Live Stories from Prishtina

LIVE

5 Nëntor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

I dashur lexues, Anthony Bourdain njëherë tha; “ndoshta kjo është iluminizëm i mjaftueshëm: të dish se nuk ka një vend pushimi final për mendjen; asnjë moment ku e ke të qartë që kjo është kënaqësia që duhej ta arrija dhe këtu do mbetem. Ndoshta mençuria… është të kuptosh sa i vogël jam dhe sa larg kam për të shkuar ende”.

Çka ndodhi dje në Kosovë?

VV e provon sërish, këtë herë me “rotacion të brendshëm”!

Lëvizja Vetëvendosje po e tenton për herë të dytë formimin e qeverisë, megjithëse votat mungojnë po aq sa herën e parë.

Kësaj radhe, në skenë del nënkryetari Glauk Konjufca, të cilin presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar me shpjegimin se “Kushtetuta e detyron”, jo se ka ndonjë arsye tjetër për entuziazëm.

“Kushtetuta nuk i lë hapësirë presidentes për të mos emëruar kandidatin e dytë”, tha ajo, duke theksuar se vepron “për interes të qytetarëve” të cilët, ndërkohë, po humbasin durimin bashkë me institucionet.

Osmani kujtoi se mandati i dytë është i domosdoshëm për të mos humbur “rreth 1 miliard euro” nga BE-ja dhe Banka Botërore, sepse  siç doli qeveritë vijnë e shkojnë, por grantet s’mund të presin.

Në VV, zgjidhja u gjet shpejt: Glauku dhe Albini ndërruan vendet, një “rotacion simbolik” për të shmangur dy palë zgjedhje radhazi.

“Le të vazhdojmë me kabinetin e njëjtë që kam propozuar: unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin,” tha Kurti, që deklaroi se “VV është gati për zgjedhje në çdo muaj të vitit, por më mirë jo tani, se s’ka buxhet.”

Konjufca, i cili tani është kandidati i shpresës së dytë, kërkoi votat e opozitës por jo koalicionin me të. “Po bëjmë kompromisin më të madh të mundshëm: s’është kryeministër Albin Kurti,” u shpreh ai, duke kërkuar që opozita “ta thërrasë mendjen” dhe ta votojë, të paktën për buxhetin.

Por opozita nuk duket e impresionuar nga ky “kompromis historik”. PDK-ja e quajti situatën “realitet të qartë pa shumicë”, LDK foli për “shfaqje teatrale”, ndërsa Ramush Haradinaj e quajti gjithë procesin “farsë kushtetuese për kapje institucionesh”.

Nisma Socialdemokrate, në stilin e vet të qetë, kujtoi se “nuk ekziston shumicë parlamentare” dhe se zgjedhjet janë e vetmja rrugë.

Për momentin, përkrahje i ka dhënë vetëm grupi multietnik, që gjithmonë është i gatshëm t’i urojë suksese kujtdo që e merr radhën.

Konjufca ka 15 ditë për të paraqitur kabinetin dhe programin e tij, edhe pse duket se askush nuk është i sigurt nëse do të ketë qeveri apo vetëm një tjetër tentim për t’u futur në histori si “mandatari që provoi pa numra, por me shpresë.”

Nëse dështon edhe ky raund, Kushtetuta, për fat e di çfarë duhet bërë: zgjedhje të reja, brenda 40 ditësh.

***

Pak jashtë temës prej asaj që e diskutuam, po dorën në zemër ma shumë për momentin jom e interesuar për mish të pules.

Asnjë pulë, rosë apo vezë me pasaportë italiane s’do ta kalojë kufirin për të hyrë në Kosovë, të paktën tash për tash.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka nxjerrë një urdhër që tingëllon si skenar filmi për pula: “Ndalohet hyrja e çdo zogu italian në territorin e Republikës së Kosovës.” Kjo pasi një grip që po qarkullon mes shpezëve në Itali, konkretisht në rajonet Emilia-Romagna dhe Lombardia, dy vende që tashmë s’janë vetëm sinonim për pastën e mirë dhe modën, por edhe për virusin H5N1 me patogjenitet të lartë.

Kështu që pulat e Kosovës mund të marrin frymë të lira, s’kanë konkurencë as në treg as në tigan.

***

Bashkimi i Prizrenit ka shënuar një nga fitoret më të mëdha në historinë e klubit, duke mposhtur skuadrën e njohur kroate, Cibona Zagreb me rezultat bindës 89:69 në palestrën “Sezai Surroi”. Kjo ishte fitorja e parë e Bashkimit në FIBA Europe Cup, në edicionin e tyre debutues në garat evropiane, ndërsa për Cibonën, humbja e parë pas tri fitoreve rresht në Grupin J.

***

Udhëtimi të ndryshon. Ndërsa lëviz nëpër këtë jetë dhe këtë botë, i ndryshon gjërat paksa, lë gjurmë pas, sado të vogla qofshin dhe në kthim, jeta dhe udhëtimi lë gjurmë tek ty.