Live Stories from Prishtina

LIVE

5 Janar, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mirëmëngjesi bre lexues, ty që ndër të rrallët ke durim dhe kënaqësi të lexosh deri në fund. Fakti që je këtu shpesh, i bie që e gjen veten. Ja me çka kam dëshirë të ta nis të dielën: nëse nisesh me mendimin që lumturinë ta sjell dikush ose e gjen gjithsesi tek dikush, je gabim! Lumturinë e krijon vetë, duke zbuluar cilat janë situatat që të kanë bërë të ndihesh mirë, njerëzit që të kanë bërë të ndihesh mirë, etj.

Çka ndodhi dje në Kosovë?

Pak ngjarje lexues, ende fillimi i vitit, nuk kemi shumë zhvillime. Ndoshta më vonë lajmet do të na mbytin, sa të fillojë fushata, e kemi për t’i kërkuar pastaj këto ditët më të qeta (si çdo gjë në jetë që e kërkon pasi ta humbasësh).

Të shtunën e karakterizoi lajmi që Kosova do t’ia kthejë paratë e Hotel Grandit, Behgjet Pacollit! Një ngjarje më e vjetër se pavarësia e Kosovës.

Ky lajm erdhi sepse Pacolli fitoi rastin në arbitrazhin ndërkombëtar të organizuar nga Dhoma e Posaçme e Bankës Botërore, për hotelin “Grand” ndaj shtetit të Kosovës.

I titulluar nga prestigjozja NYT si një ndër hotelet më të këqinj në botë, rëndësia e Grandit për jetën publike në Kosovë është e madhe!

Ja si erdhi deri te kthimi i parave për ata që nuk e dinë ngjarjen:

Lufta për të rifilloi në vitin 2006, kur hoteli u nxor në shitje. Në një mënyrë të koklavitur, Grandi u ble nga një kompani që pagoi vetëm 8 milionë euro, por premtoi, si pjesë e marrëveshjes, të investonte edhe 20 milionë euro të tjera.
Investimi i premtuar nuk u realizua kurrë. Ndërsa më 2012, Agjensia Kosovare e Privatizimit e anuloi shitjen dhe i mbajti paratë që kishte marrë. Planet për gjetjen e një blerësi tjetër më pas u katandisën në një betejë të gjatë ligjore, pasi Behgjet Pacolli njoftoi se kompania që ai drejton e paditi qeverinë për shitjen fillestare.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të shtunën në Facebook, pak pasi Pacolli njoftoi se kishte fituar rastin në arbitrazh, akuzoi “hajnitë 20-vjeçare nëpër institucionet shtetërore” për këtë çështje, duke thënë se nuk kishte prova që pronësia e Grandit i takonte dikujt, por prapëseprapë paratë duhet të kthehen.

Ani pse po kuptohet që në rastin e ngritur Pacolli ka kërkuar fondet e shpenzuara dhe jo objektin, çka mbetet e paqartë është: si është e mundur që AKP, një institucion shtetëror, të pranojë para nga një kompani, në këtë rast nga ajo e Pacollit, pa ndonjë procedurë ligjore? Ende dilemë, apo jo?

***
Regjistrimi i popullsisë ka ndodhur para disa muajsh dhe në më pak se një muaj kanë dalë shifrat e popullsisë dhe deklarimet tjera.

S’ka dert që kemi dalë 1.6 milionë banorë, prapëseprapë në këto zgjedhje kanë të drejtë vote mbi 2 milionë persona.

Qysh bre ende të papastruara listat? Pra, duke kërkuar emrin në listë, dikush mund të takojë edhe një që ka vdekur. E qysh bindemi që këta emra nuk shfrytëzohen? Prej zgjedhjeve paraprake, në votim dalin rreth 800 mijë persona, pra gjysma e popullsisë. Hajde që disa nuk dalin, po qysh mund të jemi të garantuar që nuk shfrytëzohen emrat nga listat e papastruara disa vjeçare?
Çka është ky proces që kurrqysh s’po kryhet? A po nevojiten ekspertë e nuk po kemi? A çka është puna?

A e din momentin kur i sheh njerëzit që janë rritur, në kuptimin që kanë pësuar ndryshim? Kur herën e parë që janë përshëndetur, vetëm ta kanë shtrënguar dorën, e tash të përqafojnë e qajnë? Ky është vetëm një ndër pak momentet që ndodh kur bashkatdhetarët përshëndeten. Dikush që ka dalë si 16-vjeçar, e që përshëndetjen e ka pasur shumë të vështirë sepse i është dukur si lamtumirë…