Dje n’Kosovë
23 Shtator, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Me këqyr holl e holl, javë ma miks prej ngjarjve nuk ka pasë, as prej politikës, as prej jetës sociale.
Fushatat të cilat po mbahen vetëm nëpër mledhime të vogla, e kam fjalën për këto grumbullimet me nga 200 veta jo me nga 1 mijë.
Zgjedhjet e fundit komunale që janë mbajtur në 2021-ën, nuk e di se si por nuk kanë qenë aspak si janë sot. Njerëz të lodhur nga premtimet e parealizuara, të cilët po pritojnë me marrë pjesë. Nga një garë e kryeqytetit, e cila po merr pak më shumë vëmendje, e deri tek qytetet tjera që pavarësisht debateve televizive e vëmendjes nga polls në “Facebook”, që i bëjnë mediat, ndërmjet qytetarëve as nuk e dëgjon si diskutim, përjashtim bëjnë ata që kanë familjarë e kusherinj të përfshirë në politikë.
Madje në TikTok, në video të ndryshme dëgjon diskutime aty për aty të vendoset për votë.
***
Në anën tjetër, javën e kaluar e edhe në ditët e fundit, kur tema kryesore ka qenë dëshmia e mbrojtjes ndaj Hashim Thaçit, kurse të vetmit që heshtën për ato zhvillime, prej figurave që kanë peshë nacionale, ishin Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Uran Ismaili. Pse?
Pse kryetarët legjendarë nuk po shkojnë në debate si Agim Aliu apo Gaz Muhaxheri? Në disa komuna ka rikthim të kandidimit të kandidatëve si në Klinë: Sokol Bashota dhe në Lipjan, Shukri Buja.
A ka me lujt rezultati e me pasë rikthim në këto komuna?
***
Javën e kaluar janë suspenduar katër zyrtarë policorë të njësisë speciale nga puna dhe janë kthyer prap në punë.
Shkas prapa suspendimit të tyre ka qenë biseda në një grup privat mes të katër policëve ku e kanë diskutu zgjedhjen e Dimal Bashës si kryekuvendar. Kush e mori vendimin për suspendimin e tyre? Çka ishte shkaktar që të kthehen? Bash amo bash… i kujt është ky shtet?
***
Jelena Gjukanoviq është arrestuar më 28 shkurt të këtij viti për spiunazh.
Pra, punonjësja e misionit të OSBE-së, që supozohet të jetë aty për paqe e stabilitet, mundet me dalë me “ofertë dytësore”: punë part-time si postiere e dokumenteve sekrete për BIA-n serbe. Multi-tasking modern, me dy paga e dy shefa vetëm që njëri shef është prej Beogradit.
Avokati i saj paska kërkuar arrest shtëpiak ndoshta që t’i shfrytëzoj më mirë Wi-Fi-n për ndonjë raport tjetër “urgjent”. Por prokurori nuk u pajtua, ndoshta prej frikës se ndonjë “Zoom call” me Aleksandër Vllajiqin mund të kthehej në mbledhje operative.
Në gjykatë, ajo është deklaruar “e pafajshme”.
Sipas aktakuzës, Gjukanoviq si zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë me vetëdije të plotë ka kryer veprime të përsëritura duke përcjellë informacione të dokumentuara për agjentin rezident të BIA-s, Aleksandër Vllajiq, të cilat informacione pastaj janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s.
