Live Stories from Prishtina

LIVE

14 Shtator, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës së djeshme me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Një rrëfim i pesë viteve të Gjykatës Speciale

Në Hagë, mijëra qytetarë u mblodhën për të protestuar në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër zhvillimeve të diskutueshme në Dhomat e Specializuara. Mes tyre ishte edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, një emër i njohur për rolin e tij diplomatik në vitet e pasluftës.

Bosch, i cili dikur kishte mbështetur idenë e themelimit të Gjykatës Speciale, tha se përvoja e mëvonshme e kishte bindur të ndryshonte qëndrim. Ai u shpreh se proceset gjyqësore nuk kishin pasur seriozitetin e pritur dhe se Gjykata kishte nisur ta shtrembëronte realitetin e luftës së Kosovës.

“Kam qenë i pranishëm në diskutimet e NATO-s gjatë vitit 1999 dhe aty çdo mëngjes thuhej se UÇK-ja ishte ‘këmbësoria e NATO-s në terren’. Të cilësosh një organizatë të tillë si kriminale është jo vetëm padrejtësi ndaj shqiptarëve, por edhe fyerje për vetë NATO-n, e cila nuk bashkëpunon me grupe kriminale,” theksoi ai.

Deklaratat e Bosch u pritën me duartrokitje nga turma, në një kohë kur procesi ndaj krerëve të UÇK-së ka hyrë në një fazë vendimtare.

Nga marrëveshja e munguar në Washington, te bankat e të akuzuarve në Hagë

Historia e Gjykatës Speciale mori kthesën e saj më 24 qershor 2020. Në ditën kur Hashim Thaçi ishte nisur drejt Washingtonit për një takim historik me presidentin amerikan Donald Trump, Prokuroria e Speciales publikoi aktakuzën ndaj tij dhe Kadri Veselit. Marrëveshja e shumëpërfolur mes Kosovës dhe Serbisë në Zyrën Ovale nuk u nënshkrua kurrë.

Thaçi u kthye në Prishtinë, ku deklaroi para qytetarëve se lufta e UÇK-së kishte qenë e drejtë. Por zhvillimet e mëvonshme do të përshkallëzonin edhe më shumë tensionet. Në shtator 2020, dosje të fshehta të Speciales u dorëzuan në mënyrë misterioze në zyrat e Veteranëve të Luftës. Publikimi i tyre solli arrestimin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, të cilët më pas u akuzuan për pengim të drejtësisë.

Në nëntor të atij viti, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në Hagë. Aktakuza ndaj tyre i cilësonte si pjesë të një “Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale”, duke goditur në thelb legjitimitetin e UÇK-së.

Të katërtit u deklaruan të pafajshëm. Procesi, megjithatë, u zvarrit për më shumë se dy vite me çështje procedurale. Vetëm në prill 2023 nisi gjykimi në formë të plotë, por seancat ishin shpesh të mbyllura për publikun dhe dëshmitë shpesh përfshinin tregime personale për prona, borxhe e mosmarrëveshje private, duke ngritur dyshime mbi seriozitetin e akuzave.

A është kjo faza finale?

Prokuroria përfundoi paraqitjen e dëshmive më 15 prill 2025. Tani, që nga 15 shtatori, është radha e mbrojtjes. Në Hagë pritet të dëshmojnë figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë personalitete amerikane dhe britanike, të cilët do të mbrojnë legjitimitetin e luftës së UÇK-së dhe të rrëzojnë pretendimet e prokurorisë.

Seancat e fundit me dëshmitarë pritet të përfundojnë në fund të nëntorit, ndërsa fjalët përfundimtare me shkrim do të dorëzohen në dhjetor. Vendimi i gjyqtarëve, që tashmë shihet me dyshim për shkak të anshmërisë së pyetjeve në favor të prokurorisë, pritet të shpallet në fillim të vitit 2026.

Pesha e procesit dhe humbjet njerëzore

Përtej betejës ligjore, këto pesë vite kanë qenë të rënda për të akuzuarit dhe familjet e tyre. Kadri Veseli humbi të dy prindërit gjatë kohës në paraburgim; Hashim Thaçit iu nda nga jeta i ati, të cilin arriti ta vizitonte vetëm pas shumë lutjeve.

Ndërkohë, mijëra qytetarë kanë vizituar Hagën për të shprehur mbështetjen e tyre, dhe protesta të mëdha janë zhvilluar në Prishtinë e në kryeqendrën holandeze.

Një drejtësi që mbetet e kontestuar

Deklaratat e ish-ambasadorit Bosch janë vetëm një reflektim i një pakënaqësie më të gjerë ndaj Speciales. Për shumë kosovarë, kjo gjykatë shihet si selektive, e cila ka zgjedhur të ndjekë vetëm pjesëtarë të UÇK-së, ndërsa krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës nuk janë adresuar.

Me afrimin e shpalljes së aktgjykimit, tensioni politik dhe shoqëror pritet të rritet. Përkrahësit e UÇK-së kërkojnë një vendim që ta njohë rolin e saj në çlirimin e Kosovës, ndërsa skeptikët e procesit paralajmërojnë se një padrejtësi tjetër historike mund të jetë në horizont.