Live Stories from Prishtina

LIVE

6 Janar, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mund ta marr me mend se nuk u përshtatet të gjithëve, por kjo nuk do të thotë se të tjerët nuk e gjejnë veten. Dëgjo më shumë se sa flet, sepse të kuptosh vjen nga dëgjimi me kujdes dhe respketi që ke ndaj mendjes dhe zemrës së dikujt tjetër. Gjithsesi do të jetë dikush që të kupton; ti e di qëllimin.

Të hysh në kufinjtë e Kosovës, edhe kolona është kënaqësi, mirëpo nëse kolona të shoqëron edhe në dalje, atëherë mbizotëron një përzierje e mërzisë dhe nervozizmit.

Pritjet për të dalë nga Kosova në pikën kufitare në Merdar po zgjasin deri në dy orë e 40 minuta.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, në pikën kufitare te Dheu i Bardhë pritjet për të dalë nga Kosova zgjasin rreth 25 minuta, ndërsa kolona është e gjatë rreth 80 metra.
Në pikat e tjera nuk ka pritje as në hyrje dhe as në dalje.

Shkuan dy javët që, për Kosovën, në një mënyrë apo tjetër, janë një “infuzion” ekonomik. Me pushime jo më të gjata se ato të verës, kolonat e stërzgjatura nga Çagllavica deri në qendër të Prishtinës duket sikur janë zhvendosur në pikat kufitare.

***

Rreziqe të shumta paralajmërohen në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë nëse nuk ka angazhim të shtuar nga Bashkimi Evropian dhe NATO, thuhet në një raport të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përmendet si çështja më sfiduese për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye, NATO-s dhe BE-së u është bërë thirrje të ushtrojnë presion mbi Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit.

Cila do të jetë zgjidhja për këto probleme, i dashur lexues? A do të shohim progres në raportet Kosovë-Serbi në vitin 2025, nëse mund ta quajmë progres?

Ndërkombëtarët, në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, shohin vetëm dy probleme kryesore: mosnjohjen e Kosovës nga Serbia dhe qasjen e Qeverisë së Kosovës në komunat veriore të populluara kryesisht me serbë. Duke qenë se fokusi është këtu, cila do të jetë qasja e administratës së re amerikane ndaj Kosovës? A do të përputhen këndvështrimet e BE-së me ato të Trump?

kulturë***

Valentina Elshani, prej shumë vitesh, krijon art të fokusuar në bukurinë e gruas. Puna e saj varion nga ngjyra eksplozive te minimalizmi, duke paraqitur silueta të thjeshta ose detaje të hollësishme vizuale me fytyra dhe shprehje ndjenjash. Këtë herë, ajo prezanton një opus të ri në galerinë e njohur të Hanit të Dy Robertëve. Ekspozita është hapur të shtunën, më 4 janar, dhe do të jetë e hapur deri më 21 janar, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për të përjetuar frymëzim të freskët gjatë këtij muaji të qetë.

***

Kurrë mos ndalo së shpresuari. Nëse gjithçka fillon nga stomaku dhe jo nga zemra, atëherë ushqeje atë dhe qëndro i/e hapur ndaj çdo mundësie. Mos harro: fëmijët ëndërrojnë të rriten, ndërsa të rriturit ëndërrojnë të jenë fëmijë. Vendimet e tua duhet të të përshtaten ty dhe askujt tjetër, sepse gjithmonë dikush do të jetë i pakënaqur.