Live Stories from Prishtina

LIVE

30 Tetor, 2024

Shkruan: Uran Bajrami

 

Një natë, në të cilën trupi im është pëlhurë e brishtë, duke pritur me padurim t’i dhurohet jetë. Atë që gjithmonë e maskoj, sonte e shfaq të ekzagjeruar. Pranoj veten të plotë, si bukurinë edhe të shëmtuarën. Si guximin shtatlartë edhe frikën që më tret në errësirë.

Si ndershmërinë që bashkon, edhe ligësinë që ndan. Shpirti më ndodhet në një trup, pa turp.

Të qenit plotësisht i lirë nga gjykimet, nën arsyetimin se sonte jam dikush tjetër. Por, cfarë nëse sonte më shumë se kurrë, jam vetvetja?

(Prozë poetike shkruar nga Uran Bajrami)

 

Mendime të tilla më rëndojnë, kur e analizoj dukjen time përfundimtare apo “pëlhurën plotë jetë”. Nuk mund të ndalem së menduari: Çfarë qëndron pas tërheqjes mes meje dhe karaktereve që e kanë inspiruar dukjen time?

Tradicionalisht këtë festë mund ta kemi parë si diçka të errët apo të ligë, por që unë e shoh si një mundësi ideale për të reflektuar dhe për t’u thelluar në vetvete.

Historiku:

Sidoqoftë përkundër përceptimit personal, kjo natë, që e njohim si Halloween, në të vërtetë, lindi rreth 2000 vjet më parë, tek populli i lashtë indo-evropian i quajtur keltë. Për keltët, 1 nëntori shënonte fillimin e vitit të ri, datë e cila përfaqësonte fundin e verës dhe hyrjen në një periudhë të errët dhe të ftohtë, që shpesh lidhej me vdekjen.

Ata besonin se natën përpara vitit të ri, fantazmat riktheheshin në botën e të gjallëve, duke krijuar një kufi të paqartë mes jetës dhe vdekjes. Për t’u mbrojtur nga shpirtrat e ligë, keltët maskoheshin me kokë dhe lëkurë kafshësh. Më vonë, festa u ndikua edhe nga besime të tjera fetare, duke krijuar kështu Halloween-in që njohim sot.

Ashtu si në kohën e keltëve, për të cilët natën përpara vitit të ri zbeheshin kufijtë mes jetës dhe vdekjes, edhe sot, Halloween-i simbolizon një natë ku kufijtë mes reales dhe imagjinares zhduken.

Në këtë natë edhe ne maskohemi. Por ndoshta, orë të tëra të përgatitjeve, grimosjes dhe zgjedhjes së kostumit, rezultojnë në të kundërtën e qëllimit tonë.

Duke ndjerë përgjegjësi ndaj të gjithëve që keni klikuar këtë artikull me shpresën për sugjerime kostumesh, pas një kohe shumë të gjatë reflektimi më duhet të ofroj vetëm një sugjerim:

Shfaqni botës verzionin tuaj më të ekzagjeruar (karakterin tuaj më të vërtetë) – “Lakuriq”. Mos kini frikë të tregoni veten tuaj të liruar nga maskat dhe rolet që shoqëria ju detyron të mbani çdo ditë. Në fund të fundit, nëse askush nuk e pëlqen “lakuriqin” tuaj, gjithmonë mund të thoni: “Ishte thjesht një kostum”.

Për tu thelluar në atmosferën e Halloween-it, si sugjerim, kam përzgjedhur 5 këngë të cilat trajtojnë tema që përputhen me esencën e këtij artikulli.

1. “No Church in the Wild” – Jay Z, Kanye West, Frank Ocean 

Kënga sfidon konceptet e hierarkisë së jetës, monogamisë, vullnetit të lirë, e të tjera. Kjo arrihet përmes fjalëve si “What’s a god to a nonbeliever,” (çfarë roli ka Zoti për jo-besimtarët?) ku krijohet një cikël i padefinuar, në të cilin fuqia e autoriteteve ngrihet deri te autoriteti më i lartë (Zoti), i cili, për një jobesimtar, është i pafuqishëm.

 

 

 

2.”New Person, Same Old Mistakes” – Tame Impala

Teksti i kësaj kënge sugjeron çlirimin nga besimet tona, të cilat në njëfarë mënyre janë edhe kufizimet tona. Teksti inkurajon dëgjuesit të kenë një perspektivë të re dhe të marrin vendime të kundërta me ato që gjithmonë i kanë marrur. Një proces transformimi për artistin, gjatë të cilit ai gjen veten të humbur në të panjohurën, që vjen si pasojë e të qenurit një person i ri. Plotësisht i kundërt me atë që gjithmonë ka qenë.

 

 

 

3.”Free” – Ultra Naté

Një këngë e pavdekshme, mesazhi i së cilës mbetet ende domethënës pavarësisht kohës që ka kaluar nga lansimi. Përkundër ritmit që fton publikun të kërcejë, teksti dhe mesazhi nxisin reflektim. Teksti thekson konceptin e të qenurit i lirë dhe inkurajon dëgjuesin të ndjekë versionin e vetes që është i destinuar të jetë.

 

 

 

4.”E Dehun”- Era Istrefi

Nuk pata qare pa e përfshi edhe një këngë shqip. “E dehun” është këngë që vendos fokusin në dualitetin e natyrës njerëzore, i cili interpretohet në tekst, melodi dhe videoklip. Projekti muzikorë përfshin skena ku mbizotëron paqja, ngjyra e bardhë dhe tingujt engjëllor, të cilat përplasen me skena ku dominon kaosi, ngjyra e zezë dhe tingulli i vrazhdë.

 

 

 

 

5.”The Joker”- Lady Gaga

E lansuar si pjesë e filmit “Joker: Folie à Deux”, kënga kritikon shoqërinë në të cilën jetojmë, veçanërisht mënyrën se si trajtohen personat të cilët përshkruhen si “the life of the party” (“the joker”, “the clown,” zbavitësit në përgjithësi). Nga ta pritet të jenë gjithmonë argëtues, por shpesh humori i tyre buron nga dhimbja që kanë përjetuar. Shoqëria dështon të kuptojë dhe akomodojë vështirësitë me të cilat ballafaqohen, për shkak se roli i tyre si zbavitës e bën të vështirë për t’u parë përtej fasadës argëtuese.