Live Stories from Prishtina

LIVE

24 Nëntor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Qysh ka thanë edhe një autor i instagramit “qysh mund ta fajësoj erën për rrëmujën që shkaktoi, kur isha unë ai që e la dritaren hapur”. Për rrëmujën që përjetojmë në jetën personale, nuk është askush tjetër përveç teje fajtor.

Përshembull kush do ta mbajë fajin që nga sot “trafiku urban” në Prishtinë nuk do të punoj, pasi punëtorët e ndërmarrjes janë tash e sa muaj pa paga, shkaku i mos ndarjes së buxhetit?

Si gjendja e punëtorëve të trafikut urban janë edhe punëtorët e televizonit publik, të cilët nga sot do të hyjnë në grevë dhe çdo ditë pune do të protestojnë nga ora 11:00-13:00, e nëse kjo punë nuk adresohet, punëtorët do të bojkotojnë shumicën e emisioneve dhe lajmeve në RTK.

Lajmin veç se e kemi prit, sepse nga java e kaluar përflitej një vendim i tillë, por për ma zyrtare na njoftoi përmes konferences për shtyp kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

U duk sikur mënjëherë pas tij, vrapoi për me i “qit ujë” kësaj pune Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Ai thotë se Thesari e ka alokuar buxhetin qysh të premten pasdite, madje para kohe, që të paguheshin faturat urgjente.

Stafi i komunës ka përfunduar orarin e punës dhe kanë thënë se “i kryejmë të hënën”.

Sipas Muratit, urgjenca paska qenë aq e madhe sa është dashur me u kry vetëm pas dy dite pushim, në mënyrë që të zgjas propaganda në rrjete sociale.

E pse të premten pasdite z.Murati? Pse jo paradite? Pse jo të enjten?

Se di a e kuptojnë z.Murati e z.Rama që njerëzit kanë mjaftueshëm gajle personale, s’është që janë të uritur për postime të juaja të Facebook-ut. Çka dojnë ata është një sistem që ua lehtëson jetën dhe jo që ua vështirëson me fillim të javës.

Pse duhet qytetari ta vuaj zgjidhjen e tij edhe kur ka menduar se po zgjedhë ndryshimin?

Komuna e Prishtinës nuk e ka të miratuar buxhetin e vitit 2025 e tani edhe të vitit 2026, i cili e ka lënë Prishtinën në një krizë të madhe financiare duke funksionuar me 1/12 e buxhetit.

***

A di që thonë “tregom që je shqiptar pa më tregu që je shqiptar”, qe një shembull:

FSK ka qenë në Amerikë për një trajnim zyrtar, në kthim e sipër, një prej ushtarëve është ndarë prej grupës me pretendimin me vazhdu me qëndru në Amerikë.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e sqaroi shpejt se ai është përjashtuar nga ushtria dhe se po punohet që të kthehet në Kosovë.

Ndërkohë vetë ushtari, Edon Arifi, ka zgjedhur t’ia lërë komunikimin publik Instagramit, me një foto të re dhe një mbishkrim poetik: “Um myti lemza”.

Çka thotë njeri hajt? A se kanë vënë re deri në momentin e kthimit, e ushtari është zhdukë apo ka refuzu kthimin aty për aty, këtë nuk e dimë.

Por një gjë e dyshoj! Askush nuk çohet për s’kthjellti të bëjë veprime dhe t’marrë vendime të tilla, duke e ditë sa mundi i ka shku për me përfundu si ushtar dhe duke e ditë që me një veprim të tillë do ta humbë atë në të njëjtën kohë. Nëse është e kundërta kjo e ndërron kontekstin e gjithë gjësë.

***

Dje dëgjova për një debat publik interesant në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, u krahasuan dy realitete paralele, Serbia në mes të protestave studentore masive dhe Kosova e heshtur përballë bllokadave politike.

Panelistët theksuan se pavarësisht ritmeve të ndryshme, të dy shoqëritë ndajnë të njëjtin problem, mungesën e një diskursi të ri politik dhe ngecjen në narrativat e viteve ’90.

Debati nxori në pah se raportet Kosovë–Serbi vazhdojnë të mbeten të ngrira pikërisht sepse politika ende nuk ka gjetur mënyrën si t’u flas njerëzve të zakonshëm dhe si të dalë përtej së kaluarës.

Të dalësh prej të kaluarës nënkupton të paktën të kthehen trupat e të pagjeturve në vendin e vetë e le më gjanat tjera që nuk janë të gatshëm as të dëgjojnë tutje.

***

Më e/i dashura/i ime, dielli e puthë detin edhe pse asnjëherë nuk takohen, çka do të humbnin nëse njëherë të vetme pa çështjen romantike në këtë fjali siç është “puthja”, që partitë tona të merreshin vesh për të mirën tënde/timen dhe të atij/asaj, neve? Mendoje?