Dje n’Kosovë
20 Qershor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Miku im i mëngjesit, lumturia është e zhurmshme, ndërsa paqja është e qetë. Ne e ndjekim “lumturinë” sikur të ishte forma përfundimtare, por gjithçka që ngritet mund edhe të bjerë. Çdo gjë që fitojmë, mund edhe ta humbasim. Lumturia është veçse një vizitore, ndërsa paqja është shtëpia jonë. Nuk ka të bëjë me ndjesinë e vazhdueshme të euforisë, por me atë që ndihesh mirë edhe kur jeta nuk është perfekte. Ndoshta ajo që vërtet kërkojmë nuk është më shumë gëzim, por më pak kaos.
Çka ka ndodhur dje në Kosovë?
Data e 12 tetorit po afrohet dhe gara për kryetar komunash po bëhet më dinamike. Prishtina si zakonisht mbetet në qendër të vëmendjes, me Vetëvendosjen e cila kanditat e shpalli Hajrullah Çekun ndërsa AAK-ja Bekë Berishën. Pritet prej PDK-së emri i Uran Ismailit dhe nga LDK-ja rikandidimi i Përparim Ramës. Në Mitrovicë, kryetari aktual Bedri Hamza nuk do të jetë pjesë e garës, ndërsa mendohet të kandidohet nënkryetari aktual Arian Tahiri. Nga LVV-ja emri i Faton Pecit, ndërsa LDK me Gëzim Plakollin.
Në Gjilan, LDK-ja nuk po synon rikthimin me Lutfi Hazirin por me Arbër Hysenin, teksa LVV-ja do ta rikandidoj Alban Hysenin.
Gazmend Muhaxhiri i Pejës do të synoj edhe një mandat, Ardian Gjini edhe një mandat me Gjakovën, Prizereni me Shaqir Totajn.
A do të ketë balotazh këtë herë dhe në cilat komuna?
***
Ka dështuar të enjten edhe mbledhja e 34-të e deputetëve për ta konstituuar Kuvendin. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka quajtur nomadë deputetët opozitarë, për të cilët ka thënë se nuk duan që ta kenë shtëpinë e tyre, duke ju referuar me këtë rast Kuvendit. E deputetët e partive që deri më tash kanë qenë në opozitë, e kanë akuzuar Kurtin se e ka marrë peng legjislativin.
Termi “nomadë”, në terminologjinë zyrtare përdoret për t’i përshkruar grupet e njerëzve që nuk kanë vendbanim të përhershëm dhe që jetojnë duke udhëtuar vazhdimisht. Çysh mundet me quajt dikush nomad dikë tjetër, kur vetë nuk ka pranu asgjë të shtetit të vetë, ka dyshu në shpallje të pavarësisë, institucionet e drejtësisë, flamurin etj?
***
Partitë kryesore politike kanë realizuar miliona euro të hyra gjatë vitit të shkuar e edhe kanë bërë shkeljet më të mëdha në menaxhimin e financave, kanë treguar raportet e audituara që i ka publikuar të enjten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Bazuar në raportin për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), ky subjekt politik ka realizuar të hyra prej 2.3 milionë eurosh. Auditorët kanë gjetur se ka pasur mungesë të dokumentacionit të rregullt në disa raste të shpenzimeve nga kjo parti.
***
Pushteti nuk ka të bëjë me të drejtën apo të gabuarën, por me atë kush ka çfarë në dorë. Nëse ti vjen me armë, e unë jo, jeta ime tashmë është kthyer në një transaksion. Për “arsye” flitet vetëm kur dhoma është e balancuar, por loja asnjëherë nuk ka qenë e drejtë. Kur flet paraja, e vërteta hesht dhe kur hyn pushteti edhe paraja tërhiqet. Rregullat janë shkruar nga ata që kurrë nuk u është dashur t’i ndjekin dhe janë thyer nga ata që s’kanë pasur më asgjë për të humbur. Ndërkohë që të pushtetshmit luftojnë për burime, pjesa tjetër e botës mësohet të pres, me durim, vetëm për lejen për të mbijetuar.