Stil
21 Tetor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Personalisht, i vlerësoj shumë njerëzit që dinë të vishen mirë. Kjo nuk ka të bëjë me rroba të markave të famshme, as me rroba gjithmonë të reja.
Një person që di të vishet, xhupin e njejtë mund ta veshë në forma të ndryshme dhe çdo herë të duket sikur ka veshur diçka të re. E gjitha është te shija!
Sot do t’ju prezantoj atletet dhe këpucët më në modë gjatë vjeshtës dhe kombinimet që mund të bëni së bashku, të ilustruara me foto.

Slimeline Sneakers, apo atletet e rrafshta, të holla, janë trendi që ka filluar tash e disa vite. Ato padyshim janë edhe nënvijëzimi kryesor edhe këtë vit. Mund t’i gjeni disa brende që përfaqësojnë këto atlete si Adidas Slim-LS apo të ngjashmet si kjo markë Samba, Spezial e Gazel dhe brendeve të tjera si Alohas, Puma apo Dries Van Noten. Në zbritjet sezonale mund t’i gjeni edhe me çmime të volitshme. E veçanta rreth tyre është se vishen me gjithçka. Me xhinse të gjera, me pantollona të ngjyrave të ndryshme si hiri, kafe dhe të zeza. Aksesorët që u japin jetë dukjes tuaj përfshijnë shallin me ndonjë ngjyrë kontrast, stili i flokëve: të mbledhura, gërsheta, valë valë, të thyera etj.

Office Style Shoes, përfshijnë çdo këpucë me maje që duken klas dhe moderne. Këtu mund të përfshihen këpucët virale me ngjyrë vishnje të errët ku të ngjashme gjeni në markën Mango apo edhe me porosi online në webfaqe të ndryshme. Nuk është nevoja të rikrijoni veshje që duhet të kenë natyrën e punës si në përshkrimin e stilit. Mjafton një bluzë apo maicë bazike njëngjyrëshe, xhaketë, set veshjesh dhe kryesisht xhinse të gjera ose mommy (me gji të gjatë, duke u ngushtuar tek këmbët), padyshim që një pallto e gjatë do të perfeksiononte pamjen. Ja një kombinim më në detaje:
-këtë vit, pantollonat e bardhë dhe ngjyrë krem, kanë marrë një tjetër fokus. Një pamje, me pantollona të bardhë, jakne të lëkurës, bluzë hiri bazike, këpucë ngjyrë vishnje, flokë të lëshura në shpatulla dhe syze do të kompletonin qëllimin tuaj për Office Style.

Square Toe, përfshijnë çizmet me take, të cilat kanë formë katrore edhe në takë edhe në pjesën para (si ne foton lartë). Ngjyrat perfekte për këto çizme përfshijnë të zezën dhe kafe të errët.
Veshja me to në vjeshtë dhe fillim-dimër, mund të kombinohet me xhinse “shizerka” apo pantollonat e famshme të viteve të 60-ta, mantel të lëkures (kryesisht pra pallto të gjata), dhe aksesori perfekt për ta kompletuar pamjen është bereta apo edhe flokë të mbledhura poshtë.

Riding Boots, mund t’i njihni më mirë me termin çizme të kalërimit. Do të ju sugjeroja (nëse nuk i posedoni) t’i blini në ngjyrë si çaji dhe të kaftë të errët. Rripin do ta konsideroja si aksesorin e duhur për ta përmbushur pamjen tuaj. Ato mund t’i kombinoni me pantollona të gjerë duke i futur brenda çizmeve, shorce dimërore, minifunda por pse jo edhe funda të gjatë.

Loafers – në Shqipëri i quajnë këpucë mokase. Janë simpatiket e vjeshtës. Një trend i fundit sugjeron t’i vishni edhe me çorape të gjata, përveç atyre të padukshme. Ngjyrën vishnje futeni në përdorim për çdo kombinim veshjesh; ajo mban primatin këtë vjeshtë.