Live Stories from Prishtina

LIVE

30 Tetor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Sa e çuditshme është jeta! Është “crazy” se si kalon ndoshta ditën më të keqe dhe një ditë tjetër kur të zgjohesh, dielli rrezon më ndryshe, ajri është më i lehtë kur frymon edhe e kupton që s’ka ditë që nuk kthehet qysh ke qenë (mirë), se e vetmja kohë kur përnime gjanat kanë fund është kur të vdesim.

Çka po ndodh në Kosovë?

Pas shumë vitesh “pushimi diplomatik”, Siria ka vendosur t’i jap Kosovës njohjen e saj duke u bërë kështu shteti i 120-të që zyrtarisht e pranon ekzistencën e Republikës më të re të Ballkanit.

Në njoftimin e bërë nga Riad, presidentja Vjosa Osmani, e cila duket se po e mbledh albumin e njohjeve një nga një, falënderoi Princin saudit, Muhammed bin Salman dhe presidentin sirian, Al Sharaa për këtë “moment historik”, duke theksuar se të dy popujt kanë vuajtur e sakrifikuar për lirinë, një krahasim që në kontekstin sirian tingëllon pothuajse poetik.

Me këtë, Kosova arrin në numrin magjik 120, që sipas Osmanit është dëshmi se “asgjë nuk mund ta ndalë”. As fushatat e Serbisë, të cilat ironikisht u ndeshën me këtë lajm pikërisht kur po përgatiteshin të festonin “jubileun historik” me Sudanin njërin nga vendet që tashmë i ka kthyer shpinën Beogradit për t’u bërë mik i Prishtinës.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti deklaroi se lidhjet mes Kosovës dhe Sirisë “tani do të jenë edhe më të forta”, ndonëse askush nuk e specifikoi në cilën fushë saktësisht duke lënë vend për imagjinatë diplomatike.

Në kor politik, Memli Krasniqi foli për “fundin e vizionit izolues”, Ramush Haradinaj për “bashkëpunim me aleatët”, ndërsa presidenti Begaj nga Tirana u kujdes të falënderonte të gjithë që “e mundësuan këtë njohje”.

Pra, pas viteve të gjata pa asnjë njohje të re, Kosova i shton Sirinë listës së saj dhe në një botë ku surprizat janë të pakta, një fjalë “mirë se erdhe” për Damaskun tingëllon thuajse si lajm i mirë.

Kenia dhe Sudani ishin vendet e fundit që e njohën Kosovën.

***

KQZ-ja po ju tutet zgjedhjeve të reja!

Kosova duket se po shkon drejt zgjedhjeve të katërta brenda një viti,  një rekord që as vendet me demokraci të konsoliduar nuk do ta kishin zili. Pas zgjedhjeve nacionale të shkurtit, atyre lokale të tetorit dhe balotazhit të nëntorit, nëse qeveria nuk formohet së shpejti, dhjetori mund të sjellë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

KQZ-ja, me të drejtë të plotë po i frikësohet mungesës së buxhetit. A ka faj? S’ka!

Sipas Ilir Gashit, anëtar në KQZ prej PDK-së, ky proces ka me i kushtu vendit 8 milionë dhe mundet me pasë telashe me votimin jashtë vendit.

Nashta me ndonjë garë nëpër botë, kishim fitu ndonjë çmim kah i dyti a treti, për konsistencë në mos-stabilitet ose jo-stabilitet, cilado që ju vjen ma lehtë me thanë.

Logjistikë e lodht!

Knej kah backgroundi nuk mundem pa e theksu që kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka hedhur idenë për zgjedhje të reja edhe në pranverë, duke parashikuar dështimin e zgjedhjes së presidentit sepse nëse nuk gjenden 61 vota për qeveri, 80 për presidentin duken si fantashkencë.

***

Edhe një lajm i mirë

Gjykata Supreme ka shfuqizuar nenin e Udhëzimit Administrativ të vitit 2015 që u kërkonte veteranëve të UÇK-së dëshmi nga ATK-ja se nuk janë të punësuar për të përfituar pensionin.

Supremja tha që ky nen bie ndesh me ligjin e ri, tash ligji ia lejon veteranit që punon në sektorin privat të marrin deri në 50% të pensionit (204 euro) pa paraqit vërtetim hiç, ndërsa përjashton vetëm ata që paguhen nga buxheti i shtetit.

Gjykata ka vlerësuar se Ministria ka dështuar ta harmonizojë udhëzimin me ndryshimet ligjore të vitit 2017, duke krijuar pasiguri juridike.

Organizata e Veteranëve të Luftës e ka quajtur vendimin “fitore të drejtësisë”, pasi u rikthen të drejtën e përfitimit shumë veteranëve që punojnë në sektorin privat.

***

Edhe pse politika prodhon ndonjë turbulencë dhe zgjedhjet duken një maratonë e pafund, shenja të vogla suksesi tregojnë se Kosova po ndërton themelet e një shteti më të fortë, më të drejtë dhe më të njohur ndërkombëtarisht.