Live Stories from Prishtina

LIVE

March 1, 2024

Muhabeti mbi origjinalitetin e muzikës së sotme, bashkëpunimi dhe përplasja e gjeneratës së sotme me gjeneratën e vjetër, koncertet, hapësira në media, funksionimi në bend, heqja e vizave dhe ndikmi i tyre tek performuesit muzikorë?!

Ky është observimi im rreth intervistës së Granit Havollit nga bendi muzikor “Milk Snatchers” në emisionin “Drive Time” me Shukin.

Sensi i humorit të Shukit dhe njohuritë e tij rreth fenomeneve shoqërore në kombinim me përvojën muzikore të Granit Havollit sigurisht që do ta bënin këtë intervistë si diskutimin më interesant që kam dëgjuar këtë javë.

Gjithçka duket më argëtuese kur Shuki e përkthen bukfalisht në shqip emrin e bendit në “vjedhësit e tetrapakit të qumshtit”, kurse Havolli nga ana tjetër e quan “rrëmbyesit e qumshtit”.

SHUKI: Është kriju një gjeneratë e re e artistave të ri e cila është shumë origjinale, me sa duket keni nis me hapë rrugë të reja?

GRANITI: “Ma në fund ka nis me ardh origjinaliteti në shprehi edhe tek ne, pasi interneti e ka bo të vetën, izolimi në anën tjetër ka ndiku deri sa e kemi gjetë zërin tonë. Tash e gjenë çka të pëlqen, ka platforma më të qasshme, muzikën e shpërndan më lehtë, mesazhin që e përcjellë kënga arrin më lehtë tek gjeneratat e reja”.

SHUKI: Sa është vështirë me qenë pjesë e një bendi?

GRANITI: Është vëshirë por ka edhe shumë gjana që e bëjnë me funksionu ma lehtë. E vështirë është ajo ana që nuk je veç vetë për me vendosë por jeni katër-pesë veta në grup edhe duhesh me zgjedhë diçka që është e kënaqshme për të gjithë. Secili i ka influencat e veta por kur është një qëllim i përbashkët qatëherë bohet e lehtë. E pastaj janë edhe shpërblimet që e rregullojnë funksionimin, qofshin ato shpirtërore ose materiale. Mirëpo na përshembull e bëjmë për përmbushje shpirtërore.

SHUKI: A din çka është një dallim prej shekullit të kaluar? Atëherë ka qenë veç një studio në Radio Prishtinë edhe e kanë pas veç një editor, i cili ta ka kqyr trungun familjar pastaj t’ka leju vetëm pesë minuta me inqizu një këngë. Sot gjithçka mbetet online plus është kënaqësi me përcjellë veten sa je pjekë, sa je ngrit profesionalisht edhe sa ke udhëtu.

GRANITI: Kjo është e mira, po qysh po e thekson edhe ti “interneti është përgjithmonë”, duhet me pas kujdes. Ne shumë shpesh nuk kemi dëshirë me lëshu një këngë veç hajt, kemi qejf me u ndal edhe me qëndisë kadal dale. Andaj le të mbetet të paktën rezultati i mirë.

SHUKI: Sendi që ka shumë rëndësi është kur e sheh produktin tënd edhe nuk të vjen marre çka ke realizu. Përveç kësaj unë për veten gjatë rrugëtimit tim në media e kam mësu që kur paguhesh mirë për atë që e realizon ndihesh edhe më mirë. Sa ndodh edhe në këtë fazën që jeni ju? A është përfituese a më shumë shpirtërore?

GRANITI: Në shpirt është primare por nuk ka shumë treg tek ne. Janë disa vende të limituara ku mundesh me përformu këtë lloj të muzikës edhe në këto vende nëse shkon me përformu një herë në muaj, çdo muaj, nuk vijnë njerëzit me të pa se bëhesh bajat. Mirëpo promovimin mendoj që sa është detyrë e pronarëve të lokaleve dhe organizatorëve, aq është edhe e mediave e personazheve të radios që me vendos hapësirë për këtë lloj të muzikës, sepse jemi lodh tu e dëgju “Like a virgin” prej të 90-ve.

