Live Stories from Prishtina

LIVE

17 Maj, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mos prit të të bjerë motivimi nga qielli. Ndonjëherë ushqimin për ditën e sotme duhet ta konsumosh edhe nëse nuk e do. Lëvize pak veten, dhe motivimi do të vijë rrugës. Si çdo mendim i mirë: vjen kur fillon të bësh diçka.

Çka ndodhi dje n’Kosovë?

Kosova ndodhet në një krizë të thellë institucionale, ku bllokada politike ka paralizuar funksionimin normal të shtetit.

Sot do zhvillohet përpjekja e 17-të për konstituimin e Kuvendit të ri, një seancë që është shndërruar në simbol të inatit politik dhe mungesës së kompromisit ndërmjet partive.

Ndërkohë, vendi qeveriset nga një qeveri në dorëheqje dhe të kontestuar, ndërsa presidentja tashmë ka hyrë në vitin e fundit të mandatit të saj. Nëse kjo situatë vazhdon, ekziston një rrezik real që në mars të vitit 2026 Kosova të mbetet pa president dhe madje edhe pa ushtrues detyre të presidentit, për shkak të pamundësisë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, një hap kyç për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Ngërçi aktual nuk është thjeshtë juridik, por mbi të gjitha politik. Palët kanë qëndrime të ngurta dhe nuk lëvizin nga pozicionet e tyre, secila e bindur se Kushtetuta është në anën e vet.

Përveç bllokadës në nivel qendror, vendi përballet edhe me paqartësi në nivel lokal. Kuvendet komunale po i përmbyllin mandatet e tyre, por ende nuk është shpallur data e zgjedhjeve.

Sipas ligjit, presidentja duhet të shpallë datën e zgjedhjeve lokale midis 20 marsit dhe 19 korrikut, ndërsa zgjedhjet duhet të mbahen nga 19 shtatori deri më 20 dhjetor, sepse sipas ligjit duhet të ndodhë më së herët 6 muaj, e më së voni 4 muaj para skadimit të mandateve.

Po çka nëse ndonjëra parti vendosë të kërkojë shpërbërjen e të gjitha kuvendeve komunale rreth mesit të qershorit, atëherë zgjedhjet e parakohshme do të mund të mbaheshin në fund të korrikut apo në gusht, periudhë ideale për pjesëmarrjen e diasporës.

Në këtë situatë të pasigurt, Kosova rrezikon të hyjë në një fazë të re paqartësie institucionale, ku asnjë prej shtyllave të shtetit Kuvendi, Qeveria, Presidenca nuk funksionon si duhet.

***

Festivali “Sunny Hill” ka publikuar të premten edhe emrat e yjeve të tjerë që do të performojnë në edicionin e këtij viti.

Pak ditë pasi u bë e ditur se Dua Lipa do të jetë një nga yjet kryesore, të premten janë konfirmuar edhe emrat: Shawn Mendes, Anyma, Mochakk, Fatboy Slim e të tjerë.

Lipa do të performojë në natën e parë, më 1 gusht. Pas saj do të performojë fituesi i 6 MTV VMA, Fatboy Slim, i njohur për muzikën elektronike.

Më 2 gusht do të performojë ylli botëror Shawn Mendez.

Natën e fundit, skena kryesore i takon performancës audiovizuale nga Anyma projekti solo i Matteo Milleri. Ndërsa në C4, festivali përmbyllet me Peggy Gou.

***

Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll disa objekte, të cilat shfrytëzoheshin në kuadër të sistemit të Serbisë. Janë marrë nën kontroll një ndërtesë që përdoren nga Shërbimi Nacional për Punësim, ambientet e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, palestrës sportive, muzeut të qytetit dhe disa institucioneve të tjera.

Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri, me mbylljen e objekteve të cilat shfrytëzoheshin për shërbime nga sistemi i Serbisë, janë rrezik për përshkallëzim të situatës.

***
Mos u zgjo vetëm për të përsëritur të njëjtën ditë me emër tjetër. Dil nga shtrati sikur ke një takim me fatin edhe nëse është vetëm furra e bukës ku do të shkosh. Jeta s’mund të ndryshoj pa ty, sepse ti je regjisori i saj, jo vetëm aktori.