Dje n’Kosovë
23 Prill, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Kur merr një vendim, hedh një monedhë (kokë apo pil), jo sepse luan ndonjë rol, as sepse do ta marrë monedha vendimin për ty… por vetëm për faktin që, sa është monedha në ajër, njëra nga anët që ti shpreson, është duke u rrotulluar.
T’i kthehemi realitetit që prekim – çka ndodhi dje në Kosovë?
***
Ngërçi politik për konstituimin e legjislaturës së re pritet të vazhdojë, meqë palët mbetën të palëkundura në qëndrimet për kryeparlamentarin. Në prag të vazhdimit të pestë të seancës konstituive, Lëvizja Vetëvendosje insiston në kandidimin e Albulena Haxhiut, ndërkaq subjektet e tjera kanë përjashtuar çfarëdo mundësie kompromisi përderisa nuk ndryshohet emri i kandidatit.
Qëndrimet e betonuara të opozitës – a thua do të shkapërderdhen nëse ka emra të tjerë për kryeparlamentar?
Kur AAK-ja tha se kryeparlamentarin do ta votonte vetëm nëse do të ishte Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi, a kishte edhe alternativa të tjera në mendje?
Sepse Bogujevci u kthye me një përgjigje:
“Ky diskursi i viktimës të së kaluarës sonë të dhimbshme, kur herë të portretizojnë se po të shfrytëzojnë të tjerët e tash po doni me mendu me gjynah për pozicion. Sa për vlerësim intelektual, profesional, të denjë politik dhe zotësisë për punën time – është zero. Nuk jeni ju ata që na tregoni se kush duhet me qenë zot i shtëpisë më të rëndësishme të Republikës së Kosovës, kur me votë e ka vendosur populli. Ne e kemi propozimin tonë dhe atë do ta mbështesim.”
PDK-ja ka kërkuar ndërrimin e kandidatit, ndërsa LDK-ja ka mohuar mundësinë për të shkuar në takime politike për çështje procedurale.
Kujt i leverdisë më shumë ky bllokim?
***
Gjashtë personave të dyshuar për vrasjen e rreshterit Muharrem Lika u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Ata dyshohen se kanë bashkëpunuar dhe ndihmuar në kryerjen e vrasjes më 1 prill në Kaçanik. Sipas prokurorisë, vrasja dyshohet të jetë kryer nga një i mitur (pasi në ditën që është kryer vrasja, i dyshuari ishte 17 vjeç), ndërsa të rriturit kanë pasur rol në planifikimin dhe fshehjen e autorit. Pamjet e kamerave të sigurisë, komunikimet telefonike dhe lëvizjet e koordinuara të grupit janë përfshirë si prova.
Mbrojtja i ka mohuar akuzat, duke insistuar në pafajësi dhe duke paraqitur alibi për disa nga të dyshuarit.
***
Deklaratë befasuese:
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar rëndësinë e krijimit të një qeverie të re me orientim të qartë pro-amerikan.
Në një intervistë për emisionin “Pressing” në T7, ai u shpreh se një qeverisje që respekton këtë drejtim është e pranueshme, duke theksuar se ai nuk mund të jetë kandidat për kryeministër, pasi nuk ka marrë votat.
“Një qeveri e mirë pro-amerikane e heq taksën ndaj Amerikës, bën një listë veprimesh bashkëpunimi Kosovë-Amerikë. Me Bedri Hamzën – pse jo? Me Lumir Abdixhikun – të dy të mirë, cilido. Unë nuk jam kandidat për kryetar qeverie sepse s’kam marrë vota,” tha ai.
***
Dje, më 22 prill, në Amfiteatrin e Bibliotekës, sopranoja Urta Haziraj ka mbajtur koncertin me artin e muzikës së barokut.
Nën përcjelljen e pianistit Lekë Salihu dhe violonçelistes Gresa Broqi, audiencës ju dha mundësia të frymojë dhe të kthehet pas në kohë përmes veprave muzikore që japin ngrohtësi dhe mesazhe shprese.
***
E kaluara jote është si një libër – me kapituj të mirë dhe kapituj të vështirë. Është shkruar tashmë dhe nuk mund ta fshish. Por mund ta lexosh, të mësosh nga faqet e saj, të kuptosh pse ndodhi çfarë ndodhi dhe si arrite deri këtu. Lexo mos e jeto!