N’Kosovë
5 Shkurt, 2026
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Ti miku im i përhershëm ndoshta nuk e ke menduar këtë perspektivë: “Gjithçka është e përkohshme”, është lajmi i keq, e njëjta është edhe lajmi i mirë. Pra nëse gjërat janë duke ecur mirë, shijoje se nuk zgjatë përgjithmonë apo nëse gjërat po ecin ters, mos u shqetëso nuk do të zgjas përgjithmonë.
Njëjtë është edhe me vendet ku jetojmë, në këtë “terr” me u mundu me gjet pak dritë, e në dritë mos me harru qysh ka qenë errësira. (kjo bile gjen zbatim në të gjitha fushat e jetës).
Çka ndodhi në Kosovë këto ditë?
Ah, çfarë lehtësimi! Ministrja Rizvanolli na ka qartësuar se Kosova po hyn në “periudhën sfiduese” të energjisë elektrike: blloqet e KEK-ut duhet të ndalen për disa muaj, sepse n’KEK po bëhen investime që nuk janë bërë… që prej 40 vjetësh.
Kush nuk ka qejf more për pak, pakkkk sakrificë në jetën e përditshme që me pa dritë “gjeneratat e ardhshme”?
E natyrisht, importi i energjisë do të jetë më i lartë, sepse, siç na tregon ministrja, ka arsye “objektive”. Aa edhe po, KESCO ka bërë kërkesë për rritje çmimi 21% por kjo nuk na shqetëson, sepse nuk ka vendim ende… gjithmonë ka kohë për të shijuar tensionin e rritjes së faturave elektrike.
***
Pra, për të përmbledhur: më shumë import, më shumë sakrificë, më shumë investime që nuk janë bërë për katër dekada, dhe një rritje e çmimit që ende nuk është vendosur. Një lloj “energji avanturë” që të gjithë duhet ta duam.
Tash, të gjithë ata që janë të huaj ose vizitorë në Kosovë mund të marrin informacion pa pagesë, vetëm me një telefonatë.
Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur linjën falas 0800 46 757, ku mund të thirret për çdo paqartësi rreth qëndrimit në Kosovë, dokumenteve apo qarkullimit të automjeteve me targa të huaja. Linja ofron sqarime zyrtare në shqip, serbisht dhe anglisht, me synimin që vizitorët dhe të huajt ta kenë më të lehtë qëndrimin dhe lëvizjen në vend. Kjo fushatë informuese do të jetë aktive deri më 15 mars 2026.
***
Qe një vendim tjetër që lë mundësi për krizë institutcionale
Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë të pakufizuar Listës Serbe që të propozojë kandidatin për nënkryetar Kuvendi edhe pas ezaurimit të të gjithë emrave të deputetëve të saj brenda afatit 30-ditor për konstituim. Sipas Gjykatës për sa kohë që Lisa Serbe nuk refuzon të japë propozime, procedura e shortit nuk vjen në shprehje.
Megjithatë, vendimi nuk përcakton asnjë masë konkrete në rast se shumica parlamentare refuzon ta zgjedhë kandidatin e propozuar nga Lista Serbe.
Pikërisht këtë mungesë e ka kritikuar ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu, i cili ka vlerësuar se Gjykata është mjaftuar me interpretimin formal të Kushtetutës, pa dhënë përgjigje për situatat e bllokadës politike.
Sipas tij, edhe pse parashihet që kandidati të propozohet tri herë, nuk ekziston asnjë mekanizëm që e detyron shumicën ta votojë kandidatin.
****
Një fond për t’i ndihmuar të prekurit nga vërshimet për dëmet e shkaktuara?
Pas vërshimeve të fundit në Kosovë, komunat kanë pranuar rreth 3,000 kërkesa për kompensim dëmesh nga qytetarë, biznese dhe fermerë, ndërsa numri pritet të rritet. Komunat më të prekura janë Peja, Gjakova, Skenderaj, Fushë-Kosova, Drenasi dhe disa të tjera.
Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, vlera e dëmeve të raportuara deri tani arrin rreth 1.9 milionë euro, por kjo shifër është ende e pjesshme. Asociacioni vlerëson se komunat nuk kanë kapacitete buxhetore për t’i mbuluar këto dëme dhe kërkon nga Qeveria e Kosovës krijimin e një fondi të posaçëm dhe aktivizimin e mekanizmave emergjentë financiarë për kompensimin e të prekurve.
***
