Dje n’Kosovë
29 Shtator, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Kur je i/e vogël e ëndrron të rritesh, ende nuk e di që të jesh i/e madh/e është të kuptosh se lumturia është tek zgjedhje që bëjmë çdo ditë.
Jeta është plot me sfida, pengesa, zhgënjime dhe situata të paparashikuara që mund të na japin arsye të pafundme për të mos qenë të qetë ose të lumtur. Nëse presim rrethana ideale për të filluar të ndihemi mirë me veten apo jetën, do të mbetemi gjithmonë në pritje – sepse perfeksioni nuk ekziston. Të jesh i/e pjekur do të thotë të kuptosh se lumturia varet nga perspektiva dhe nga mënyra si zgjedh të reagosh ndaj situatave.
Kosova në një vështrim të vikendit.
Të shtunën e lexova një artikull të Nadije Ahmetit, gazetares së Radio Evropa e Lirë, me titullin “Pse po rriten kamatat për kredi në Kosovë?”. Prej normës së interesit që ka qenë 6% për individ tash është 7-8% e për biznes mbi 10%.
Prej arsyjeve pse kjo ngritje ka ndodh janë:
Prej rezervave që banka duhet të mbaj, BQK-ja e ka rrit përqindjen nga 8-10% në 12-14% që i bjen për një kredi prej 100 milionë eurosh, banka kërkon të mbajë 10 milionë euro rezervë, dy milionë më shumë se më parë.
Inflacioni? Çmimet shkojnë lart, qytetarët shpenzojnë më shumë, dhe bankat s’janë të sigurt nëse klienti do ta paguajë. Siguria para së gjithash!
Dhe kulmi i komedisë: Kosova pa Kuvend, me Qeveri në detyrë. Donacione dhe kredi ndërkombëtare ngecin në pritje. Rezultati? S’ka para… s’ka kredi… s’ka problem për bankat, sepse kamatat lart!
Në Kosovë operojnë 11 banka komerciale dhe 9 institucione mikrofinanciare, të cilat japin kredi me norma më të larta (rreth 20%).
Ekspertët thonë se nëse licensohen banka të reja, konkurrenca do t’i detyrojë bankat ekzistuese të ulin kamatat.
S’po di a na duhen lajme tjera për me përshkru situaten momentale.
E na në vijë paralele i kemi edhe zgjedhjet lokale.
***
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dje (e diele 28 shtator) tha në SHBA se pezullimi i Dialogut Strategjik lidhet me mbylljen e strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës dhe se nuk do të bëjë kompromis me sundimin e ligjit.
Fjalia epike ke kjo: “Unë nuk jam kryeministër që i them Policisë së Kosovës të mos arrestojë një kriminel serb vetëm pse Brukseli ose Uashingtoni mund ta kritikojnë”.
Sa fjali të bukura ka, mjeshtër është e dinë saktë çysh me rrok në zemra të njerëzve.
Ai theksoi se dallimet me SHBA-në janë në taktika dhe veprime, jo në vlera e interesa. Ambasada amerikane kishte arsyetuar pezullimin e dialogut me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërinë në vend.
***
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit me ceremoni nga komuniteti shqiptar në “Shtëpinë e Shqiptarit” në Philadelphia. Ajo falënderoi mërgatën për përkushtimin e tyre, duke theksuar se kjo shkollë shqipe është dëshmi e dashurisë për atdheun dhe një mënyrë për të ruajtur gjuhën dhe identitetin kombëtar.
Zoti e diftë, çysh jonë gëzu shqipet tona kur e kanë pa… sa shumë të bohet zemra mal kur e sheh dikënd “tanin” në vendin ku jeton.
***
Të ndryshosh këndvështrimin i dashur lexues, nuk është diçka që bëhet njëherë e përgjithmonë; është një proces i vazhdueshëm. Kërkon konsistencë, durim në situatat e pakëndëshme që në vete thua “kurrë s’u kryjten”. Pengesat nuk duhet të bëhen qendra e realitetit tonë, por të shohim edhe mundësitë, mësimet dhe bukuritë që ekzistojnë paralelisht.