Live Stories from Prishtina

LIVE

11 Qershor, 2026

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Sekreti i lumturisë thuhet se është liria, e sekreti për ta fituar lirinë thuhet se është kurajo. Urime dita e çlirimit Prishtina jonë!

Çka po ndodh në Kosovë?

Kur sot i nderojmë të gjitha momentet e vështira dhe sfiduese që na ndihmuan ta fitojmë lirinë, në po të njëjtën ditë dhe kohë, shpresojmë që çdo procedurë të kryhet sa më shpejtë e të shkojmë drejt krijimit të institucioneve me njerëzit që Kosovës i duhen.

Dalja e vogël në përqindjen e votuesve edhe pse në përqindje i ngriti disa prej partive, me numrin e votave, nuk është se shënuan ndonjë rezultat “wow”.

Ata 200 mijë votues më pak se sa në zgjedhjet e dhjetorit të 2025-ës, nuk është se u shpërndanë në partitë e tjera. PDK-ja kishte rreth 40 mijë vota më pak se në dhjetor, Vjosa Osmani i solli 4 mijë vota LDK-së, ndërsa AAK-ja me kandidatin e ri, Ardian Gjini i solli 300 vota më shumë partisë.

 

***

Biblioteka Kombëtare e Kosovës pritet t’i nënshtrohet një restaurimi të madh, me vlerë rreth 22 milionë euro. Mirëpo, projekti është bllokuar prej muajsh për shkak të mosmarrëveshjeve rreth tenderit.

Fillimisht, Ministria e Kulturës e anuloi tenderin, duke thënë se konsorciumi i vetëm që kishte aplikuar nuk i kishte plotësuar kriteret profesionale dhe financiare. Sipas ministrisë, kompanitë nuk kishin dëshmuar mjaftueshëm përvojë në restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe në projekte të mëdha publike.

Kompania kryesore, Limitproject, e kundërshtoi këtë vendim dhe u ankua në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP).

Tani OSHP-ja i ka dhënë të drejtë kompanisë ankuese dhe ka vendosur që anulimi i tenderit nuk ka qenë i bazuar si duhet. Për këtë arsye, e ka kthyer procesin në rivlerësim, që do të thotë se Ministria duhet ta shqyrtojë sërish ofertën dhe të marrë një vendim të ri.

***

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave për vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës gjatë dhjetorit të 2022-ës, por ka pezulluar hetimet ndaj 11 të tjerëve, përfshirë edhe Milan Radoiçiq, pasi ata nuk janë të qasshëm për organet e drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, grupi i akuzuar kishte bllokuar rrugët me kamionë, autobusë dhe mjete të tjera të rënda, me qëllim pengimin e institucioneve të Kosovës në ushtrimin e autoritetit në veri. Në aktakuzë thuhet se Radoiçiq kishte rol kyç në planifikimin dhe koordinimin e barrikadave, por për momentin procedura ndaj tij është pezulluar.

Ndër të akuzuarit është edhe një person i dënuar në shkallë të parë për sulmin terrorist në Banjskë, ndërsa emra të njohur të Listës Serbe, si Goran Rakiq dhe Zlatan Elek, megjithëse më herët ishin intervistuar si të dyshuar, nuk janë përfshirë në aktakuzën përfundimtare.

***

Liria nuk është vetëm momenti kur fitohet, por edhe mënyra si ruhet çdo ditë. Ruhet kur institucionet funksionojnë, kur projektet publike ecin përpara pa pengesa të panevojshme dhe kur drejtësia arrin deri te ata që kanë cenuar rendin kushtetues të vendit. Në këtë përvjetor të çlirimit, përveç kujtimit të së kaluarës, mbetet edhe detyrimi për ta ndërtuar të ardhmen.

Urime Prishtinë, e urime Kosovë!