Dje n’Kosovë
8 Janar, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Mund të duket errësirë sepse je duke provuar shumë. Lehtësisht, lexues, lehtësisht. Mëso të bësh gjithçka lehtë. Ndjehu lehtë edhe kur ndjen thellë. Thjesht lëre që gjërat të ndodhin dhe përballu me to lehtë. Lehtë – është këshilla më e mirë që më është dhënë ndonjëherë. Kështu që hidhe tej barrën tënde dhe ec përpara.
***
Bashkimi Evropian të martën i bëri thirrje Kosovës që ta miratojë Ligjin për liritë fetare, duke u shprehur se kjo çështje është në interes të të gjithë qytetarëve.
Në vitin 2023, në Ohër, Kosova dhe Serbia ishin dakorduar për zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe.
Në nenin 7 thuhej kjo:
“…duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.”
Si një prej vendeve me liri fetare të theksuar, a do ta vë kjo situatë Kosovën përballë një sfide delikate?
Të balancojë detyrimet ndërkombëtare dhe presionet nga BE-ja me ndjeshmëritë e brendshme dhe ruajtjen e integritetit të saj shtetëror? Apo do të tregojë kujdes të veçantë për të shmangur përçarjet sociale dhe politike brenda vendit?
***
Dje u bënë publike sloganet e partive për fushatën zgjedhore 2025, e cila do të fillojë zyrtarisht më 11 janar.
Vetëvendosje garon nën sloganin “Cep më cep!” – të jep përshtypjen sikur këtë mandat nuk e kapëm prej qoshe në qoshe, dhe nëse na e besoni edhe këtë, do ta kapim. Apo ka konotacion tjetër?
PDK – “Kosova mundet më mirë!” – të jep përshtypjen sikur ka lodhje dhe përtesë, sikur pas shumë përpjekjeve po e japim edhe një shtysë të fundit.
LDK – “Bëhu ndryshimi!” – Kënga që kanë publikuar të mbetet në mendje, dhe slogani të fton të bëhesh pjesë e një epoke që premton ndryshim për të gjithë të pakënaqurit me qeverisjen e deritanishme. Por… slogani duket i konsumuar, i vjetër, klishe – sikur e kam dëgjuar disa herë.
AAK – “Për Kosovën fituese!” – Cilën fitore? Fitore nëse largohet qeveria aktuale?
NISMA – “Veç vepra!” – Të kishin qenë në pushtet dhe me më shumë ndikim, ndoshta do të ishte një nga sloganet më të mira. Por, cilat vepra të NISMËS kemi parë deri tani? Apo po premtojnë për një qeverisje me vepra që do të fliten?
Koalicioni për Familjen – Sa përqind të votuesve nga VV do t’i marrë?
Slogani nuk e shoh si përcaktues të fitores për zgjedhje, sepse 80% e atyre që votojnë, pa filluar fushatat fare, e dinë kë do të votojnë. Nuk është se votuesi tradicional ka pritur deri tani për të parë sloganin dhe për të vendosur. Partitë praktikisht analizojnë fillimisht se ekziston një grup i pavendosur, dhe slogani synon pikërisht këtë grup: dikë që herën e kaluar është zhgënjyer. Prandaj thirrja shkon: “Bëhu ndryshimi,” “Kosova me ty mundet më mirë,” “Cep më cep,” etj.
***
Sivjet Brezovica ka borë sa të duash dhe plot skiatorë në ato pak pista që kemi. Por ajo që nuk mungon është atmosfera après-ski në rezortin tonë të vetëm dimëror. Fox Club dhe restoranti janë vende fantastike që sjellin super atmosferë për orët pas skijimit, me DJ lineup të mirë çdo të shtunë të këtij janari.
***
Kraharori më duket i shtrënguar, si një peshë e madhe që është shumë e vështirë për ta mbajtur, por nuk e di si ta liroj. Jam i lodhur, por asnjë sasi pushimi nuk duket se do të mjaftojë për ta mbushur këtë hapësirë. Por prapë, vazhdimisht jam duke kërkuar një rrugëdalje.