Live Stories from Prishtina

LIVE

January 5, 2023

Autore: Rozafa Bashota

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Shumë nga ne, fillimin e vitit e konsiderojmë si mundësi ideale për t’ia nisur mbarë, si në rrafshin personal, ashtu edhe në atë profesional

Kur bëhet fjalë për librat, patjetër se duhet të ndalemi dhe t’iu propozojmë disa prej tyre, të cilat përveçse mund t’i lexoni për qejf, do t’iu shërbejnë edhe në fuqizimin e mendimit tuaj kritik.

Këto propozime janë të bazuara nga pëlqimet tona dhe janë të përzgjedhura specifikisht nga fusha e Psikologjisë.

Emotional Intelligence, shkruar nga Daniel Goleman

Nëse je një person i cili vazhdimisht është kurioz për ta njohur funksionin e mendjes, zhvillimin e trurit dhe njohjen e emocioneve, atëherë libri “Emotional Intelligence”, është një libër i cili trajton këto struktura në mënyrë analitike dhe psikologjike në një dimension më të thellë.

Inteligjenca emocionale është aftësia për t’i kuptuar, përdorur dhe menaxhuar emocionet tua në mënyrë pozitive. 

Në këtë libër, autori na jep një vështrim se si truri i njeriut evoluon kur i nënshtrohet skenarëve të ndryshëm përgjatë jetës dhe na jep njohuri sesi funksionon mendja e njerëzve kundrejt çështjeve dhe problemeve të thella të pazgjidhura, duke e ndërlidhur edhe paaftësinë për t’i identifikuar ato. Ai, gjithashtu, jep zgjidhje dhe shpjegim për disa nga këto probleme, kështu duke na rrëfyer se si truri i percepton ato.

Thinking Fast and Slow, shkruar nga Daniel Kahneman

Fituesi i çmimit prestigjioz Nobel, Daniel Kahneman e konceptualizon mënyrën e të menduarit si dy (2) sisteme të ndara. Ai i specifikon ato në: Sistemin 1– duke e cilësuar si të shpejtë, instinktiv dhe emocional dhe Sistemin 2– si më të ngadalshëm, më diskutues dhe më logjik.

“Thinking Fast and Slow”, të lejon të mësosh për mendjen njerëzore në një perspektivë më të qartë dhe më të dobishme. Është një lexim i ngadaltë, në mënyrën që duhet ta lexoni me vëmendje përmbajtjen, pastaj të skanoni procesin tuaj të të menduarit dhe në fund të reflektoni mbi atë që lexuat.

Në anën profesionale, mund t’iu ndihmojë të jeni më të vetëdijshëm në vendimmarrjet tuaja dhe të kuptoni më mirë vendimmarrjen e kolegëve ose bashkëpunëtorëve tuaj.

Emotional Agility, shkruar nga Susan David

Nëse një ditë e vlerëson veten si “të fortë”, ndërsa ditën tjetër një stimul i jashtëm të ngacmon emocionet dhe të kthen sërish tek mendimi se Kush jam unë?, ”Emotional Agility”, është një libër informues, i cili të mëson ta pranosh veten, si dhe të kesh një vizion të qartë rreth vetes.

Qasja jo e ashpër e autores ndaj emocioneve është një dukuri jo shumë e përdorur në librat që jemi mësuar t’i lexojmë. Autorja na inkurajon të mos ngecim në procesin e mendimeve, por në vend të kësaj të krijojmë një distancë midis vetes dhe mendimit, në atë mënyrë që të trajtojmë mendimin aktual në një mënyrë jo-gjykuese. Gjithashtu, na bën të qartë që t’i vendosim emocionet në perspektivë dhe t’i trajtojmë ato me mençuri.