Arkiva
29 Maj, 2024
Si një person i lindur në vitet e 2000-ta, leximet e para kanë qenë me Abetaren e dikurshme, e rreshtat më unik i gjeja tek “Loja me Topa”, “Harabeli i uritur”, “Jehon kënga e lirisë”, “Gjuha jonë”, “Festa e Abetares”.
Rreshtat rimues, fjalët e thjeshta ishin të preferuarat e mija. Por sikur me kalimin e kohës këta rreshta ndryshuan dhe doja diçka më të komplikuar, diçka që kërkonte më shumë fokus për ta kuptuar thelbin.
Andaj sot kam zgjedhur të i’u sugjeroj një libër me historinë e pabesueshme të forcës dhe miqësisë së vërtetë, të cilin unë e lexova vetëm njëherë deri tash.
KUR ÇAU NIÇJA- IRVIN D.YALOM
Është vepra e famshme e Irvin D.Yalom, ndër më të komentuarat dhe shiturat në botë. Në vepër paraqitet drama e dashurisë dhe vullnetit e cila luhet në mendjen intelektuale, e përcaktuar në shekullin e 19-të në Vjenë.
Zhozef Brojeri, një nga themeluesit e psikoanalizës është në kulmin e karrierës së tij.
Friedrich Nietzsche (Niçe), filozofi i madh europiano-gjerman, është në prag të vetëvrasjes nga dëshpërimi, i pafuqishëm për të gjetur një kurë për dhimjen e tij dhe sëmundje të tjera që e lëndojnë.
Kur Brojeri vendos të trajtojë Niçen me kurën eksperimentale të të folurit, nuk tregon se edhe ai vetë gjente ngushëllim në seancat e tyre.
Pse duhet ta lexoni?
Thirrja e një dite në vitin 1882, do të shpëtonte të ardhmen e filozofisë gjermane.
Dialogu imagjinar mes dy personazheve kryesore nuk realizohet vetëm në zyrë por edhe duke u shëtitur edhe duke pirë kafe. Ata përfundojnë duke u bërë pacientët e njëri-tjetrit, pasi për pikëpyetjet që ngritnin, Niçja ofronte aspektin filozofik ndërsa Brojeri atë psikoanalitik.
Por çka ofron ky libër?
A janë me të vërtetë mendimet, veprimet, ndjenjat dhe marrëdhëniet tona të nxitura nga ndërgjegjja jonë apo prej impulseve të nënvetëdijshme të cilat jo vetëm që s’i kontrollojmë por as nuk i shquajmë dot? Sa nga këto veprime apo mendime janë të vetëdijshme?
Pyetjet që vihen gjatë historisë së librit: “Ç’është miqësia? Dy njerëz që bëhen bashkë në kërkim të një të vërtete më të madhe.”
Nga çfarë përbëhen të vërtetat tona? A janë ato realisht të vërteta apo vetëm iluzione fort të besueshme? Deri ku mund ta njohim ne veten? Nga çfarë përbëhet vetja jonë? A është dëshpërim çmimi që njeriu paguan për vetëdijen e tij? Deri ku na ndihmon psikoanaliza për ta njohur veten? Po filozofia?
“Shpirti i njeriut ndërtohet nëpërmjet zgjedhjeve të tij.”
Fakt: Në të vërtetë, Niçja për pjesën më të madhe të jetës vuajti nga një sëmundje e rëndë, ndërsa gjendja e tij u përkeqësua në vitin 1889 nga sifilisi për të ndërruar jetë në vitin 1900.
Ky libër është ideal për pushimet tuaja gjatë verës apo edhe kur shkoni në pushime bregdetare.