Dje n’Kosovë
5 Nëntor, 2026
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues; mëso t’i duash gjërat që i ke para se jeta të mësoj t’i duash ato që i ke humbur.
Çka po ndodhë në Kosovë?
Së pari, projektbuxheti i Kosovës për vitin 2027, në vlerë prej 4.3 miliardë eurosh, tashmë është dërguar në Kuvend për votim. Nga kjo shumë, 177 milionë euro janë paraparë për Policinë e Kosovës. Por, a janë këto mjete të mjaftueshme për një institucion që është përgjegjës për sigurinë e qytetarëve?
Sipas deputetëve opozitarë dhe njohësve të sigurisë, jo. Ata vlerësojnë se Policia vazhdon të përballet me mungesë uniformash, pajisjesh dhe kushte të vështira pune. Madje, një pjesë e madhe e buxhetit, mbi 127 milionë euro, është e dedikuar për paga dhe shtesa, ndërsa rreth 27 milionë euro për investime kapitale. E si mund të ketë efikasitet nga zyrtarët policor pa investime dhe kushte më të mira.
Por, sa të sigurt mund të ndihen qytetarët nëse institucionet që duhet t’i mbrojnë nuk i kanë të gjitha kushtet e nevojshme për ta bërë punën e tyre?
Në anën tjetër, një aksion i përbashkët i Policisë, Prokurorisë Speciale dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka rezultuar me sekuestrimin e 37 kilogramëve heroinë, me vlerë që në tregun ndërkombëtar do të kalonte 550 mijë euro. Droga dyshohet se ishte sjellë nga Irani, e fshehur mes mallrave komerciale, ndërsa destinacioni i saj ishte tregu jashtë Kosovës.
Gjatë këtij operacioni, të zhvilluar në Ferizaj dhe Prishtinë, janë arrestuar pesë persona: dy shtetas turq, një shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas kosovarë. Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një grup të organizuar kriminal, ndërsa hetimet janë mbështetur edhe në informacione të siguruara nga AKI-ja.
Ky rast nuk është i izoluar, edhe në prill të këtij viti, Policia kishte sekuestruar 18 kilogramë heroinë, që dyshohej se po ashtu ishte siguruar nga Irani dhe kishte për destinacion tregun ndërkombëtar.
Këto dy raste brenda një viti ngrenë pyetje për rrjetet ndërkombëtare të drogës dhe mënyrën se si ato po i shfrytëzojnë Kosovën dhe rajonin për transportimin e narkotikëve. Sa i përgatitur është shteti për t’i zbuluar këto rrjete para se droga të përfundojë në treg?
Prokuroria Speciale ka pranuar dosjen për të hetuar edhe përgjegjësinë e mundshme të zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve, për të vërtetuar nëse ka pasur neglizhencë apo mosveprim institucional që mund të ketë ndikuar në rastin e vrasjes së Arlinda Zekës.
Paralelisht, Kuvendi ka themeluar një Komision Hetimor Parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast, si dhe trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.
Drejtësia për Arlindën dhe shumë gra tjera që u vran apo që kanë një rrezik aktiv për jetën e tyre është e domosdoshme nëse secili kre i cilit do institucion do që ta bëjë gjumin rehat.
Deri atëherë, le të mos ndalemi së kërkuari një vend më të mirë për të gjithë ne. ❤️
