Dje n’Kosovë
26 Prill, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Mirëmengjesi lexues, më lejo të të përkujtoj diçka në fillim të kësaj fundjave: ajo që është e jotja, nuk ka nevojë ta ndjekësh me ngulm, sepse vetë do të të gjejë. Me kohën e vet, në mënyrën e vet, ndoshta kur më së paku e pret. Sepse gjërat që janë të ndërtuara për ty, nuk humbasin rrugës. Ato thjesht ecin drejt teje, qetësisht, me një siguri që s’të kërkon shpjegime.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Pas dështimit edhe të vazhdimit të gjashtë të seancës konstituive të Kuvendit, përfaqësues të partive parlamentare shkëmbyen akuza ndaj njëri-tjetrit për bllokadë. Teksa në Vetëvendosje thanë se nuk do të heqin dorë nga propozimi i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare edhe në seancën e së dielën, në opozitën e legjislaturës së kaluar këtë e kualifikuan si imponim. E LVV-ja e quajti kushtëzim insistimin e taborit tjetër politik për ndërrimin e emrit të kandidatit.
A ka mundësi me shku te propozimi i dytë e i tretë deri sa të arrihet te një konsensus per nje kryetar/e parlamenti qe i merr edhe votat e disa deputetëve të opozites? Pse po e komplikoni? Pse mu blloku për një send që s’osht “jetë a vdekje” as për Kosovën as për naj parti sepse nuk është ky post qaq i pabëshëm prej disa njerëzve të ndryshëm.
Pse me tjerrë kështu situatën?
Çka thotë Kushtetuta jonë për zgjedhjen e kësaj katrahure, sa herë shkon ky propozim që rrëzohet?
Me Kushtetutën e Kosovës 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor është e paraparë që të konstituohet Kuvendi. Ai 30 ditësh është ditën e dielë, më 27 prill. Nëse nuk bëhet Kuvendi i bie që shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
***
Populli i Kosovës mundësinë që LVV-ja t’i krijojë institucionet e saj pa qenë e varur nga partitë tjera ja ka dhënë në vitin 2021 duke e votu 51% e popullësisë. Por këtë vit, nëse jo ti lexues, po kojshia yt, vllau, motra ose njëri prej kusherinjëve ka thanë JO.
Po du me t’i jep 42% ose 48 deputet që i bjenë “nuk mundesh ti me zgjedhë kon të duash, kryekuvendar as kryeministër por i bjen ‘a bon ju mu ul me tjerët për me i
formu institucionet e Kosovës’”. Kështu, i bie që kemi mbetë kërkah-hiç!
***
E dje Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja, janë dy partitë e vetme që kanë shprehur gatishmëri për zgjedhje të parakohshme. Numri i deputetëve që kanë, është i pamjaftueshëm për ta shpërndarë legjislaturën e nëntë. Por, bazuar në Kushtetutë, zgjedhjeve të parakohshme nuk mund t’u hapet rrugë, pa e konstituuar Kuvendin paraprakisht.
Pse a keni pa me shku prap në fushata a edhe kur partia më e madhe sipas KQZ-së i kishte harxhu mbi 1 milion për tre muaj?
Për tre muaj (janar, shkurt, mars) të vitit 2025 i paska shpenzuar plot 1 milion e 734 mijë e 872 euro.
Kështu thonë të dhënat zyrtare të KQZ-së.
E çysh?
Reklama në media s’kanë pasë, fushatën e kanë pasë modeste. Si u harxhuan afër 2 milion euro kështu?
Në krahasim me Lëvizjen Vetëvendosje:
PDK paska shpenzuar 360 mijë…
LDK paska shpenzuar 155 mijë
AAK paska shpenzuat 67 mijë.
Se sa për qytetarin jemi bo njëjtë më, “si ket si s’ket”!?
***
Dje gjatë gjithë ditës në rrjete sociale ka qarkulluar storja që ka realizuar Nacionale, për futbollistin e U15 për Fushë Kosovën, Belgin Jasharin, i cili gjatë një loje u sulmua nga prindi i një prej lojtarëve, i cili kishe dalë nga tribuna dhe e kishe shkelmuar Bleginin, vetëm për faktin se Belgini i takon komunitetit ashkali.
Dje pastaj erdhën reagimet e ndryshme në përkrahje të Belginit.
Komiteti Olimpik i Kosovës, tha:
“Sporti nuk njeh ngjyrë, prejardhje apo përkatësi etnike. Ne i qëndrojmë pranë Belginit dhe të gjithë të rinjve që guxojnë të ndjekin ëndrrat e tyre në fushat sportive, e sidomos kur ëndërrojnë të veshin fanellën e Kombëtares së Kosovës” – po… po në fjalë po e shohim edhe ne… po në praktikë, racizmi donë me na ngulfatë, racor e kulturor!!!
***
Dirigjenti Memli Kelmendi, i cili është edhe udhëheqës i Korit “Siparantum“ drejton interpretimin e rreth 500 koristëve në veprën “The Rose” të norvegjezit Ola Gjeilo, një prej figurave më të shquara të kohës.
Për të pestën herë “Siparantum” do të ngjitet në skenën e institucionit prestigjioz – Filarmonisë së Berlinit. Në festivalin “Walking in Beauty” të organizuar nga “Choral Space” në Gjermani, vjen me bashkëpunim të veçantë me kompozitorin e pianistin Gjeilo.
Ngjarja ka filluar më 23 prill dhe vazhdon deri më 28 prill. Kori nga Kosova ka bërë edhe hapjen e festivalit në mesin e 12 koreve tjera.
***
Pa pasë çka me humbë, s’ke pse lufton për asgjë.”
Sepse lufta lind vetëm kur diçka ka vlerë.
Kur dikush, dikah, diçka, të rëndon zemrën aq shumë sa s’mund ta lësh pa u përpjekur. E kur nuk ke asgjë për të humbur, bëhesh i ftohtë, i qetë, por edhe i zbrazët.
Të mbijetosh pa rrezik është thjesht një ekzistencë pa tension.