Live Stories from Prishtina

LIVE

May 23, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Në vendet ku ngjyrat marrin kuptim, ku këngët këndohen me zë të lartë, ku çmenduritë marrin emër dhe ku dashuria lind, aty ku bashkohesh me zemrën në të cilën gjen siguri dhe rehati, padyshim janë ngjarjet ku të gjithë njerëzit që e pëlqejnë adrenalinën bashkojnë ndjenjat e tyre në një vend. Pra, tek koncertet e festivalet, aty ku muzika ndjehet deri në thellësinë tënde.

Pasi muzika ka një vend të veçantë në përditshmërinë e secilit, çdonjëri nga ne mundohemi që gjatë verës të ndajmë të paktën ca ditë për t’ia dedikuar muzikës dhe kënaqësive që ajo na ofron.

Në dekadën e fundit në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe vende të tjera në Ballkan janë organizuar festivale dhe koncerte të shumta që po ndodhin dhe do të vazhdojnë të ndodhin gjatë muajve në vazhdim. Të marrësh pjesë në festivale nuk do të thotë të jetosh vetëm muzikën, (është më shumë se kaq), do të thotë të shijosh natyrën e atij vendi, ushqimin, traditat, kulturën si dhe të njohësh njerëz të ri. E kur vendet, në të cilat organizohen evente të tilla janë vende bregdetare, çdo gjë është edhe më argëtuese.

Ne do t’iu rikujtojmë disa nga festivalet dhe koncertet, të cilat mund t’i konsideroni për t’i vizituar.

Agjencia Rave Travel, mundohet të krijojë qasje me festivalet më të famshme për t’iu ofruar klientëve të saj eksperiencat më të mira, ku edhe kësaj radhe në bashkëpunim me Paper Radio, kanë krijuar një rrjet bashkëpunimi ku përmes lojërave të ndryshme janë shndërruar në urë lidhëse për fitimin e biletave falas. Deri tash ne kemi ndarë fituesit për festivalet si South Outdoor, koncertin Deep Purple si dhe pritet të ndahen edhe për Festivalin UNUM dhe festivalet e tjera në vazhdim.

Më poshtë mund të ndiqni se çfarë kanë ofruar festivalet e lartpërmendura dhe çfarë mund të bëni në festivalet dhe koncertet e radhës.

Festivali South Outdoor. Ky festival cilësohet si festë e gjithçkaje që mund të shijohet jashtë. Ajo feston sportin, kulturën, traditën, muzikën, natyrën dhe kuzhinën. Festivali ka mbledhur aktivitetet më të njohura në natyrë në një ngjarje 5 ditore dhe zhvillohet çdo vit në Borsh, në jug të Shqipërisë. Festivali fton pjesëmarrës nga i gjithë vendi dhe e gjithë Evropa të bashkohen, të konkurrojnë dhe të argëtohen, të përhapin gëzimin dhe të përjetojnë bukurinë unike të natyrës, ushqimit, kulturës e traditës së rajonit.

Festivali u mbajt muajin e kaluar nga 29 prilli deri më 3 maj, ku performuan artistë të ndryshëm të huaj dhe ndërkombëtar. Ndërsa, u organizuan aktivitete si hedhja me parashutë, në mënyrë që pjesëmarrësit të kenë mundësi t’i shijojnë bukuritë e rivierës shqiptare. Pastaj, duke i përfshirë edhe aktivitetet si scuba-diving, kajak, lundrim, rafting etj.

Koncerti Deep Purple. Koncerti do të mbahet në Shkup dhe është koncerti më i madh i rokut në dekadën e fundit në Maqedoni. Koncerti do të mbahet më 28 maj dhe fitues të biletave janë zgjedhur dy persona.

UNUM Festival. Edicioni i tretë i këtij festivali zë vend sërish në Shëngjin, më saktësisht tek Rana e Hedhun. Festivali Unum karakterizohet nga pesë elemente të thjeshta të jetës, siç është muzika, rëra, pishat, deti dhe malet. Plazhi i artë i Ranës së Hedhun është vendi ku festivali do të presë 50 artistë ndërkombëtar dhe vendor, për 5 ditë e 4 net. Paper Radio ka shpërndarë katër bileta për këtë festival.

Koncert Tiesto. Të gjithë ju që në listën e gjërave se çfarë do të bëni këtë verë e keni një koncert të zhanrit elektro, bëni mirë që t’i rishikoni listën e koncerteve këtë vit, pasi eventi më i madh elektronik rajonal këtë verë do të mbahet në Shkup, me yllin më të madh të muzikës elektronike – TIESTO!

Më 16 qershor në stadiumin e ARM-së, spektakli i Tiestos do të jetë më i mbushur se kurrë dhe tejet ekskluziv, duke marrë parasysh që vitet e fundit ai i ka kaluar vetëm në Amerikë dhe në festivale si Ultra Music dhe Tomorrowland.

TIESTO është i njohur për hitet e tij sidomos ato verore, si “The Business”, “The Motto”, “Don’t be shy”, “BOOM” , “Ritual”, “Secrets” dhe shumë të tjera.

Koncerti Thievery Corporation. Ndoshta një nga koncertet më të mira botërore të të gjitha kohërave të mbajtur në Shkup është ai i Thievery Corporation, në stadiumin ARM, në vitin 2017.

Adhuruesit e kësaj muzike nuk pushuan së kërkuari përsëritjen e asaj nate dhe ribashkimin me Thievery Corporation, në Shkup.

Rrjedhimisht, këtë vit THIEVERY CORPORATION vjen në Shkup më 3 korrik në të njëjtin vend, në stadiumin tashmë të njohur të ARM-së, me promovimin e albumit të fundit, si dhe të gjitha hitet më të njohura të tyre. Duke dëgjuar Paper Radio ju mund të jeni një ndër fituesit e pesë biletave për këtë koncert.

Koncerti nga WHITESNAKE. Shkupi këtë vit lirisht mund të marrë epitetin si ‘qyteti i koncerteve’. Turneu lamtumirës i grupit Whitesnake përfshiu edhe qytetin e Shkupit, i cili më 12 korrik 2022, në stadiumin e ARM-së do të mbajë performancën madhështore të fundit në Maqedoni. Për ju që nuk e keni shijuar ngrohtësinë e Shkupit, ky mund të jetë rasti juaj. Paper dhe Rave do të ndajnë edhe për këtë koncert pesë bileta dhuratë për dëgjuesit tanë.

Ju mund të zgjedhni të kaloni çmenduritë më të mëdha gjatë verës, ku një ndër të cilat mund të jenë këto koncerte dhe festivale të mrekullueshme që ju mbërthejnë nga adrenalina.