Arkiva
1 Korrik, 2024
Erletë Rrustemi
Natyra e tij falte qetësi dhe butësi, brenda tij fshiheshin mijëra histori të ndrydhura, të pa shfletuara deri në fund… prapë qetësi.
Sikur përjetimet e tij në vitet e diktaturës e mësuan që gjithçka që ndjente ta rrëfente përmes penës. E sot duket sikur ai është brezi i fundit “ndikim-bërës” që braktisi botën reale duke na lënë pa një gjigand të letërsisë shqipe.
Letërsia botërore dhe ajo shqipe ka humbur sot Ismail Kadarenë, në moshën 88 vjeçare pas një arresti kardiak. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, është i nominuar disa herë me rradhë me çmimin Nobel për Letërsi, fituesi i shumë çmimeve tjera ndërkombëtare.
Romanet e tij lanë gjurmë në krijmin e personaliteteve të shumë fëmijëve kur obligative e kishin të lexonin veprat e tij.
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që është literaturë dy vjet më e vjetër se babai im (babai ‘65 ndërsa vepra 1963), ishte romani më i rëndësishëm i Kadaresë dhe pikë kthese në prozën moderne shqiptare, e cila për mua si fëmijë krijoi përshtypjet e para për historinë e mbijetesës së identitetit shqiptar.
Veprat e Kadaresë të përkthyera e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja, bënë të famshme edhe romanet si “Prilli i thyer”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Hija”, e padyshim edhe romani i cili mban shenjën e humanizmit të Rilindjes Shqiptare “Kush e solli Doruntinën”. E cila duket sikur ishte shkaktar që sot në tokat shqipfolëse ka shumë Doruntina, që emri i’u vendos pas publikimit të veprës.
Po i përmend vetëm disa nga romanet që si fëmijë pas leximit të tyre ngulitën tek unë dashurinë për Ismail Kadarenë, një ndër to edhe “Kështjella”. Veprat e Kadaresë që tematikë kishin historinë shqiptare, shtjellojnë ngjarje që të kaluarën e vlerësojnë si shkas për të sotmen.
E njeja gjë na përcjellë edhe tek narrativa e romanit “Kronikë në gur”, ku tema e luftës trajtohet nga sytë e një fëmije që dy palët i shihte si në një teatër.
Në sytë e mi, që lexoja veprat që ishin shënuar para viti 1990, ndikimi i Kadaresë ishte jetik kudo edhe në përditshmërinë e thjeshtë prej një fëmije e adoleshenteje; në bar-in e Prishtinës që bartë emrin e tij, në shkollë kur flisnim për kuptimin e veprave të tij, në shoqëri kur debatonim për ndikimin e tij letrar, në pranverë kur binte shi dhe ndjeja mall për të dashurit, në mbrëmje kur vizitova rrugët parisiene ku Kadare pinte kafenë. Në pushimet verore kur vizitonim jugun e bregdetit shqiptar e rruga na dërgonte përreth Gjirokastrës, vendlindjes së tij.Kur ndeshja gurë në rrugë dhe e asocioja me veprën “Kronikë në Gurë”.
Ndërsa sot po shkruaj disa fragmente në shenjë përkujtimore për të.
Sigurisht që atë sot e përkujtojnë mediat më me ndikim në botë dhe kjo është se çfarë shkruajtën për këtë humbje të madhe.
Në Francë, aty ku dhe zhvendosi krijimtarinë e tij pas largimit nga Shqipëria, mediat i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë.
Media e madhe franceze, France24 shkruan se “Tregimi i tij i sofistikuar – shpesh i krahasuar me atë të George Orwell ose Franz Kafka, kishte në brendësi metaforë dhe ironi për të zbuluar natyrën e tiranisë nën sundimin e Hoxhës, i cili udhëhoqi Shqipërinë nga viti 1946 deri në vdekjen e tij në 1985″.
Media e njohur Le Monde shkruan për ndarjen nga jeta të Kadare.
“Ai shpesh u këshillua të fitonte një çmim Nobel për punën e tij të madhe, e cila u gërmua në mitet dhe historinë e vendit të tij për të zbërthyer mekanizmat e totalitarizmit”.
Radio France internacionale shkruan se Kadare përdori penën e tij si një armë vjedhurazi për t’i mbijetuar diktatorit komunist paranojak të Shqipërisë Enver Hoxha.
“Shkrimtari shqiptar thyen radhët me komunistët e izoluar të Shqipërisë dhe iku në Paris disa muaj përpara se qeveria të rrëzohej në fillim të viteve 1990”, thuhet në artikullin e Radio France International.
“Shuhet romancieri dhe Kolosi i letërsisë shqiptare”, shkruan media prestigjoze Associated Press.
Tregimet e tij alegorike, nën komunizëm, tërhoqën vlerësime ndërkombëtare, por ai këmbënguli se nuk ishte një shkrimtar politik, kështu shkruan media prestigjoze britanike “The Guardian”.
Këtë artikull po e përmbylli me një deklaratë të Kadaresë që e kishte dhënë kohë më parë për AFP.