Dje n’Kosovë
20 Tetor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Ti lexues i dashur asnjëherë nuk do ta dish se sa gjëra ishin në përputhje me ty sot, që ti të jesh këtu ku je. Kurrë nuk do ta dish sa njerëz dëgjuan një muzikë që i bëri të mendojnë për ty dhe si fund nuk do ta dish asnjëherë edhe në sa njerëz do të dashurohesh.
Ja një rikapitullim çka po ndodhë në Kosovë:
Pas zgjedhjeve komunale që u zhvilluan qetë dhe me organizim të mirë teknik, rezultati tregoi rritje të Lëvizjes Vetëvendosje dhe forcim të PDK-së në disa komuna, përfshirë një rikthim më të mirë në Prishtinë dhe fitoren dominuese në Skenderaj.
Megjithatë, PDK-ja pësoi humbje në bastionin e saj tradicional, Drenas, ku fitoi Ramiz Lladrovci si kandidat i pavarur. LDK-ja ruajti pozitat, ndërsa NISMA e kushtëzoi çdo marrëveshje me postin e kryeparlamentarit.
Në nivel qendror, krijimi i qeverisë mbetet i paqartë, Albin Kurti nuk ka siguruar shumicën e nevojshme, ndërsa partitë opozitare nuk po japin shenja bashkëpunimi. Ekziston mundësia që vendi të shkoj në zgjedhje të reja, nëse nuk gjendet një kompromis deri më 26 tetor, që është afati kushtetues për votimin e qeverisë.
Ndërkohë atmosfera politike u zbut përkohësisht nga gëzimi sportiv. Fitoret e Shqipërisë kundër Serbisë dhe Kosovës ndaj Suedisë sollën festë dhe një ndjenjë uniteti kombëtar në Prishtinë e diasporë.
Në planin ekonomik, Kosova përballet me sfida serioze: rritja ekonomike prej rreth 3.8–3.9% mbetet e pamjaftueshme për mirëqenie, ndërsa deficiti tregtar është rekord mbi 5 miliardë euro importe kundrejt vetëm 630 milionë eurosh eksporte. Mosinvestimi i fondeve publike dhe mbajtja e parave “në thesar” po kontribuojnë në stagnim ekonomik dhe humbje vlere për shkak të inflacionit.
Si rikapitullim i javës Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik dhe qeveri funksionale, sepse vetëm kështu mund të arrihet zhvillim ekonomik real, por me ritmet aktuale ky stabilitet nuk pritet para fillimit të vitit të ardhshëm.
Sa ma shumë që jetoj, aq më shumë e kuptoj që dashuria, qoftë ajo shoqërore, romantike apo në familje është pasqyrë e ndriçimit që kemi për njëri-tjetrin!
(inspired by today’s conversation with my friend E)