë identifikohet si vendi ku hynë personalitete, si psikanalisti Frojdi, disa shkrimtarë dhe poetë përfshirë Polgarin, Cvajgun dhe Altenberg dhe arkitektin Loos. E vendosur në qendrën e Austrisë, Café Central me stilin e saj unik mesdhetar, nuk ka shumë dallim nga dy kafenetë e përmendura më lart. Ajo çka e thyen natyrën mbretërore në këtë vend janë dekoret e shumta nga lulet gjigande, mirëpo ajo mbetet unikja e Vjenës – me shumë klas dhe më e vjetra. Me ndriçimin e tepërt në tavanet e larta, poshtë kupolave të objektit të saj gjenden ëmbëlsirat që e identifikojnë atë.
Këto kafene janë më të preferuarat e turistëve ndër vite. Ne ju ofruam disa nga detajet që i karakterizojnë këto kafene dhe se çka duhet me të vërtetë të vizitoni. Shijojeni!