Live Stories from Prishtina

LIVE

September 1, 2023

Autore: Rozafa Bashota

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Si shoqëri, të gjithë kemi dështu.

Kom dështu unë që nuk kom luftu mjaftueshëm kundrejt kësaj dukurie. Kom bërtit, kom shajt, i kom mendu gjërat ma t’këqija, por si rrjedhojë nuk kom ndërmarrë asgjë për me gjetë një zgjidhje.

Në momentin kur një padrejtësi ka ndodhë, unë kom zgjedh mos me fol sepse kështu jemi mësu – me i shtyp mendimet dhe emocionet tona, me mendu dhe me vepru si shumica.

Si shoqëri kolektiviste që jemi, ne brengosemi më shumë se çka mendon tjetri për ne, sesa ne për veten, sepse në rend të parë neve as nuk na lejohet të mendojmë për vetveten.

Prej fëmijërisë, neve na obligohet një sjellje, një mendim, një veprim.

Prej fëmijërisë, neve na instalohet mendimi se si duhet ta jetojmë jetën tonë.

Prej fëmijërisë, neve na shtypen emocionet dhe ndjenjat tona.

Jo vetëm prej familjes, por prej krejt shoqërisë. Ne ndihemi të paragjykuar në cilindo hap që marrim për shkak se secili nga to konsiderohet që nuk është i duhuri apo se duhet të ishte pak më ndryshe.

Nuk kemi empati.

Ne si njerëz nuk bashkëndjejmë me tjetrin. Përkundrazi, ne zgjedhim me plot vetëdije të ofendojmë një vendim të tjetrit, qoftë ai i divorcit apo edhe i martesës me një komunitet tjetër. Ne e paragjykojmë dashurinë, si ndjenjën kryesore të jetës së njeriut – e cila krijohet, pa kontrollin tonë por ndjehet me krejt qenien tonë.

Ne e kritikojmë dhe e paragjykojmë tjetrin me vetëdëshirë. Sepse kjo mënyrë na është mësuar neve, duke nisur nga familja, shkolla e deri tek vendi i punës. Ne jemi fajtor në një mënyrë sepse nuk e ndjejmë dhimbjen e tjetrit, kur ka nevojë për përkrahje të çfarëdo lloj forme, por vetëm atëherë kur merr përmasën mediale. Në raste të tilla bëhemi oportun apo i injorojmë rastet e tilla të ngjashme.

Ne nuk e duam ndryshimin.

Frika dhe paragjykimi janë probleme rrënjësore në shoqërinë kosovare.

Ne i frikësohemi ndryshimit sepse na pëlqen komforti ynë. Ne e paragjykojmë tjetrin sepse kështu lirohemi nga komplekset tona.

Ne i imponohemi një realiteti të dhunshëm dhe nuk parandalojmë aktet e shëmtuara të shoqërisë njerëzore, por merremi me to pasi ato vërshojnë nëpër mediume sociale. Ne apstenojmë nga vendimmarrja sepse na mungon guximi njerëzor, intelektual dhe shoqëror dhe solidariteti me njëri-tjetrin, që ka qenë virtyt i lartë tek shqiptarët.

Ne kënaqemi me fatkeqësitë e njëri-tjetrit.

Në shoqërinë tonë, mungon bashkëpunimi dhe koordinimi midis institucioneve vendimmarrëse dhe përgjegjëse. Kështu pësojnë njerëzit e pambrojtur dhe kështu shoqëria jonë pëson degradim moral, i cili rikthen një kujtesë historike jo të favorshme për liritë dhe të drejtat njerëzore.

Pra, dalëngadalë po mësohemi me shumë të këqija që po ndodhin në mesin tonë. Bëhemi adapt, nuk reagojmë, i mbyllim sytë para të vërtetës, bëhemi të shurdhur, jo rrallë edhe kënaqemi me fatkeqësinë e njëri-tjetrit.

Fatkeqësisht, ky është një fenomen që e përcjellë një pjesë të shoqërisë kosovare.

PO! Ne e kemi humbur sensin njerëzor.