Dje n’Kosovë
19 Dhjetor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Të dashur lexues të vëmendshëm,
Nëse mendonit se sezoni dimëror do ta ftohte skenën politike të Kosovës, më lejoni t’ju siguroj se gaboheni rëndë. Këto ditë, sallonet tona kanë biseda të reja, me lajme të reja që diskutohen veç tu pi naj kafe ose çaj.
Le të nisim me lajmin që erdhi nga brigjet e ngrohta të Karaibeve. Bahamas, një ishull i largët por me peshë simbolike, është bërë shteti i 121-të që e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Presidentja Vjosa Osmani, me penë diplomatike, ka nënshkruar marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, duke riafirmuar se sovraniteti dhe barazia mes shteteve mbeten monedha më e çmuar në këtë lojë fisnike. A është kjo një hapë ose edhe një mundësi e re për tregti, turizëm, kulturë e bashkëpunim? You never knoww!
Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, e shpalli vitin 2025 si vit të njohjeve të reja, ndërsa opozitarë e aleatë e panë këtë zhvillim si dëshmi të konsolidimit të shtetësisë sonë në arenën ndërkombëtare. Flamujt, sipas tyre, vetëm sa do të vazhdojnë të ngrihen më lart.
Por ndërkohë që diplomacia shënon pikë jashtë vendit, brenda kufijve tanë loja zgjedhore ka hyrë në fazën më interesante. Me zgjedhjet parlamentare që afrohen më 28 dhjetor, premtimet po shpërndahen. Z. Kurti siguron se bizneset do të mbeten nën përkujdesjen e tij edhe për një mandat tjetër, duke vizituar kompani që, sipas tij, kanë lulëzuar gjatë qeverisjes aktuale.
Nga ana tjetër, z. Lumir Abdixhiku i LDK-së bën thirrje për më pak përçarje dhe më shumë programe, duke premtuar rritje pagash, punësim për të rinjtë, përkujdesje për pensionistët dhe projekte infrastrukturore madhore nga rrugët e kryeqytetit deri te autostradat që lidhin çdo cep të vendit.
Ndërsa z. Bedri Hamza i PDK-së shkon edhe më tej, me një premtim që ka ndezur imagjinatën e sektorit publik: rritje pagash për 50 për qind, për mjekë, mësimdhënës, policë e administratë, sepse siç thotë edhe ai kostoja e jetesës nuk pret.
E në sfond, Qeveria në detyrë nuk ka qëndruar duarkryq. Vendime janë marrë për thellimin e lidhjeve me komunitetet arbëreshe në Itali, për ngritjen e memorialit të familjes Jashari dhe Epopesë së UÇK-së, për shpronësime në emër të projekteve infrastrukturore, për respektimin e obligimeve të CEFTA-s, për ndihmë shëndetësore për kontribuues të diasporës, për ndarje buxhetore, bursa për studentë dhe harmonizim të politikës së vizave me Bashkimin Evropian.
E sigurisht, nuk mungoi as debati për masat e Bashkimit Evropian. Kryeministri në detyrë i mirëpriti ato që u hoqën, por akuzoi opozitën se i kishte kushtuar Kosovës më shumë se çdo sanksion ndërkombëtar një deklaratë që me gjasë do të përmendet shpesh në ditët e ardhshme.
Kështu, të dashur lexues, ndërsa fjalët bëhen premtime dhe premtimet kërkojnë vota, një gjë mbetet e sigurt skena jonë politike nuk njeh qetësi, e filluam 2025-ën me zgjedhje e përfundojmë si të tillë!
Me syrin gjithmonë vigjilent dhe lapsin gati për shënime,
E juaja besnike,
E.rr, paper writer
