Arkiva
25 Mars, 2024
Ajo do të diplomonte për aktrim në klasën e profesorit Faruk Begolli ndërsa talentin e saj do ta shkrinte në teatrin, Dodona ndoshta edhe në teatro me nam botëror.
Tagjedia më e madhe e kësaj ëndrre u shua më 22 mars të vitit 1999, kur ajo u vra nga forcat paramilitare serbe në një prej kafeneve në kryeqytet teksa po festonte edhe me kolegët tjerë aktorë.
Sot janë bërë 25 vite që kujtimet rreth Adriana Abdullahut diskutohen dhe përkujtohen në seanca përkujtimore, teksa ajo gjithmonë mbetet në zemrat e të gjithëve që patën rastin ta njihnin.
Rezistencën e saj dhe pasionin për të bërë atë që donte i’a ndërprenë në moshën 23 vjeçare, teksa katër ditë para vrasjes kishte luajtur në shfaqjen “Ushtari mburravec”, si për çudi ky emër edhe pushtonte ndjesinë e situatës.
Adriana ishte aktore e gjeneratës së aktorëve Xhejlane Godanci, Armond Morinës, Bekim Lumit, Xhevdet Dodës dhe Luan Jahës.
Abdullahu do të luante edhe në shfaqjet “Martesa”, “Shtatë ngjyra lumturie”, “Maturantët”, “Mbreti Ibish” e në shfaqjen “Stjuardesat”. Ka luajtur edhe në projektet televizive “Elefantët fluturojnë në Hollywood”, “Shihemi në gjyq, bac” dhe “Darka e dreqit”.
Para se të largohej me familjen për në Maqedoni, aktorja u kthy edhe një herë në Prishtinë.
Pasi kishte parë shfaqjen e diplomës së kolegëve të saj, do të bëheshin bashkë në kafenenë “Magic”. Të shtënat drejtë kësaj kafeneje në mbrëmjen e 22 marsit ia morën jetën.
Kolegët e saj do të mobilizoheshin të mbanin një mbledhje komemorative në teatrin ku ajo luante, por do të gjendeshin përballë dyerve të mbyllura nga forcat serbe që nuk lejuan mbajtjen e kësaj ceremonie.
Adriana ishte vajza e dytë e familjes Abdullahu nga qyteti i Ferizajit, ku sot teatri i këtij qyteti mban emrin e saj, “TEATRI ADRIANA”.
Në përvjetorët e dikurshëm, në këtë teatër qëndroi ekspozita e gjësendeve të saj personale si; djepi i Adrianës, karriga dhe tavolina e mësimeve, fotoalbumi i saj, byzylyk, çanta, cigarja e fundit e saj në çastin që u vra, të gjitha këto në “Këndi i Adrianës”.
Kurse me të njëjtin qëllim këtë vit gjësendet e saja personale u bartën në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Në ceremoninë e këtij viti, morën pjesë krerë shtetërorë dhe famijarë të Adrianës, ku dikush ndau kujtimin për të, dikush raportin shoqëror me të, dikush raportin kolegial, dikush ndikimin e artit të saj e dikush edhe kontributin dhe rolin e një artisteje në ndërtimin e imazhit të një vendi.
Motra e aktores, Drita Abdullahu tha se Adriana e kishte shijuar magjinë e skenës deri në frymën e fundit, ani pse nuk jetoi gjatë.
“Humbja e Adrianës është një plagë që vazhdon të kullojë dhimbje. Adriana si artiste e re nuk arriti kurrë të shijojë profesionin e saj në liri, profesionin që aq shumë e donte”, tha ajo.
Ndërsa kryeministri Kurti e nderoi kujtimin për të duke e quajtur “Engjulli i Dodonës”.
“Magjia e Adrianës jeton mes nesh dhe vazhdon të na frymëzojë. Adriana quhet ‘Engjulli i Dodonës’, teatri i qytetit të saj, Ferizaj, quhet Teatri ‘Adriana’, sepse një shpirt si ai i Adrianës nuk mund të shuhet”, ka thënë kryeministri Kurti.
Adriana Abdullahu lindi në qytetin e Shkupit më 1976. Në Ferizaj vazhdoi shkollimin, ndërsa studimet në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Teksa teatri i Ferizajit mban emrin e saj, në krahun tjetër teatri “Dodona” do të themelonte çmimin “Adriana”, që e ndante për çdo vit për aktoren më të mirë në kuadër të organizimit të dikurshëm të festivalit ndërkombëtar të studentëve “Skena UP”.