Live Stories from Prishtina

LIVE

10 Tetor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Pas muajsh pritjeje, bllokimesh dhe seancash të dështuara, Kuvendi i Kosovës më në fund është konstituuar.

Në vazhdimin e seancës së së premtes, deputeti Nenad Rashiq u zgjodh nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, duke i dhënë fund një prej ngërçeve më të gjata institucionale të viteve të fundit.

Për Rashiqin votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës zgjodhi të abstenojë. Emri i tij u hodh në votim pasi nëntë deputetët e Listës Serbe dështuan sërish të sigurojnë votat e nevojshme për ta zënë këtë pozitë.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, shpalli Kuvendin zyrtarisht të konstituuar, duke theksuar se “procedura ka qenë e rregullt dhe çdo gjë ka shkuar mirë”. Sipas tij, 71 votat e dhëna janë të mjaftueshme për ta bërë procesin legjitim. “Mendoj që ka qenë një procedurë e mirë dhe e drejtë. Secila parti, nëse ka dyshime, e ka të drejtën t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese,” tha ai pas seancës.

Por pavarësisht këtij momenti formal, polemikat nuk munguan.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e quajti konstituimin “vetëm një konstatim” të kryeparlamentarit, duke shtuar se mbetet për t’u parë nëse ky akt do të jetë vërtet valid.

Nga ana tjetër, Lista Serbe reagoi menjëherë, duke paralajmëruar një ankesë për procedurën e ndjekur. Deputeti i saj, Igor Simiq, deklaroi pas seancës se “Kuvendi nuk është konstituuar” dhe se “është shkelur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, si edhe Kushtetuta dhe Rregullorja”.

Megjithatë, fakti mbetet që pas tetë muajsh nga zgjedhjet, Kuvendi i Kosovës më në fund ka marrë formë të plotë institucionale.

Zgjedhja e Nenad Rashiqit, një figure që shpesh ka qenë e distancuar nga qëndrimet e Beogradit, shihet nga disa si hap drejt funksionalitetit dhe përfaqësimit real të komuniteteve, ndërsa për të tjerët si një vendim politikisht i kontestueshëm.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas “maratonës” për konstituimin e Kuvendit, tani më në fund pritet të nisin procedurat për formimin e qeverisë së re – me Albin Kurtin, siç e quajti ajo, “njeriun më të votuar ndonjëherë”.

Ajo u shpreh se Vetëvendosje është e hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë, përveç Listës Serbe dhe PDK-së, duke kujtuar se me LDK-në dhe Nismën “ka pasur përpjekje”, por që s’u materializuan për mungesë vullneti.

Sipas saj, më shumë se katër muaj “u tretën” në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa sot pavarësisht që vendimi fliste për 13 ditë konstituim PDK “përsëri tentoi të pengojë”.

Në fund, Haxhiu la të kuptohet se Vetëvendosje është gati të ecë përpara me qeverinë, por me një thumb ironik shtoi se, nëse dikush s’e pranon ende rezultatin e zgjedhjeve, “nuk përjashtohet as një xhiro e re zgjedhore”.

Kosova, më shumë se kurrë, ka nevojë te ecë përpara, jo të qëndroj pezull në sallën e Kuvendit, ku dritat rrinë ndezur, por vendimet nuk merren.