Live Stories from Prishtina

LIVE

22 Janar, 2025

ERLETË RRUSTEMI

Është e kuptueshme të ndihesh i alarmuar, të ndihesh i frikësuar dhe i dëshpëruar për gjërat që ndodhin në jetë.

A ju ka ndodhur që, tash e disa muaj, të dëgjoni pohime nga njerëzit përreth që bota ka ndryshuar, se vazhdimisht po përballen me dëshpërime, se njerëzit nuk qëndrojnë më për të tjerët siç bënin dikur?

Ma tha sot dikush: “Nëse mbjell fukarallëk, fukarallëk do gjesh. Nëse kërkon kënaqësi, kënaqësi do gjesh.”

Dhe PO, kjo ishte fjalia më e ndjerë që kam dëgjuar.

Në realitet, e vërteta qëndron këtu:

Ne bëhemi ajo që konsumojmë, mishërime të gjalla të një katastrofe të parathënë. Ne kthehemi pas vetes, të bllokuar brenda patologjisë së errët të kohës sonë. Tani, ja ku jemi në fillimin e një viti të ri dhe shumë prej jush ndihen të pashpresë, pavarësisht faktit që keni pritur që ky të jetë viti i shpresës (ashtu siç e pohuan postet e rrjeteve sociale, apo sepse tashmë keni kaluar mjaftueshëm dhe, pas stuhisë, donit vetëm erën).

Le të flasim pra: çfarë është shpresa dhe për çfarë është shpresa?
Shpresa është një temperament emocional që inkurajon zemrën të jetë aktive. Është një gjendje, një disponim, një atmosferë e të qenurit. Është një vepër e imagjinatës, e guximshme dhe e zgjuar, një vitalitet që na frymëzon të ndërmarrim veprime të reja për të mbrojtur botën. Shpresa është thelbësore për mbijetesën dhe lulëzimin tonë.

Ne e arrijmë këtë vitalitet të shpirtit duke refuzuar nxitjen që vjen nga dëshpërimi dhe duke hapur sytë ndaj bukurisë së gjërave, sado që bota jonë të na duket e rrezikshme ose e vështirë për ta dashuruar. Ne përpiqemi ta shohim botën jo ashtu siç është paketuar, paraqitur dhe shitur tek ne, por ashtu siç e imagjinojmë se mund të jetë. Ne nuk e largojmë shikimin nga bota; ne e shikojmë drejtpërdrejt atë dhe lejojmë që shpirti i shpresës (shtytësi i nevojshëm i ndryshimit) të na frymëzojë për veprim.

Nick Cave (këngëtar, kantautor, artist) ka shkruar në Faith, Hope and Carnage: “Shpresa është optimizëm me zemër të thyer.”
Kjo do të thotë se shpresa është gjendja ku ne, megjithatë, ngrihemi për t’u kujdesur për botën edhe pas dëshpërimeve dhe thyerjeve që kemi kaluar.

Kur ne e kuptojmë se demoralizimi ynë bëhet pengesa më serioze për përmirësimin e botës, atëherë shfaqet shpresa. Në formën e saj aktive, shpresa është një gjest suprem dashurie, një detyrë radikale dhe e guximshme, ndërsa dëshpërimi është një refuzim i ndenjur i vetë jetës. Shpresa bëhet energjia e ndryshimit.

Gjatë ditës më shkoi në mendje ky qëndrim: “Bajatizmi ndaj shumë situatave,” që e dëgjoj nga njerëzit. E shkruaj këtë sot, në një ditë kur edhe mua më erdhi shpresa.

Shpresa qëndron tek momentet kur qielli loton dhe ti do ta shohësh duke buzëqesh. Shpresa qëndron, tek gjethet në erë, që nuk e lojnë me dalë një verë. Shpresa qëndron kur e di saktë, që ne jetë ke ende njerëz që mërzin ta largojnë si me dorë.

Gjithçka ndodh sot, ndodh që e nesërmja të jetë më e mirë! Ai momenti i qetë që ke kaluar sot dhe që nuk të është dukur një ndryshim i madh, nesër do ta mungosh.

Ose, ai momenti i vështirë, i pabesueshëm që të ndodhi sot, nesër do të thuash: mirë që ndodhi… më hapi sytë.