Organizimi në nivel dhe zotërimi i skenës, janë disa nga komplimentet që Shuki ja drejton Havollit të cilat personalisht i ka vënë re në performancat që ua ka përcjell.

SHUKI: Qitash po mendoj që është kriju origjinaliteti që më herët vetëm tek Gjurmët është dëgju. Pra është një lloj këndimi i pa sforcuar, një lloj rehatie që e reflektoni, thjeshtë fenomenale. Tregona pak edhe për anëtarët e bendit ?

GRANITI: Vokal është Donat Vatoci, gitarë është Lekë Morina, piano është Viola Rreca, Graniti (pra unë) me tupana si dhe Jon Shala në bass. Të gjithë anëtarët janë rritë me muzikë, Leka edhe Viola janë edhe në fakultet të muzikës. Por edhe në përgjithësi në industrinë e artit është rrit kualiteti i produksionit dhe kreativitetit ka mbetë tash vetëm artistat me punu.

SHUKI: Rock and rolli a po i frikësohet Intelegjencës Artificiale?

GRANITI: Jo, rock and rolli e ka pas atë anën shpirtërore që është dashtë gjithë me kap kitaren edhe me u mundu me nxjerr diçka. Ka gjana që munden me e ndihmu por me zëvëndësu jo. Interaktivitetin që e ki me publiken s’ka çmim që e përshkruan. Momentin kur i sheh njerëzit duke u kënaq me teksin e këngës që ti e ke shënu në një dhomë s’ka ndjenjë më të mirë.

SHUKI: Fiks edhe përformancën në Prishtinë që e keni pas kur u shfaqët në skenë e përvetesuat, tamam ishit rehat në lëkurën tuaj.

GRANITI: Kur i qëndron mbrapa një vepre që e ke bo, duhesh me mbrojtë me vetëbesim, sepse aty qëndron origjinaliteti yt. Nëse nuk thu “hej kjo është kënga jeme, qita kom dashtë me thanë përmes tekstit”, qajo mungesë e vetëbesimit vërehet nga publiku nuk mundesh me gënjy sepse është energji.

SHUKI: Kur jemi edhe tek përplasja e gjeneratave, ty të ka ra me i përjetu dyjat, mes gjeneratës se re edhe asaj të vjetër. Sa i ke vënë re ti? A janë më punëtor? Sa janë kreativa? Sa e kanë egon e madhe? A ka shumë dallim prej ne a jo?

GRANITI: I vetmi dallim që mundem me theksu, është që janë më mendjehapur. I pranojnë këshillat edhe komentet. Egon e kanë më për toke, na ma të vjetër jemi mësu ndoshta me na shtyp edhe e kemi pas gjithmonë një mekanizëm mbrojtës kur jemi përgjigjë. E këto gjeneratat e reja janë më të hapur.

SHUKI: Unë kam mendu që izolimi është duke i ngulfatë krejt fushat, art, muzikë sepse fillon rrin me njerëzit e njëjtë non-stop edhe fillon gjithçka me pa standard. Qysh e ke pa ti tash heqjen e vizave?

GRANITI: Për herë të parë kur kam performu jashtë Kosovës, e kom pa që “o Zot këta këtë muzikë e kanë bo në vitet e 70-ta” edhe e kom vërejtë sa mbrapa jemi. Po krejt çka na mbetet me bo tash e mbas është me qenë mendjehapur me marr informata të reja edhe me i filtru, nëse se ke produktin ma të mirin të paktën e qet versionin tënd jashtë.

Në fund të intervistës Shuki i ka premtu Granitit që njësoj si ka vepru deri sot edhe tash e tutje ka me lëshu muzikë rock and roll dhe ka me promovu çdo produkt muzikor të mirë.

Krejt në fund si informatë për ata që dëshirojnë me dëgju muzikën e Milk Snatchers, grupi në fund të vitit 2023 e ka publiku EP-në (një mini album me katër këngë) e parë të titulluar “Pulse and Pebbles”. Inqizimi i EP-së është realizu tek Dritëro Nikqi ndërsa finalizimin Tomor Kuqi.

Më poshtë gjeni pjesën e shkëputur nga intervista. Për më shumë pjesë si kjo bëni subscribe në kanlalin tonë zyrtarë në YouTube- Paper FM 91.1