Live Stories from Prishtina

LIVE

February 20, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Udhëtimet për në destinacione më të largëta me çfarëdo mjeti të transportit dinë të jenë të mundimshme, andaj për të reduktuar lodhjen, për të shijuar pamjen dhe momentin nevojitet muzikë e mirë shoqëruese.

Varësisht se me kë po udhëtoni dhe cilat mund të jenë preferencat e tyre muzikore, ju duhet të jeni unik në përzgjedhjen e muzikës, nëse doni që të argëtoni të gjithë.

Kur mundoheni të siguroni muzikë për të gjithë, muzika e vjetër është zgjedhja më e mirë, pasi na kujton gjithmonë diçka. Për shembull, një periudhë kur të gjithë e dëgjonin vetëm një këngë sepse ishte hiti më i madh ose thjesht të pranoni se jeni në një fazë të jetës tuaj kur ajo muzikë po ju ndikon dhe po përputhet me disponimin tuaj.

Vitet e’90ta ishin dekada më e njohur për muzikën. Pse?

E bukura e muzikës së viteve të ’90ta ishte diversiteti i saj dhe mënyra se si artistët morën stilet e dekadave të mëparshme – i rafinuan ato, më pas shtuan një dimension dhe qëndrim zanor që përputhej me optimizmin.

Sipas një ankete të realizuar në vitin 2022 nga Luminate Music në bashkëpunim me Axios, rezultoi se muzika e viteve 1990 është më e njohur se muzika e çdo dekade tjetër tani – madje edhe se meloditë aktuale. Diçka interesante që nxori në pah ky hulumtim ishte se gjenerata e lindur në vitet ’90 dhe 2000 po dëgjojnë muzikë nga dekada kur kanë lindur me ritme më të larta sesa brezat e tjerë që dëgjojnë muzikë nga dekadat e tyre të lindjes, pasi janë të ndikuar nga Tik Tok.

Thuhet se pasi të filloni të dëgjoni muzikë të vjetër është e vështirë të dëgjoni diçka tjetër, andaj sot do të ndajmë me ju pesë këngë që pavarësisht se kanë mbushur 25 vjet nga publikimi, dëgjohen njësoj dhe cilësohen ende si më të mirat, dhe me një përjashtim të këngës së Sade, e cila i ka 30 vjet që nga publikimi.

Fugees – Killing Me Softly With His Song

Grupi amerikan hip hop Fugees publikoi versionin e tyre të këngës “Killing Me Softly” në vitin 1996, origjinalin e të cilës e këndoi fillimisht në vitin 1973 Lori Liberman’s. Kënga ishte version i ri në albumin e tyre të dytë The Score, me Lauryn Hill duke kënduar vokalin kryesor. Versioni i Fugees u bë një hit ndërkombëtar, duke arritur numrin një në top 40 të SHBA-së dhe numrin dy në tabelat ndërkombëtare. Momentalisht kjo këngë në YouTube ka 357 milionë shikime.

No Doubt – Don’t Speak

Kjo këngë flet për marrëdhënien e këngëtares Gwen Stefani me basistin Tony Kanal e cila zgjati shtatë vjet. Ajo përmes tekstit tregon se çfarë ata kishin ishte e vërtetë dhe ndihet keq që diçka kaq e bukur ka përfunduar. “Don’t Speak” u shkrua nga këngëtarja kryesore Gwen Stefani dhe vëllai i saj Eric Stefani, teksa u prodhuar nga Matthew Wilder. Kënga posedon 970 milionë klikime në YouTube.

Céline Dion – It’s All Coming Back to Me Now

“It’s All Coming to Me Now” është një baladë fuqie e shkruar nga Jim Steinman. Sipas Steinman, kënga u frymëzua nga Wuthering Heights dhe ishte një përpjekje për të shkruar “këngën më pasionante dhe romantike” që ai mund të krijonte ndonjëherë. Melodia e këngës është shumë e njohur për veshin kjo pasi ajo është përdorur në shumë filma romantikë. Kënga posedon 126 milionë klikime në YouTube.

Mariah Carey – Always Be My Baby

Kjo këngë ka qenë hit në kohën e saj dhe po rikthehet edhe tani. Një trend në rrjetin social Tik Tok, e ka rikthyer këngën në qendër të vëmendjes duke krijuar “positive vibes”. Kënga u lëshua nga Columbia Records më 9 mars 1996, si single i tretë amerikan dhe i katërti në përgjithësi. Në të punuan tre tekstshkrues nga Carey, Jermaine Dupri dhe Manuel Seal. Kënga posedon 308 milionë klikime në YouTube. Mariah mund të identifikohet nga publiku me hitin e saj botëror “All I want for Christmas”, mirëpo ajo qëndroi për kohë të gjatë në top lista me “Always Be My Baby” duke kaluar edhe hitin e Celine Dion “Because You Loved Me”.

Lauryn Hill – Doo-Wop (That Thing)

Kjo është njëra ndër këngët e cila u shfrytëzua më së shumti si “sample” në këngët tjera, ndër to edhe Nick Grant në “Forever and Always”. Kënga u shkrua nga këngëtarja Lauryn Noelle Hill – kompozitore, repere, producente dhe aktore amerikane. Ajo shpesh konsiderohet si një nga reperet më të mëdha të të gjitha kohërave, si dhe një nga muzikantet më me ndikim të brezit të saj.

Sade – Cherish the Day

Sade, me emrin origjinal Helen Folasade Adu, është këngëtare britanike me origjinë nigeriane, e njohur për përzierjen e saj të zhanreve funk, xhaz dhe ritmeve afro-kubane. Ajo gëzoi vlerësim dhe popullaritet të gjerë nga kritikët që në vitet 1980 dhe fillimin e viteve ’90. Një ndër këngët e saj të pavdekshme është “Cherish the Day”, kënga u filmua bardhë e zi dhe paraqet Sade duke performuar këngën ndërsa luan me kitarë në çatinë e një rrokaqielli të qytetit të New York. Kënga posedon mbi 40 milionë klikime në YouTube.