Live Stories from Prishtina

LIVE

31 Tetor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Mirëmëngjesi, lexues i dashur! Mos ki frikë asnjëherë të tregosh veten tënde. Reagimin tënd pas një hidhërimi, reagimin tënd pas nervozës që mban brenda, reagimin tënd kur je i lumtur. Sepse ata që do të jenë me ty janë personat që do të duan çdo gjendje tënden.

***

24 orët e së mërkurës në Kosovë

***

Mes vallëzimit, pabarazisë qytetare, vendit ku pagat e sektorit publik janë shumë më të mëdha se ato të privatit, dhe kërkesës për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe pas publikimit të raportit të progresit.

A është prekur një sektor, a është menduar të privilegjohet një shtresë? Ato janë vetëm hamendësime, që tani, pasi është marrë vendimi, mund të flasim.

Mirëpo, kam një pyetje: a nuk ju duket se çdo vendim që merret pas datës së shpalljes së zgjedhjeve dhe që ka implikime financiare, që prek xhepin e një kategorie të qytetarëve, është veprim për efekte elektorale?!

***

Përderisa disa bënin grimin në ambientet e Kuvendit, disa të tjerë shtrëngonin duart, pasi nuk ishin parë prej javësh, duke injoruar thirrjet e opozitës për seanca të jashtëzakonshme. Ndërkohë, Besnik Tahiri dhe Arben Gashi shikonin videot e Ariana Musliut si e ftuar në Klan para disa ditësh. Kur bëhet fjalë për të mirën qytetare, të gjithë i gjen në një vend! Pas thirrjeve nga kryekuvendari për përqëndrim, arritën që me një shumicë të thjeshtë prej 61 votash të kalonin disa ligje, përfshirë edhe atë për pagat e sektorit publik.

***

Një gjë u bë e ditur të mërkurën pasdite.

Përderisa karriga e kryeministrit i rri shumë mirë “luanit” tonë, ai e ka për nderë të tregojë edhe rekordet historike, siç është ai për peshën e kuletës së shtetit për vitin 2025, që do të peshojë 300 milionë euro më shumë.

***

Çfarë janë turnetë e këngëtarëve, kur kemi “turneun e ndryshimit” nga LDK dhe atë në diasporë të Bedri Hamzës?

***

Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliut, dhe zëvendësministrit të tij, Hysen Durmishit, nuk iu desh ujë, kur ia krisën valles prej gëzimit. Ndoshta nuk kishin nevojë për ujë pasi uji i tyre i preferuar nuk po gjendet në treg. Dhe shkaku i gëzimit të madh ishte investimi milionësh për rrugën 6-kilometërshe në komunën e Dragashit. Nuk mbaj mend ndonjë rrugë më të gjatë në këtë qeverisje.

***

Në kinemanë ABC, po shfaqen dy filma historik për nder të 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Më 30 dhe 31 tetor 2024 do të organizohet shfaqja e katër filmave historik shqiptarë.

Më 30 tetor 2024, duke filluar nga ora 18:00, në ambientet e Kinema ABC në Prishtinë do të shfaqen filmat “Përrallë nga e Kaluara” dhe “Gjeneral Gramafoni”. Ndërsa më 31 tetor 2024, do të shfaqen dy filmat e tjerë, “Lulëkuqet mbi mure” dhe “Radiostacioni”.

E vërteta është një dritë që nuk shuhet kurrë; ndriçon edhe aty ku duket se është harruar.”