Live Stories from Prishtina

LIVE

March 8, 2024

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

“Në një vend luftarak, gratë kanë shpirt luftarak jo më pak se burrat.” – Elena Gjika

Deri sot kam mësuar se sa mirë është të jesh grua, por në të njejtën kohë kam mësuar që të jesh një grua padyshim se duhet të jesh e lirë dhe e pavarur. Vetëm në këtë mënyrë mund të japim më të mirën që kemi brenda, duke vepruar dhe folur lirshëm përherë. E jo vetëm në ditën ku shoqëria jonë shqiptare e ka korrnizuar si ditën ku ne gëzojmë të drejtën për të folur dhe për t’i shprehur lirshëm pakënaqësitë tona sepse “është dita jonë”. Dita ku festohet që je një grua dhe një nënë e cila falënderohet për sakrificën dhe kontributin që ka dhënë deri sot dhe për formën se si i ka rritur fëmijët e saj, pra ditën e 8 Marsit.

E çka është në të vërtetë 8 Marsi?

Çdo vit, 8 Marsi festohet si Dita Ndërkombëtare e Gruas për të festuar arritjet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave nga e gjithë bota. Fokusi i kësaj dite vihet në thirrjen për veprim mbi barazi gjinore, vendosjen e agjendave dhe synimeve për të krijuar një shoqëri më të mirë dhe pa paragjykime gjinore.

Meqenëse jemi një shoqëri e cila ende po mësojmë për rolin e gruas në vendimmarrje, sot do të ndajmë me ju 8 personalitetet shqiptare nga fusha të ndryshme, që vënë vulën me veprat e tyre dhe i treguan botës edhe në atëbotë, edhe sot se çfarë do të thotë të jesh një lidere.

Elena Gjika – Rilindase shqiptare

I thanë enciklopedi e gjallë, e quajtën diamante psikologjike, e emëruan si unazë të qytetërimit midis Lindjes dhe Perëndimit. Ajo ishte poliglote (fliste 9 gjuhë) të cilën çdo popull evropian e kërkonte. Elena jonë kishte pasion letërsinë të cilën e trashëgoi nga e ëma, talent i cili thellë buronte nga malli për atdheun. E rritur në mjedisin rumun të shekullit të 19-të (Asokohe në Rumani ishin shpërngulur familjet shqiptare Dukaj dhe Gjika nga pushtimi otoman), ajo u edukua dhe rrit në frymën për çlirimin dhe emancipimin e popullit shqiptar.

Këtë princip të sajin ajo e realizoi përmes veprave, ku më e njohura prej tyre shquhet “Kombësia Shqiptare sipas këngëve popullore”. Ajo punoi në ngritjen kulturore të të gjithë shqiptarëve të atdheut të shkapërderdhur gjithandej – të Arbëreshëve të Italisë, Greqisë dhe kolonive të shumta jashtë Shqipërisë, kurse impakti i saj përfshin përpjekjet për të bërë dijetarët shqiptarë pjesë të Akademisë Italiane, ku përfaqësues do të ishin arbëreshët.

Ajo madje arriti kulmin e lavdisë, kur princi i Rumanisë, Karol I, i dërgoi “Urdhërin I Bene Moretti”, vlerësim ky që si në Lindje dhe Perëndim, ishte hera e parë që i jipej një gruaje, e që caktohej vetëm për dijetarë. Ajo është simboli i Rilindjes shqiptare për të cilën edhe shkrimtarët folën.

SHOTË GALICA – Heroinë

“Jeta pa dije është si lufta pa armë”. Kjo thënie e shpjegon mirë konceptin e Shotës për jetën. E lindur e rritur në Drenicë, Qerime Halili, ishte një atdhetare e cila kishte vizion. Meqenëse ishte vajzë pas shumë djemëve, babi i saj e thirrte me emrin përkëdhelës Shotë. Shota është heroina e kohës së Lëvizjes Kaçake, në krye të kësaj lëvizje ishte Azem Bejta, i cili më vonë u martua me Shotën. Nga ky moment filloi jeta luftarake për Shotën e Azemin.

Pasi Azemi ra heroikisht me familje për atdheun, Shota ndjeu përgjegjësi që të hakmerret duke marrë udhëheqjen e çetës. Të dhënat e kohës tregojnë se gratë e Drenicës jo vetëm që ishin aktive në luftë por ato merrnin pjesë në kuvende dhe në vendime me rëndësi në mbrojtjen e vendit.

Për Shotën u shkruan me dhjetra libra, në zhanre si: studime shkencore, romane, tregime, drama, poezi etj.

