Live Stories from Prishtina

LIVE

7 Shkurt, 2025

Gili, se ka ditë sa rriten çmimet kur e ka cilësuar si “temë të parëndësishme, diskutimin për çmimet e perimeve”.

Në një intervistë ekskluzive në emisionin “Drive Time me Shukin”, Flondi Krasniqi, një prej anëtarëve iniciues të nismës “Kosova Bojkoton”, na shpjegoi si ka nisur kjo revoltë, së pari virtuale, kundër çmimeve që po na nxjerrin jashtë loje.

Ky bojkot, që do të ndodhë më 10 shkurt, ka tërhequr një masë të madhe njerëzish, dhe Flondi është super optimist që kjo do të jetë vetëm fillimi i diçkaje të madhe.

E quajti bojkot që po merr dhenë.

“Çdo ditë, prej kur është krijuar grupi, bashkohen mbi 1000 veta dhe kjo është vetëm fillimi. E gjithë kjo lëvizje po rritet natyrshëm nga populli që ka filluar të ndjejë se çmimet po i shkatërrojnë”.

Shuki: Nuk ka nevojë për ndonjë shkencëtar për ta kuptuar këtë, sepse sa herë që del për një blerje të thjeshtë, shpenzon më shumë se ç’të duhej.

“Normale, që edhe njerëzit po reagojnë, po dërgojnë foto të çmimeve dhe po na japin “shumë” të dhëna që flasin për një realitet të hidhur. Çmime më të larta se Gjermania,” thotë Flondi.

Për Flondin, bojkotimi i marketeve është një reagim kundër atyre që po na ngushtojnë frymëmarrjen me çmimet e larta.

Shuki: Ka ardhur kjo ide, a ishte e inspiruar prej kroatëve?

“Kjo ide erdhi pas një eksperience personale dhe të tjerëve që shihnin se situata është bërë e padurueshme. Po ashtu, u frymëzuam edhe nga kroatët me lëvizjen e tyre prej Organizatës “Alo, inspektor”. Ndërsa kemi parë edhe një diagram që u shpërnda këto ditë në internet, ku shfaqeshin vendet e rajonit se kush po bojkoton dhe kush jo. Aty, Kosova, dhe e thamë, pse mos të nisnim diçka edhe ne”.

Shuki: E ti, a po mendon që njerëzit tanë do t’i qëndrojnë besnik kësaj nisme?

“Kjo është një lëvizje e pastër popullore, e cila buron nga pakënaqësia e njerëzve të zakonshëm dhe nga nevoja për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta. Deri tani janë rreth 6,000 anëtarë, dhe me ritmin që po shkon, numri do të rritet shpejt. Të gjithë ata që janë aty e dinë se ky bojkot mund të bëjë diferencën. Faqja jonë me këtë emër ka arritur të dalë tek 100 mijë njerëz në Facebook”.

Shuki: Njeri, gjenerata ime është rritur me protesta dhe demonstrata, edhe pas luftës pastaj, por tani sikur njerëzit janë lodhur. E prandaj, kjo formë më duket interesante, ndryshe, për të protestuar, duke qëndruar në shtëpi. A mundet me sjellë ndryshime reale pa pasur nevojë për të dalë në rrugë?

Po Kroacia, me “Alo, inspektor”, ka arritur të marrë ministra dhe biznesmenë dhe janë ulur bashkë për të arritur tek një zgjidhje. Unë e kuptoj tregun e lirë dhe nuk ma do mendja që ka ndonjë biznesmen që thotë po i ul çmimet, për të menduar popullin. Por të paktën, të gjendet një zgjidhje e mirë për të gjithë.

Përfundimisht, lexues, kosovarët kanë fuqinë për të reaguar dhe për të ndikuar në çështjet që prekin jetën e tyre të përditshme. Dhe nëse ky bojkot arrin të bëjë një ndikim, atëherë mund të hapen dyer për ndryshime më të mëdha.