Live Stories from Prishtina

LIVE

26 Janar, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Në kërkim të të jashtëzakonshmes, janë ato momentet e thjeshta dhe të përditshme që, kur ndodhin, nuk na duken asgjë. Në fakt, ato janë vetë jeta. 💖

Çdo ditë dëgjojmë batuta për hajdutët që vjedhin dele apo për rastësinë kur dikujt i kapet edhe një “thi”. Ndërkohë, ajo që na mungon, gjithmonë mbetet jashtë vëmendjes. Çdo herë pas zgjedhjeve nisemi nga e para. Për disa, këto “fore” janë argëtim, për të tjerë tingëllojnë njësoj. Por, në fund të ditës, mungesa e premtimeve të realizuara vazhdon të bashkojë të gjithë në të njëjtin mllef dhe frustrim.

Çka e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?

Në përmbyllje të javës së dytë të fushatës elektorale, koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” vlerësoi mbarëvajtjen e procesit. Një ndër shqetësimet kryesore të identifikuara ishte vendimi i Qeverisë së Serbisë për t’iu shpërndarë nga 170 euro serbëve të Kosovës. Ky vendim është cilësuar nga DnV-ja si një përpjekje për të ndikuar në bindjet e tyre politike për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Rrjedhimisht, a po i detyron Serbia serbët e Kosovës të votojnë për Listën Serbe në mënyrë të imponuar?

Sipas raportit të DnV-së, temat kryesore të trajtuara gjatë fushatës janë ndarë ndërmjet partive: LVV-ja vazhdon të ketë veriun si temë qendrore, ndërsa partitë opozitare fokusohen kryesisht në ekonomi, infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe mirëqenie sociale.

E ç’po ndodh në këto takimet e fshehta në shkolla? Çfarë temash po diskutohen aty? Si ndodh që arsimtarët largohen, duke i lënë nxënësit vetëm?

***

Trepça: Transparencë e munguar?

Ndërmarrja “Trepça” ende nuk ka dhënë të dhëna për vitin 2024 mbi prodhimin e koncentratit të plumbit dhe zinkut apo mbi eksploatimin e xeheve në minierën e menaxhuar nga serbët në veri, në Leposaviç.

A nuk është kjo një tjetër formë e strukturave paralele, ku të dhënat mbahen të fshehta në mënyrë jo profesionale dhe jo etike?

Nga ana tjetër, në “Trepçë” pretendohet se janë bërë përparime për shtrirjen e kontrollit në njësitë në veri.

“Kohëve të fundit janë bërë shumë përparime në vënien në kontroll të eksploatimit të xehes, prodhimit të koncentrateve, si dhe në menaxhimin e të hyrave dhe shpenzimeve. Gjithçka po shkon në drejtimin e duhur, por ende ka shumë punë për t’u bërë në mënyrë që edhe kjo njësi biznesore, Trepça Sh. A., të funksionojë normalisht, si edhe njësitë e tjera biznesore,” thuhet në një përgjigje të ndërmarrjes për koha.net.

***

Filharmonia në lëvizje

Me vepra vokalo-instrumentale të fuqishme që shpërfaqin artin muzikor përmes zërave të magjishëm, Kori i Filharmonisë së Kosovës e nisi vitin me një koncert jashtë kryeqytetit. Për një orë, arti u zhvendos në Prizren, në “Autostrada Hangar”, ku tradita botërore muzikore u gërshetua me atë vendore. Koncerti, drejtuar nga Hajrullah Syla, përfshiu edhe veprën e tij “Like the touch of the rain”, e cila jehuar fuqishëm në sallë.

Me formacionet e saj të larmishme, Filharmonia po shtrin ndikimin përtej kryeqendrës, duke e nisur programin e saj të vazhdueshëm “Filharmonia në lëvizje” me sukses.

***

Diku gjatë rrugës, harrojmë se magjia ka qenë gjithmonë pranë nesh. Dikur kërkonim për shenja, por ndoshta ato gjithmonë na pëshpëritnin në heshtje. Nuk është bota ajo që po ngut, por ne. Gjithçka qëndron brenda jush, i dashur lexues. Ju vendosni si ta shihni dhe perceptoni atë.