Live Stories from Prishtina

LIVE

22 Maj, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

I dashur lexues, pas një moshe të caktuar, nuk je më produkt i mjedisit apo mënyrës se si je rritur, mënyra se si jetojmë bëhet zgjedhje personale. Nëse vazhdon ta fajësosh të kaluarën tënde për mënyrën si jeton, fillon dhe bëhet vetëm justifikim.
Të bëhesh më mirë pavarësisht çdo rrethane është përgjegjësia jote. Rritja është zgjedhja jote ose e merr jetën në duar, ose bëhesh rob i arsyetimeve. E vërteta është: askush nuk vjen të të shpëtojë. Është në dorën tënde të bëhesh personi që kurrë nuk të mësuan si të ishe.

Çka ndodhi dje në Kosovë?

“54 deputetë kanë dhënë votën për, një ka qenë kundër, abstenime nuk ka. Ndërpritet seanca, takohemi më 23 maj në orën 13:00”, mund të jetë fjali prej të cilës kam marrë trauma dhe e cila e tregon rekordin më të keq ndonjëherë në histori.

Super dështimi i 19-të i konstituimit! Ideja që vjen dikush e na shpëton, ideja për pritjen e një vendimi që gjithsesi duhet ta presim të na tregoj se a është i drejtë votimi i fshehtë apo jo edhe pse seanca e parë nuk filloi me një nismë me tillë.

***

Sot pritet që në Kosovë, të vije për vizitë përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, e cila vizitën e saj e ka filluar prej Serbisë, ku edhe ka qëndruar dje.

Në Serbi ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është domosdoshmëri për të dyja vendet, për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

E Aleksandër Vuçiq i tha Kallasit se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është parakusht për përparimin e mëtejmë në dialog.

Po në Kosovë me kë do të takohet? Presidentja në vizitë zyrtare në Zvicër, kryeministër nuk kemi, me cilët krerë do të takohet? Ushtrues-detyre, pretend to be???

Është kjo vizita e saj e parë në këto vende, prej kur para gjysmë viti kishte marrë përsipër postin e shefes së diplomacisë së BE-së.

***

Mbi gjysmë milioni euro ua ka ndaluar KQZ-ja partive politike nga Fondi i mbështetjes, në emër të gjobave të papaguara që Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa ua shqiptoi për shkeljet gjatë fushatës zgjedhore. Më së shumti borxhe i figurojnë LVV-së, pasuar nga PDK-ja, AAK-ja e LDK-ja. E në Sekretariatin e KQZ-së thanë se partitë me borxhe nuk do të mund të certifikohen për zgjedhjet e ardhshme.

Bazuar në vendimin e marrë, mjetet e ndaluara do të transferohen në xhirollogarinë e PZAP-së, teksa pagesa e borxhit do të ekzekutohet me tri ndalesa gjatë tremujorit të ardhshëm.

Edhe me dashtë me u mbajtë zgjedhjet, ku i marrin paret? Cilave biznese u premtojnë diçka, që me i sponzorizu gjatë fushatës?

***

Kur edhe i huaji tenton me bo ma shumë se që bëjnë përfaqësuesit që vetë kemi zgjedhur për vendin tonë.

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, tha se do të nisë një fushatë në raport me Sllovakinë, Spanjën, Greqinë, Rumaninë dhe Qipron, raporton Klan Kosova.

Këto pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin shtetësinë e Republikës së Kosovës, andaj Terras do tentojë të ua ndërrojë qëndrimin.

***

Festivali i Letërsisë ZaNa ka filluar me 20 maj edicionin e pestë. Sivjet festivali ka një program të pasun, me temën “Udhëtimi.” Nga punëtoritë poetike dhe performancat në Mitrovicë, deri te ekspozitat dhe leximet në Shkodër me publikun, shkrimtarë e poetë për pesë ditë të mbushuna me letërsi dhe frymëzim deri më 24 maj!

***

I dashtun lexues, në çdo raport, njerëzit që shoqërohesh me ta, kalon kohë me ta, në fillim do t’i admirojnë anët tua më të mira; forcën, guximin, vullnetin dhe mënyrën se si shfaqesh me vetëbesim. Por me kalimin e kohës, do të ndodhë njëra nga këto: ata ose do të fillojnë të ndihen të frymëzuar prej teje, ose do të ndihen të frikësuar nga ti, ose do të fillojnë të ndiejnë mllef ndaj teje.