NEXHMIJE PAGARUSHA – Këngëtare

Ajo bartë titullin Ambasadore e kulturës shqiptare në botë. Talenti i saj i jashtëzakonshëm për këndim tërhoqi vëmendje që herët. Vetëm 15 vjeç ajo u fut në studion e Radio Prishtinës për t’i qëndruar përjetësisht besnike këngës.

Ajo është ndër femrat e para shqipe në Kosovë që punoi në fushën e artit edhe si aktore. Kënga e saj shpërtheu kufijtë kombëtar dhe jehoi në gjithë botën, si: Izrael, SHBA, Gjermani, Austri, Bullgari, Itali, Tunizi, Çekosllovaki.

E quajtur si Bilbili i Kosovës, Pagarusha jehoi me “Bareshën”, “Ma fal atë buzëqeshje”, “Vaj si qenka ba dynjaja” edhe në Beograd.

EDI SHUKRIU – Arkeologe

Arkeologia jonë, Edi Shukriu, e cila para pak muajve ndërroi jetë, ishte pedagoge, akademike dhe profesoreshë, kurse veprimtarinë e saj shkencore dhe profesionale e përqendroi në hulumtimet arkeologjike dhe të historisë antike.

U shqua si poete dhe shkrimtare dhe është femra e parë në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi “Sonte zemra ime feston”, 1972, si dhe dramat e para që shkroi një femër në Kosovë.

Historia do të shkruajë për të si gruaja që kontribuoi për vendosjen e kuotës prej 30% të grave në Kuvendin e Kosovës dhe për listat e hapura të zgjedhjeve.

MELIHATE QENA – Regjisore

Diamanti i familjes Qena ka kohë që vlerat e saj i drejton për kontributin në kulturën shqiptare. Ajo studioi rusishten, por dashuria që ndjeu ndaj artit teatror e shtyu të konkurrojë, ku edhe u pranua në Akademinë e Filmit, Teatrit e Televizionit në Beograd, duke u bërë femra e parë shqiptare që studioi dhe diplomoi në aktrim.

Ajo u shpërblye dy herë për regjinë më të mirë në Festivalin e Pogradecit, teksa punoi si regjisore në shfaqjet për fëmijë në Teatrin Dodona.

NEKIBE KELMENDI – Politikane

Atë do ta quaja revulucionarja në skenën politike. Nekibe Kelmendi është avokatja e parë në historinë e gruas në Kosovë. Ajo ishte juriste dhe gjyqtare në Gjykatën Komunale në Prishtinë dhe më vonë gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Ndan rolin kryesor në themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Njerëzore.

Zonjën Nekibe e quajtën drejtuese të drejtësisë për të mirën e të drejtën njerëzore. Teksa ndan dhimbjen e njëjtë me personat që humbën shumë në luftë, ajo në të njëjtën ditë humbi dy djemtë dhe bashkëshortin, por dhimbja nuk e stopoi për të dhënë kontributin në fushën e saj.

MAJLINDA KELMENDI – Sportiste

Ajo është luftarakja jonë në sport. Kelmendi i dha Kosovës titullin e parë botëror në xhudo kur ajo mundi kandidaten e Brazilit Erika Miranda, në ndeshjen e -52 kg për medaljen e artë në Rio de Zhaniero.

Fitorja e 22 vjeçares, e cila ishte kosovarja e parë lojtare e xhudos që fiton një medalje në një kampionat – që prej Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 – nuk ishte një fitore e papritur pasi Kelmendi erdhi në Rio de Zhaniero, e renditur si “numri një” në kategorinë e saj pasi kishte fituar eventin prestigjioz të Masterave.

LEZE QENA – Aktore

Ajo është “gjyshja” e të gjithëve, jo vetëm me karakterin e saj në serialin “Familja Moderne”. Ngrohtësia që shfaqë përmes ekranit të ofron me çdo personazh që ajo luan.

Së bashku me bashkëshortin, Xhevat Qena, ata aktruan një kohë të gjatë përkrahë njëri-tjetrit. Çifti u bë i njohur për një audiencë të gjerë të teatrove. Suksesi i Lezes u pa sidomos në shfaqjet në televizion. Qena është parë në disa prodhime televizive dhe në kinemanë shqiptare. Sidoqoftë, ajo arriti suksesin e saj më të madh me rolin e saj si “Antigona Fishekxhiu Hoxha” në serialin televiziv “Familja moderne”.

Gratë dhe vajzat shqiptare po na bëjnë krenarë çdo ditë të jetës tonë. Andaj, le ta fuqizojmë njëra-tjetrën për të arritur të pamundurën!