Dje n’Kosovë
15 Maj, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Gjithë jetën e kam kaluar duke kujtuar të kaluarën. Edhe kur isha 17 vjeç dhe nuk kisha shumë për të kujtuar, mendoja se viti i kaluar kishte qenë më i mirë. Tani, kur kam çfarë të më mungoj, njerëz që nuk janë më, ditë që nuk kthehen, e kuptoj se jetoj më shumë në kujtime sesa në të tashmen. Dhe nesër do të më mungoj e sotmja. Do të pyes veten ku iku koha, ndërkohë që ajo është këtu, tani, para meje. Truri zbukuron kujtimet, por zemra ka nevojë për praninë. Sepse e djeshmja mund të duket gjithmonë më e bukur, por është e sotmja ajo që na formon kujtimet e nesërme.
Çka ndodhi dje n’Kosovë?
Nëse hynë nëpër shumicën e shtëpive tek shqiptarët çka i identifikon është pastërtia, po si të shkon pak përtej oborreve të tyre, na identifikon bërlloku.
Shumë i vërejtshëm ka qenë dje, ku sakëzat, farat dhe shishet e plastikës na e mbuluan kryeqytetin!
Kompania “Pastrimi” ndërmarrje publike, që ofron kushtet për mirëmbajtjen e kryeqytetit, ka ndalur shërbimet për mbledhjen e mbeturinave në tërë Prishtinën!!! A e dini more që kemi mujt me marrë ndonjë sëmundje prej krejt atij bërlloku?? Jo dy ditë, po veç një ditë me kalu pa pastrimin e tyre, është gjëja më e shëmtuar vizuale e një kryeqyteti.
E çysh tek, me cilat kompani private nuk e dimë, po mbramë pas orës 19:00, kryetari Përparim Rama, ka siguruar largimin e mbeturinave në kryeqytet, duke e titulluar “Sabotimi nuk kalon!”
Tash a është kjo “fërrk”, personale mes menaxhmetit të “Pastrimit” dhe qeverisjes aktuale të Prishtinës, apo njëmend komuna ja ka borxh 2.7 milionë euro “Pastrimit” çysh këta të fundit po e potencojnë, apo çysh po pretendon Rama i Prishtinës, se Komuna i ka dhanë mbi 11 milionë për detyrimet kontraktuale që ja ka pasë kësaj kompanie e borxhin e ka 0, ai mbetet mister, deri sa nuk vërtetohet, ne prap na mbetet me tregu dy anët??!!
Po zanafilla e këtij muhabeti ka nisë kur, në dhjetor të 2024-ës, me inicimin e PDK-së dhe me ndihmën e LVV-së, Asambleja Komunale në Prishtinë ka votuar për plotësim-ndryshimin e Rregullores së re për mbeturina. Në të thuhet se arkëtimi i faturave për qytetarët e Prishtinës bëhet nga kompania “Pastrimi” dhe jo nga Komuna e Prishtinës. Andaj deri në fund të vitit 2024 ka pasur një kontratë me Komunën dhe ka pasur një pagesë të sigurt mujore prej 420 mijë eurosh e këtë tani nuk e ka më. Kështu kjo ka dërguar deri tek një kolaps financiar, që Pastrimi mos me mujt m’i qitë as dy kamiona për me largu mbeturina se s’ka pare as për naftë!!!! Katastrofike!!
****
Presidentja Vjosa Osmani do t’i nisë sot takimet me liderët e partive politike edhe pas së enjtes, 15 maj, për zhbllokimin e situatës politike.
Ajo ka thënë se secili duhet ta vë interesin shtetëror si primar, ndërsa shtoi se moskonstituimi i Kuvendit e rrezikon funksionimin kushtetues të institucioneve.
Po çka kanë me folë, nëse insistimi për votim të fshehtë vazhdon me qenë në tavolinë? Ata qe 15 seanca s’kanë çka me folë, e tash veç se i grumbullon presidentja folin a? Plus tash që veç se filloi një aderim i deputetes nga LDK-ja në LVV. Kjo kërkesë për votim të fshehtë ose është kërkuar për të fituar kohë për lëvizje tjera ose për blerje të deputetëve me prapavija tjera, që historia vetë na tregon, mundet me qenë më së shumti pozita pune?!!
***
Çmimet e produkteve ushqimore dhe shërbimeve në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë prillit të këtij viti, duke e bërë jetesën edhe më të vështirë për qytetarët. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është rritur për 3 për qind krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Rritjet më të mëdha janë regjistruar te kafeja, çaji dhe kakao me 16.4 për qind, transporti brenda vendit me 13.1 për qind, pemët me 11.1 për qind, mishi me 10.1 për qind dhe qumështi, djathi e vezët me 7.9 për qind. Ndërkohë, vetëm çmimi i vajit është rritur për 0.29 euro për litër.
Të ballafaquar me këtë shtrenjtim të vazhdueshëm, qytetarët thonë se çmimet janë bërë të papërballueshme.
Çfarë thua lexues, a do të mjaftojnë të ardhurat aktuale për të përballuar jetesën në muajt që po vijnë?
***
A është Kosova gati të bëjë kompromiset që kërkohen për të ecur drejt integrimit evropian?
Vizita e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka bërë të qartë se heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës mbetet e kushtëzuar me shtensionimin e situatës në veri të vendit. Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë bashkë me presidenten Vjosa Osmani, Costa u shpreh se shpreson që ngjarjet e fundit të mos jenë shenjë e një prirjeje destabilizuese.
“Këto masa janë të lidhura me nevojën për të deeskaluar tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Dëshiroj që sa më shpejtë të arrihet shtensionimi dhe të mund të ecim përpara drejt heqjes së këtyre masave”, tha ai.
Costa theksoi gjithashtu se e ardhmja evropiane e Kosovës varet nga përkushtimi i saj ndaj dialogut me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe nga përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
***
Ka gjëra që mund t’i përjetosh vetëm kur je gjallë. Barin mund ta ndjesh edhe më vonë, shiun mund ta dëgjosh kudo që të jesh, ndoshta edhe të qeshurat e fëmijëve a lotët e miqve vite pas largimit. Por ajo tavolinë me ushqim që të pret vetëm tetë minuta larg ajo është tani dhe është për ne. Unikja e të qenit gjallë janë shpikjet e vogla: patatet e skuqura përkrah mishit me speca të fërguar, njerëz që hapin dyert kur të gjithë të tjerët festojnë, kujtimet që vetëm neve na mbajnë ngrohtë.