Live Stories from Prishtina

LIVE

13 Tetor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

A e di çka kanë të përbashkët fëmijëria jote edhe faza kur je prind? Fjalinë: “hala gjysmën e jetës se ke pa”.

Edhe e vërtetë është, dje e kuptova ma mirë, kur si qytetare 25-vjeçare, po i përjetoja për herë të gjashtë zgjedhjet lokale në Kosovë. E mësova që politika i mbytë lidhjet dhe anasjelltas lidhjet e mbytin politikën.

Dje dikush ka fitu një shancë të re në jetë, për të përfaqësuar zërin e njerëzve që e kanë votuar, dikush ka pasur fatin të rizgjedhet dhe dikush ka marrë vendim të tërhiqet nga politika.

Cilado që të ketë ndodhur apo të ju ketë ndodhur, dje keni fituar dhe keni humbur diçka.

Çdo herë që zhvillohen zgjedhjet në Kosovë, e kam ndjenjën e festës së Bajramit, ndoshta do ta quani krahasim koti, po gjith je në pritje të diçkaje, sikur për mysafirin që vjen me provu ëmbëlsirën e Bajramit.

Prej kur kam të drejtë vote, por edhe familjarisht asnjëherë nuk ua kemi huq zgjedhjeve, jemi dalë e kemi bërë zgjedhjen që kemi mendu dhe besu që është e duhura për vendin apo komunen ku jetojmë.

Gjërat kanë ndërru, njerëzit nuk janë si dikur, kujt ia besojnë zhvillimet e veriun, e me kuvend e vlerësojnë tjetër kë, e kujt ja vlerësojnë nënkalimet, rrugët e shkollat e vlerësojnë tjetër kënd. Pra ndryshe votohet për nacionale e ndryshe për ato lokale edhe rezultati nuk e provon të kundërtën.

Për me përmbledhë se kush fitoi-fitoi, e kush shkon në balotazh dhe kujt ju këputën pritshmëritë, mbrëmë u bë e ditur shumë më shpejtë se për zgjedhjet nacionale, ende pa shku me fjetë e kemi pa fituesin e komunave tona dhe vendeve tjera që kanë pasë rëndësi për ne.

Me një pjesëmarrje prej 39.5 për qind, më e ulët sesa në zgjedhjet lokale të vitit 2021, gara solli rezultate të ngushta në shumicën e komunave, të cilat do të shkojnë në balotazh.

Numri i votuesve nuk luan shumë, zakonisht gjithmonë ka qenë tek 800 mijë.  Rreth 44 mijë prej tyre kanë mundur të votojnë me postë nga jashtë vendit në periudhën 17 shtator – 11 tetor.

Në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë – gara mbetet e hapur pasi asnjëri prej kandidatëve nuk siguroi mbi 50 për qind të votave.

Ani pse exit poll-i i UBO-s, dha tjetër alarm në ora 19:00, për Mitrovicë ia dha 50% Arian Tahirit të PDK-së, duke e alarmu krejt VV-në.

Janë 21 komuna që sipas rezultateve preliminare, po shkojnë me përfundim të garës që në rund të parë.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultateve preliminare, ka fituar pa balotazh në Ferizaj, Skenderaj e Han të Elezit, por u thye në bastionin e saj historik, Drenas, nga kundërkandidati që deri para zgjedhjeve të fundit ishte pjesë e PDK-së, Ramiz Lladrovci.

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë mbi 50 për qind të votave në Kamenicë, Podujevë e Shtime. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Deçan e Klinë. LDK-ja ka arritur fitore me të parën në Istog e Lipjan.

Nisma ka fituar në Malishevë e KDTP-ja në Mamushë.

Ndërkohë, Lista Serbe i ka fituar shumicën e komunave me shumicë serbe duke fituar pa balotazh në Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin-Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh e Mitrovicë të Veriut. Por kjo parti do të shkojë në balotazh në Kllokot.

Nëse bëjmë një kalkulim të votave për kryetar, partia më e votuar del LDK, pasohet nga PDK dhe pastaj LVV.

Çysh ka me rezultu nuk i dihet, çysh do të përformohet në balotazh nuk i dihet, por kjo është deri sot.