N’Kosovë
3 Prill, 2026
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, diçka që gjithmonë më ka pëlqy kur e kam dëgju është: kujdesu për mendimet që ke kur je vetëm dhe kujdesu për fjalët që thua kur je me të tjerët.
Dje në Kosovë nuk ndodhi diçka e pazakontë, përkundrazi, ndodhi diçka shumë “normale”: çmimet u rritën, qytetarët u përpoqën ta kuptojnë nëse duhet të mbushin veturën apo frigoriferin.
Në ora 11:00, Kuvendi do të mbledhet për një seancë të jashtëzakonshme. Tema do të lidhet me naftën ose thënë më saktë: pse po shtrenjtohet kaq shumë dhe pse askush nuk po bën ndonjë gjë konkrete për këtë?
Seanca u thirr nga opozita, e cila këtë herë vendosi të mos pres që çmimet të stabilizohen vet.
Akuza kryesore e opozitës është që qeveria po e sheh situatën nga distanca, si spektatore. Sipas opozitës, kishte hapësirë për ndërhyrje ulje të akcizës, ulje të TVSH-së por këto mbetën vetëm ide në letër. Ndërkohë, në terren, çmimi i naftës arriti mbi 1.80 euro për litër. T’u i grah kerrit, t’u u hjek nga një kilometër në shpirt.
Sigurisht, faji nuk është vetëm vendor, bota ka pjesën e vet në këtë histori, tensionet në Lindjen e Mesme dhe mbyllja e një prej rrugëve kryesore të naftës globale kanë bërë që çmimet të rriten kudo.
Por kjo nuk e bën faturën më të lehtë për qytetarin këtu dhe pikërisht kur mendon se situata s’mund të bëhet më e ndërlikuar, hyn në lojë kapitulli i pagës së 13-të.
Qeveria vendosi ta ndajë atë për një pjesë të sektorit publik, por jo për të gjithë. Punëtorët e KEK-ut dhe minatorët e Trepçës mbetën jashtë, gjë që nuk u prit mirë për të mos thënë aspak. Ata po paralajmërojnë protesta dhe greva, duke e quajtur këtë vendim standard të dyfishtë, kur duhet të punohet janë pjesë e shtetit, kur duhet të shpërblehen jo domosdoshmërisht a? Ironia?
E edhe pse kriter për pagën e 13-të ishte që punonjësit duhet të jenë në listën e pagave për muajin mars, gjë që ish-deputetët nuk janë, pavarësisht se vendimi qeveritar, atyre u është ekzekutuar kjo pagë shtesë.
Ndërkohë, njerëz që kanë punuar gjithë vitin dhe janë pensionuar së fundmi, kanë mbetur duarbosh.
Rregullat, si gjithmonë, funksionojnë… por jo njësoj për të gjithë.
Natyrisht se kjo mënyrë e ndihmës nuk është e drejtë, sidomos për sektorin privat që paguhet më pak dhe po e ndjen më shumë rritjen e çmimeve.
Por për këtë pjesë, zgjidhja është ende “në përgatitje”.
Togerja e FSK-së, Ermona Meshi është diplomuar me sukses në Adjutant General School të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, duke u vlerësuar me medaljen prestigjioze “United States Diplomatic Medal” si studente ndërkombëtare e dalluar.
Dhe ndoshta këtu kthehemi te ajo fjalia e fillimit.
Sepse kur je vetëm, mendon për faturat, për çmimet, për padrejtësitë që duken sikur janë bërë normale. Kur je me të tjerët, i mat fjalët, i zbut reagimet, ndonjëherë edhe e kalon me një buzëqeshje të hidhur.

