Arkiva
31 Gusht, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Për t’iu shmangur zhgënjimit, pranojini njerëzit ashtu siç janë; në këtë mënyrë ju nuk krijoni pritshmëri prej tyre.
Do të doja që ditët e fundit të gushtit t’i mbyllja me lajme sa më të mira, por ky është observimi im ndaj ngjarjeve të 24 orëve të fundit dhe kuptimi i tyre për mua.
***
Janë mbyllur pesë objekte të strukturave paralele serbe në komunat me shumicë serbe në veri, pas një aksioni që u realizua të premten në dyshimin se këtu lëshoheshin dokumente të falsifikuara, dhe përmes aksionit është gjetur sasi e fishekëve. A kanë bërë mirë dhe a ka qenë e nevojshme? Sigurisht që po, kur këto komuna janë paralele dhe mbështeten nga Serbia. A kanë bërë gabim që nuk janë koordinuar me ndërkombëtarët? Po, shumë, ama ekziston një POR në mes të kësaj përgjigjeje! POR nëse një gjë e tillë i ishte kumtuar ndërkombëtarëve, me gjasa do të ishte mbajtur fshehtë dhe nuk kishte marrë vesh asgjë masa. Rasti i sulmit terrorist të Banjskës ishte bërë në koordinim me ndërkombëtarët, por a mori ndokush dënimin e merituar edhe pse shkaktarët dihen?! Një përgjigje e tillë nuk e arsyeton pamaturinë e qeverisë kur një veprim i tillë mund të shkaktonte përshkallëzim. A mundet që një mos-koordinim të përkeqësojë raportin me SHBA-të? Natyrisht!
***
30 gushti është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur me Dhunë. Vizita dhe homazhe? Patjetër që po, nëse edhe kjo s’do të ishte “ku do të mbetej fytyra jonë”? A dëshiron qeveria jonë që rastet të cilat lidhen me luftën të zgjidhen? Jam e bindur që secila që ka qenë dhe kjo që është, e duan një gjë të tillë. Por sa po bëhet në drejtim të kësaj çështjeje? Asgjë! Ende janë edhe një mijë e gjashtëqind të zhdukur nga lufta në Kosovë (1998-99). Këtë më mirë e dëshmon zhgënjimi i familjarëve të të pagjeturve.
***
Më shumë se festival filmi! Festivali Kino Kosova me temën “Përsiatje” në mes të kryeqytetit të Zvicrës në Bern po tenton të bëj ndikimin e vet. Çka tregon kjo? Përpjekje që historia të mos harrohet, e sidomos nga bashkëatdhetarët që jetojnë në vendet jo-shqipfolëse. Çka ka brenda temës “Përsiatje”? A është kjo një klishe që i duhet komunitetit tonë jashtë Kosovës? Po, duhet kjo dozë e klishesë që ndërlidhet me vitet ’90, ku tregohet për refugjatët, sfidat e tyre, puna si punëtorë krahu, etj.
***
Jeta për ty lexues nuk mbaroi kur raportet tua u prishën me njerëzit e afërt, as kur ata nuk i pamë kurrë më. Jeta nuk mbaroi as kur përsërite gabimet e njëjta; ajo vazhdon duke të dhënë mësimin e saj, deri sa misioni yt për të dhënë nga vetja dhe bota për të marrë nga ti mbaron! 🤍