Live Stories from Prishtina

LIVE

24 Maj, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Në mes të errësirës mëso të ecësh me besim, sepse dhe nata më e errët dorëzohet përballë agimit. Kohët e vështira janë vetëm prova për të ndarë të vendosurit nga të dorëzuarit. Ti je më i fortë se çdo sfidë. Bëhu ai që ecën përpara kur të tjerët ndalojnë, sepse pas çdo stuhie lind një mëngjes i ri, plot shpresë dhe mundësi.

Çka ndodhi dje në Kosovë?

Një numër i vogël partish dhe 120 deputetë po e mbajnë peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke u tallur me 1.6 milionë qytetarë për herë të 20-të. Mosmarrëveshjet politike dhe insistimi i Vetëvendosjes për votim të fshehtë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit kanë bllokuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke e kthyer procesin në një lojë politike të papërgjegjshme.

Kjo situatë përbën ofendim për qytetarët që morën pjesë në zgjedhje, ndërkohë që ata që i injoruan votimet po dalin më të mençur, pasi rezulton se as vota nuk garanton ndërtimin e institucioneve demokratike dhe funksionale.

Aman bre askush nuk po e konteston të drejtën e VV-së për ta propozuar kryeparlamentarin/en, po propozimi nuk do të thotë me automatizëm edhe votimi i atij personi.

***

Punëtorët e kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” në Prishtinë kanë hyrë në ditën e dytë të grevës, duke vendosur një tendë në oborrin e Komunës për të kërkuar kushte më të mira pune dhe rritje pagash. Pas një takimi me zyrtarë komunalë, përfaqësuesit sindikalë njoftuan se nuk është arritur ndonjë zgjidhje.

Greva do të vazhdojë derisa të plotësohen kërkesat për pagesat e prapambetura (janar-maj), kontratë bazike për shërbimet e rregullta, zgjidhje të statusit të ndërmarrjes, ndërprerje të kontratave me operatorë privatë, përfshirje të kompanisë në vendimmarrje dhe respektim të të drejtave e dinjitetit të punëtorëve.

Fati i madh në këtë situatë, është se moti nuk ka qenë i nxehtë. Sepse në të kundërtën nuk ishte duruar as era, krahas insekteve dhe brejtësve që tashmë i kanë okupuar rrugët e Prishtinës.

***

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka liruar sot nga detyra zëvendësminstrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.

Ky vendim vjen pas deklarimeve të tij se diplomatët ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, duke apostrofuar me emër Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, me veprime të tyre kanë nxitur trazira në veri të vendit.

Kryeministri ka detyrim të ruaj qëndrimin zyrtar të vendit sidomos kur bëhet fjalë për politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare.

***

Edicioni i tretë i Prishtina Soul Kitchen u mbajt mbrëmë, më 23 maj, në ambientin mikpritës të “edhe”. Një natë e mbushur me soul, funk dhe hip hop live, me këngë të përgatitura me kujdes nga një bend i plotë, vokale të jashtëzakonshme dhe një DJ set që mbajti energjinë gjallë deri në fund.

***

Kur kërkon madhështi, jeta nuk të dhuron dhurata, të vë përballë sfidave. Çdo ëndërr e madhe vjen me një çmim: netë pa gjumë, sakrifica të heshtura, zgjedhje të vështira. Ti nuk je ndëshkuar, ti po formohesh. Çdo pengesë është dëshmi se po ecën drejt asaj që ke kërkuar.